Një skemë financiare e pastrimit të parave ka qenë pjesë e një operacioni të kryer nga SPAK këtë të premte, ku dyshohet se janë të përfshirë shtetas italianë, biznesmeni Rezart Taçi dhe një shtetas zviceran.
SPAK njoftoi sot se ka sekuestruar shumën prej 18 milionë euro, ndërsa ka shpallur në kërkim Rezart Taçin dhe ka arrestuar dy njerëzit e tij, Bledar Lilon dhe Artur Ballën.
Kunati dhe ish-truproja nën arrest
Nga kërkimet e kryera nga policia, dyshohet se Taçi ndodhet në Zvicër, ndërsa në Tiranë është arrestuar ish-truproja personale e tij, Bledar Lilo dhe Artur Balla, i cili është kunati i Taçit.
Ata akuzohen për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Dy shqiptarët Artur Balla dhe Bledar Lilo, kryenin transaksionet financiare përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri vlera e së cilës përllogaritet dhjetëra miliona euro. Gjatë hetimeve, SPAK ka mbledhur prova se Rezart Taçi dhe dy njerëzit e tij besuar do të merrnin përqindjen nga transaksionet e parave përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri.
Tre shtetas italianë në hetim
Taçi bashkëpunonte në Itali me 90-vjeçarin Francesco Zummon dhe Fabio Petruzzella-n, të cilët janë dy nga italianët e arrestuar në Itali, si të përfshirë në skemën e pastrimit të parave, ndërsa janë në këkrim ende edhe dy italianët e tjerë: I.Z. dhe D.C.
Sipas SPAK, skema e pastrimit të parave të krimit drejtohej nga shtetasit Francesco Zummo, 90 vjeç dhe I.Z., në bashkëpunim me ekonomistin Fabio Petruzzella dhe iatlianin D.C., të cilët pastronin paratë në Zvicër dhe Shqipëri.
Nga hetimet e nisura këtë vit në bashkëpunim me autoritetet italiane, është zbuluar organizimi dhe funksionimi i një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.
Si funksiononte skema
SPAK sekuestroi 18,399,941.50 euro, që janë përfituar pikërisht përmes pastrimit të parave të krimit. Këto para kanë ardhur nga italiani 90-vjeçari, Francesco Zummon gjatë muajit gusht 2021 në Shqipëri, ku do të bëhej edhe pastrimi nga Taçi dhe dy bashkëpunëtorët e tij, por kjo është bërë vetëm pjesërisht, pasi hetimet e SPAK kanë parandaluar që të kryhej pastrimi i plotë i parave në Shqipëri.
Dyshohet se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare, është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.
Rezart Taçi nuk përfaqëson vetëm tregtimin e naftës në Shqipëri, por edhe krijimin e një sërë biznesesh të tjera. Shumica e këtyre bizneseve kanë falimentuar dhe Taçi nga të dhënat dhe verifikimet është zhvendosur në Zvicër prej disa vitesh.
Nga lulëzimi i bizneseve te falimentimi, kush është Rezart Taçi
Biznesmeni i naftës Rezart Taçi është një nga emrat më të përfolur në Shqipëri dekadat e fundit. Ai u cilësua si manjati i naftës në vend, duke hyrë fuqishëm në tregun e karburanteve. Pasi hapi dhjetëra pika karburantesh, ai ngjiti shkallët e suksesit, duke ndërtuar depozita në Shëngjin dhe qytete të tjera.
Gjatë kohës kur Sali Berisha ishte kryeministër, ai bleu kompaninë ARMO për rreth 128 milionë euro, gjigantin e përpunimit të naftës në Shqipëri. Ai mori goditjen finale në vitin 2013 kur tatimet i bllokuan rafinerinë e hidrokarubureve ARMO.
Në vitin 2012, gjatë kohës që bizneset e tij lulëzonin në Shqipëri, sipërmarrësi Taçi u kujdes që imazhin e krijuar të kompanisë ta shfrytëzonte edhe jashtë Shqipërisë.
Taçi u përfshi dhe në investimin në futboll. Bleu klubin e Gramozit të Ersekës (origjina e tij), të cilin e ngjiti në Kategorinë Superiore, solli në Shqipëri dy klubet e mëdha Real Madrid dhe Milan për dy ndeshje miqësore në Tiranë.
Më tej, ia doli të bëhej njëri prej sponsorëve të klubit legjendar kuqezi, si dhe u përfol se do të ishte njëri prej aksionerëve të Çelsit në Angli.
Në vitin 2013, hyri në bisedime për të blerë klubin e futbollit të Bolonjës dhe të Parmës në Itali, por u tërhoq në mënyrë të papritur pa dhënë shpjegime 24 orë para nënshkrimit të kontratës.
Me daljen e Partisë Demokratike në opozitë në vitin 2013, erdhi dhe fundi i shkëlqimit të Rezart Taçit. Ai e zhyti kompaninë ARMO në borxhe të shumta (75 milionë euro), e cila më pas iu kalua një konsorciumi ngaAzerbajxhani, të quajtur “Heaney Assets Coorporation”.
Në vitin 2016 u arrestua nga shteti zviceran për akuzat e “mashtrimit”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.
Pas largimit të tij nga Shqipëria, shteti shqiptar nisi hetimet për biznesmenin 50-vjeçar për “pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa këtë të premte, SPAK vendosi ta shpallë në kërkim për masën e arrestit dhe Rezart Taçi duhet të përballet me drejtësinë e shtetit shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.