Ngjarje

Skënder Bruçaj, “kulaku” i Komunitetit Mysliman Shqiptar

I pyetur në muajin qershor të vitit të kaluar nëse ndaj tij kishte një presion të ushtruar nga politika dhe nga Turqia për t’u larguar nga posti drejtues i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj u përgjigj përmes rikthimit pas në kohë.

“Kam qenë në klasë të shtatë ose të tetë, në kohën e komunizmit në fshatin tim. Mësuesi i Gjuhë-Letërsisë, që vinte nga qyteti bëri një konkurs poezie. Unë dola i pari dhe e mori poezinë dhe e vendosi në tabelën e të dalluarve. Shokët e panë dhe më thanë hajde se të kanë vendosur poezinë tek tabela. U mblodhëm aty dhe në një moment vjen një nga drejtuesit e shkollës dhe e gris poezinë. Më pas, drejtuesi i thotë mësuesit, po ti nuk e njeh kush është ky? Ky është djali i kulakut. Shkova i thashë babait, pse jemi kulakë dhe më tha, se kështu do partia. Sikur të ishte babai gjallë do më pyeste pse të quajnë gylenist, do t’i thoja se kështu e do partia o babi, nuk do të kisha përgjigje tjetër për këtë”, deklaronte ai për emisionin Real Story në atë kohë.

Kjo përgjigje ishte një konfirmim i tërthortë i artikujve të shpërndarë nëpër disa media turke e shqiptare, ku flitej për kushtëzimin që Presidenti turk, Recep Taip Erdogan i kishte bërë pjesëmarrjes në hapjen e Xhamisë së Namazgjasë me largimin e Skënder Bruçajt, që cilësohej si gylenist.

Si zgjidhje duket se është gjetur një rrugë e mesme. Bruçajn nuk e larguan, por ai zgjodhi të mos rikandidojë dhe këtë vendim e ka njoftuar një ditë para se të zhvilloheshin zgjedhjet për kryetarin e ri të KMSH-së.

Nisur nga ky historik, pyetja që ngrihet është nëse ishte dorëheqja e beftë e Skënder Bruçajt nga kandidimi vullnetare dhe e pandikuar nga faktorë të brendshëm, apo të jashtëm në KMSH? Burime brenda Komuniteti Mysliman Shqiptar pohojnë se deri ditën e enjte, Bruçaj ishte i bindur për të mos u tërhequr nga gara. Çfarë ndodhi në 24 orë, nga e enjtja deri të premten, kur ai ndryshoi mendje?

“Ka patur një reflektim, që më shumë është marrë në kushtet e rrethanat e krijuara. Po, ka patur edhe një presion të brendshëm dhe të jashtëm nga persona që nuk e kanë dashur në krye të KMSH-së”, thonë burimet për gazetën “Si”.

Pyetjes nëse me persona të jashtëm i referoheshin politikës, burimet nuk e përjashtojnë, por flasin për një presion të tërthortë, që nëse do t’i kundërviheshin rrezikonte që të përçante Komunitetin Mysliman Shqiptar.

“Një pjesë e mirë e myftinjëve janë mbështës të Skënder Bruçajt dhe nëse ai do të kandidonte mund të fitonte një mandat të dytë. Megjithatë, kandidimi dhe fitorja e tij mund të sillte përplasje të forta brenda komunitetit nga pala tjetër”, citohen burimet.

Nga kontaktet që ka siguruar gazeta “Si” përflitet gjithashtu për një lobim të fortë edhe nga persona jashtë KMSH-së për kandidaturën e Imamit Ylli Gurra. Burimet na thonë se Gurra gëzon përkrahjen e politikës dhe nisur nga jetëshkrimi i tij, nuk përjashtojnë që emri i tij të jetë katapultuar nga Ankaraja.

Ditën e premte vetë Ylli Gurra mbajti një fjalim në Samitin e Diasporës, si për të përforcuar këta zëra dhe perceptimit publik se Ylli Gurra është i parapëlqyeri i politikës. “Sinjal është edhe ky. S’mund të them më shumë”, thonë burimet.

Nëse burimet e shumëfishta brenda Komunitetit Mysliman Shqiptar flasin me vetëpërmbajtje mbi ndërhyrjen e politikës në këto zgjedhje, një pjesë e vetë politikës nuk tregohet e tillë. Nga opozita reaguan menjëherë Genc Pollo dhe Sali Berisha. Që të dy ata akuzuan drejtpërdrejtë Edi Ramën.

Genc Pollo flet për presion kuisling të qeverisë mbi Komunitetin Mysliman. “Duan të eliminojnë ata që nuk kontrollojnë, për ta servirur kokën e KMSh në sini të argjendtë. Uroj që asambleja e myftinjve shqiptarë të ruajë dinjitetin, orientimin e të refuzojë çdo kalë troje”, thotë ai.

Ish-Kryeministri Berisha ka sulmuar njërën prej kandidaturave.

“Fiton Imami i narkoshtetit! Hei xhemat! Mos harroni se ndonjëherë në qimet e mjekrrës së imamit fshihet ai që qoftë tretë, pra vet shejtani. Fjalë e urtë huaj. Për analogji, në qimet e mjekrës së Imam Ylli Gurrës, fshihet vet Taulant Bamirs Mond Bega! Rroftë kryeimami i narkoshtetit! Gëzuar, gezuar! Tani edhe imamin e kemi të sojit tonë”, shkruan ai në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë