Futboll

Skerdi Bejzade merr përsipër të shpëtojë Erzenin nga rënia nga kategoria

Gazeta Si – Që pas humbjes së thellë me Dinamon, Erzeni pritej të ndryshonte trajnerin dhe kështu ka ndodhur. Skerdi Bejzade ka marrë drejtimin e shijakasve, kurse Alfred Deliallisi, trajneri i deritanishëm, ka kaluar në postin e drejtorit sportiv.

Për Bejzaden do të jetë aventura e dytë këtë sezon në Superiore. Ai drejtoi për pak javë Laçin gjatë gjysmës së parë të sezonit. Tani merr drejtimin e Erzenit në një moment të vështirë, ku kjo skuadër duhet të luftojë fort për të qëndruar në Superiore edhe sezonin e ardhshëm.

Erzeni mban aktualisht vendin e 8-të në tabelën e renditjes. Pozicion ky që të çon në ndeshjen shtesë me një kundërshtar nga Kategoria e Parë. Rreziku për të zbritur në dyshen e fundit të renditjes është evident, ndaj dhe drejtuesit e klubit shijakas kanë vendosur të ndryshojnë trajnerin.

Gara për mbijetesë duket se do të jetë mes Erzenit, Kukësit, Teutës dhe ndonjë skuadre tjetër, ku dy të fundit bien direkt dhe e 3-ta në fundi shkon në ‘Play-off’. Bejzade do të debutojë në stolin e Erzenit në ndeshjen me Tiranën këtë fundjavë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë