Ngjarje

Skocezët me fustanella paralajmërojnë Tiranën: Se mos ju mbaron birra

Nga Ardit Hoxha - “Ne më shumë vijmë për të parë vendin dhe për të pirë birra edhe pse grave iu themi që po shkojmë për të parë futboll”. Kështu më rrëfen Poul, njëri prej skocezëve të ardhur në Tiranë këtë të mërkurë. E me këtë fjali sigurisht kupton edhe arsyen e “pushtimit” të rrugëve të kryeqytetit nga dhjetëra e qindra tifozë skocezë. Ata kanë zbarkuar në rrugët e Tiranës, për të ndjekur ndeshjen e futbollit, Shqipëri-Skoci, e vlefshme për kualifikueset e Uefa Nations League. Të veshur me kostumet e tyre karakteristike dhe të ndarë në grupe të vogla prej 3 ose 4 vetë, ata janë duke eksploruar kryeqytetin.

Që në orët e para të mëngjesit pasi kanë shëtitur në pjesën qendrore të qytetit, misioni i parë për ta është të gjejnë një vend të përshtatshëm, ku mund të pinë birrë të mirë. Nuk e kam të vështirë për t’i gjetur dhe ata janë të gatshëm për të më treguar eksperiencën e tyre në qytetin e Tiranës. Pas prezantimit mësoj për dashurinë e madhe që këta njerëz kanë për kombëtaren e tyre.

“Kudo që luan kombëtarja jonë, ne shkojmë gjithmonë dy ose tre ditë më herët. Në çdo vend jemi pothuajse 2000 deri në 3000 mijë tifozë që shoqërojmë ekipin tonë.”-tregojnë Dejan që bashkë me Stiven dhe Poul kanë ardhur në Tiranë që prej të mërkurës. Ai është 28 vjeç dhe puna e tij me projektimin e paneleve diellorë e detyron që pjesën më të madhe të kohës të jetë brenda në zyrë dhe këto ndeshje të kombëtares së futbollit janë mundësia e shkëlqyer që të lëvizë dhe të kalojë më shumë kohë me miqtë e tij.
“Unë nuk kam lënë asnjë vend të Europës përveç Rumanisë dhe Kosovës, pa shkuar duke ndjekur ekipin kombëtar.”- më tregon Stiven Murray. 63-vjeçari me profesion inxhinier nuk humbet asnjë ndeshje të ekipit të tij jashtë vendit. Në momentin kur mori vesh që kombëtarja e Skocisë do të luante me Shqipërinë, gëzimi më i madh për të ishte fakti që do të vizitonte një vend të ri, ku nuk kishte shkuar më herët.

“I shikon këto janë shenja nga çdo vend që unë kam shkuar për të ndjekur kombëtaren edhe pse pjesa më e madhe e tyre më kanë humbur tashme dhe për këtë gjë më vjen shumë keq. Po do shikoj sot ose nesër që në kapelën time të jetë edhe flamuri i Shqipërisë për të treguar që unë kam qenë këtu. Tirana më duket një qytet shumë interesant. Më kishin folur shumë për të, miq të mi që kishin ardhur më herët, por të them të vërtetën nuk më ka ngjasuar fare ashtu siç ma kanë përshkruar, pasi njerëzit duken shumë miqësore dhe me vjen për të qeshur ndonjëherë që ndalojnë për t’ju bërë foto veshjes sonë karakteristike.”- vijon rrëfimin e tij inxhinieri 63-vjeçar.
Udhëtimi i kombëtares së Skocisë në vendet e tjera është më shumë se një transfertë për një ndeshje futbolli. Ekipi shoqërohet gjithmonë shoqërohet nga një numër i madh tifozësh fanatikë që organizohen dhe mbështesin ekipin e tyre kudo në Europë.
Në mesin e shokëve që kanë udhëtuar pjesën më të madhe të Europës bashkë, më gazmori duket, Poul.

“Do të të them diçka që besoj se do të ndihmojë të kuptosh pse në vijmë kaq shumë ditë para ndeshjes. Gratë tonë mendojnë se ne kemi ardhur për të parë ndeshjen e futbollit, por siç ti po e shikon ndeshja e futbollit është ajo që ka më pak rëndësi në këtë moment. Në lëvizim për ta t’ia kaluar mirë me njëri tjetrin dhe nga këto udhëtime marrim kujtime të paharrueshme.” – më thotë Poul. Ai punon si agjent në tregun e pasurive të paluajtshme, por kënaqësia më e madhe për të janë ditët, kur bashkë me Dejan dhe Stiven ndjek kombëtaren e futbollit. Kudo ku shkojnë tërheqin vëmendjen, jo vetëm për veshjen e tyre, por edhe për shkak të birrave.

“Kur ishim në Talin, atje mbaruan birrat në të gjithë qytetin, shpresojmë që mos të ndodhë e njëjta gjë edhe këtu.”- thotë duke qeshur Stiven
Përpos futbollit, kuptoj që ata duan edhe të hyjnë në kulturën tonë. Me veshjet e tyre të veçanta, tipike skoceze duket sikur të ftojnë që të mësosh më shumë për kulturën dhe traditat e tyre.
“Përmes këtyre udhëtimeve ne duam që jo vetëm të përjetojmë emocionet e një ndeshje futbolli, por edhe të marrim dhe japim nga kultura jonë. Kjo është dhe arsyeja pse ne gjithmonë lëvizim me kostumet tona tradicionale, apo me veglat muzikore tradicionale”
Këta tifozë të parë skocez që kanë mbërritur janë pjesë e tifogrupit, “Tartan Army” që mbështet gjithmonë kombëtaren skoceze.

“Tartan Army”, jo vetëm tifozë futbolli

Ky tifogrup nuk është vetëm ndjekës futbolli, por një komunitet shumë i organizuar që shkojnë përtej sportit. Një ditë para ndeshjes, të premten në mbrëmje “Tartan Army” do të mblidhen në sheshin “Nënë Tereza” dhe përveç festimeve do të dhurojnë edhe 5 mijë paund për fëmijët në nevojë. Udhëheqësi i tifogrupit, Nill Forbs tha se fondi do i dorëzohet fondacionit “Jonathan” për të shkuar te fëmijët që kanë më shumë nevojë në vendin tonë.

“Ne kemi identifikuar qendrën “Jonathan” në Tiranë me pak ndihmë nga ambasada britanike. Të shtunën në mëngjes do t’i dorëzojmë çekun prej 5 mijë paund, e cila është shuma që mundohemi të mbledhim sa herë që mundemi. Ky është viti i tretë radhazi ku ne arrijmë të bëjmë një donacion të tillë për çdo ndeshje jashtë që kemi luajtur. Në total, ndër vite kemi bërë bamirësi për mbi 120 mijë paund.”- thotë ai.
Për këtë xhest human, por edhe atmosferën ndryshe që kanë sjellë në Tiranë, “Tartan Army” meritojnë respekt dhe nuk do ishte keq, që në momentin kur do të hyjnë në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” të duartrokiten nga tifozët tanë.

Të 2500 tifozët skocezë që kanë tërhequr vëmendjen do të jenë në Tiranë, deri mbrëmjen e së premtes. Më pas të organizuar me autbousë, mëngjesin e së shtunës do të nisen drejt Shkodrës me për të ndjekur ndeshjen, por duket se për këta njerëz rezultati i asaj ndeshje futbolli është gjëja që ka më pak rëndësi.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë