Ngjarje

Skema e administatores së postës që u arrestua – Tre milionë Euro të munguara, a mos kompanitë punojnë me dy bilance?!

Nga Gazeta 'SI'- Alma Beqiri është administratorja e një postë private për qytetin e Korçës, që u arrestua mëngjesin e 3 qershorit për përvetësimin e 3 milionë eurove në periudhën 2021-2023.

Sipas informacioneve, Beqiri punonte për postën private "Adex" ku nëpërmjet mashtrimit ka krijuar një dëm prej 3 milion eurosh.

Si funksiononte skema?

Paratë që Beqiri merrte nga palët e treta ku dërgonte mallrat, me qëllim dërgimin tek bizneset apo individët, nuk i janë dhënë kurrë dhe janë përvetësuar nga ajo.

Sipas burimeve jozyrtare, hetimi ka nisur disa muaj më parë pas shumë denoncimeve  të bëra nga kompania postare, dhe disa biznese të cilat operonin online dhe dërgonin porositë e tyre tek klientët në Korçë. Sipas të dhënave, mësohet se pasi qytetarët që kishin bërë porosi nga këto biznese merrnin pakot e tyre dhe kryenin pagesën por 46 vjeçarja nuk ua dorëzonte këto pagesa bizneseve duke i mashtruar.

Por si mund të ndodhë që për tre vjet një punonjëse të përvetësojë një shumë parash kaq të madhe dhe në mos askush ta vërë re, të paktën të mos e denoncojë më parë?

3 milionë euro të munguara në bilancet e deklarurara në harkun e 2 viteve për një qytet si Korça, nuk mund t'i shpëtojnë kontrolleve tatimore, gjithmonë nëse janë kryer të tilla.

Për këtë arsye një nga pistat e hetimit nga Prokuroria është ajo e mosdeklarimit të shërbimeve postare, me qëllim shmangien e taksave. Pra, Beqiri dhe klientët e saj dakordësonin transportin ilegal të mallrave dhe pagesat jashtë sistemit tatimor, si përfitim i të dyve.

Nga të gjitha detajet e lartëpërmendura, dyshimet janë edhe ato se shumë kompani punojnë me dy bilance, për të shmangur detyrimet tatimore, duke mos deklaruar shitje-blerjet dhe shërbimet postare. Këtë hapësirë duket e ka shfrytëzuar edhe agjentja postare e arrestuar, e cila ka përvetësuar para që ligjërisht nuk ekzistojnë, sepse transaksionet mund të kenë qenë të padeklaruara. Sa qëndron kjo hipotezë, këtë besohet se do ta nxjerrë hetimi që po kryhet. Gjithsesi, policia nuk jep detaje nëse skema e Beqirit ishte individuale apo kryhej nga i gjithë subjekti.

Policia thotë se të ardhurat investoheshin blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj.

Operacioni policor u kodua "Postmail" dhe u finalizua pas hetimeve të thelluara 2-mujore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja.

Alma Beqiri ishte menaxhere e postës private në Korçë dhe e gjithë vlera e përvetësuar monetare është mbledhur në rreth 2 vite. Momentalisht policia po heton persona të tjerë të lidhur me të, bëhet fjalë për punonjës të tjerë brenda postës dhe familjar të te arrestuarës, që dyshohet se kanë bashkëpunuar për përvetësimin dhe fshehjen e parave të përfituara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë