Lajme

Skavica, “odiseja” e tentativave të ndërtimit që në vitet 60’

Ideja e parë për ndërtimin e një HEC-i në Skavicë është hedhur gjatë regjimit komunist në vitet ’60-’70. Atëherë prtendimet ishin që hidrocentrali i Skavicës të kishte dyfishin e kapacitetit nga ai i që planifikohet të ndërtohet tani. Baseni i Hidrocentalit të Skavicës sipas asaj që planifikohet tani, do të jetë afërsisht në 445 metra mbi nivelin e detit. Plani i hidrocentralit të parë ishte që baseni i liqenit të shkonte me rreth 20 metra më lart, si dhe do të dilte përtej kufirit të Shqipërisë, pra do të shkonte në territorin e Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë ka pasur një marrëveshje ndërshtetërore në të cilën mund të lejohej që liqeni të kalonte në territorin maqedonas duke parë përfitimet reciproke. Por ajo marrëveshje ka rënë pasi ish-Jugosllavia nuk ekziston më si dhe Maqedonia e Veriut nuk e ka ripërtërirë më. “Nëse do të bëhej një marrëveshje e re, do të kërkohej një kalvar negociatash e bisedash”, thotë Pajtim Bello, ish-zëvendës ministër i Energjisë dhe ekspert që përpara viteve ‘90.

Pajtim Bello, ish-Zëvendës Ministër i Energjisë dhe ekspert që përpara viteve ‘90’

Me rënien e regjimit komunist, qeveritë në vend nuk patën kapacitete financiare për ta vazhduar projektin. Ndonëse disa herë është diskutuar e madje miratuar me VKM, kurrë nuk është nisur projekti. Më poshtë kemi renditur disa raste pëgjatë viteve, kur instancat shtetërore janë “mobilizuar” për realizimin e këtij projekt,i por për arsye të ndryshme kurrë nuk është zbatuar.

Në maj të vitit 2005, qeveria shqiptare me Kryeministër Fatos Nanon miratoi në vendim “Për fillimin e procedurës së dhënies me konçesion të ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës sipas propozimit të pa kërkuar”. Sipas këtij vendimi, Skavica do t’i jepej me koncension grupit TGK (Tasara-Geo Tecna -Kinglor) por për arsye të ndryshme, kurrë nuk u zbatua.

Tre vite më vonë më 17 dhjetor 2008, qeveria e Kryeministrit Sali Berisha hapi përsëri tenderin për ndërtimin e HEC-it të Skavicës në të cilën morën pjesë gjashtë kompani të huaja, mes të cilave, përveç TGK, ishin edhe Korporata Energjetike e Koresë së Jugut, shoqëria norvegjeze STATKRAFT, dy kompani austriake VERBUND  dhe KELAG GRUP, si dhe konsorciumi gjerman “R.W.E” AG. Por përsëri projekti mbeti veçse në letër e kurrë nuk u zbatua në terren. Më datë 5 janar 2009, komisioni i vlerësimit të ofertave duhej të shpallte fituesit për vazhdimin në fazën tjetër, por kjo nuk ndodhi kurrë. Qeveria shqiptare e asaj kohe pranoi dështimin vetëm një vit më vonë, duke ia vendosur këtë faj, krizës ekonomike që kishte filluar të godiste eurozonën.

Që nga viti 2009 deri në vitin 2014, Skavica u harrua. U bë shkak një takim i përfaqësuesve të konsorciumit “Power China Corporation” me Ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, që Skavica të rikthehej në vëmendje.

Por ndërkohë që kompanitë kineze kishin dhënë oferta për Skavicën, qeveria shqiptare i dha një kompanie turke bonus për ndërtimin e një hidrocentralit tjetër mbi Drin, atë të Katundit të ri, i cili hapi një debat të madh në vend në lidhje investimet energjetike mbi Drin si dhe dështoi të zbatohej në fund.

Projekti aktual i propozuar nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama, sipas zotit Bello, “shfrytëzon gjithë parametrat maksimalë që ofrohen brenda territorit të Shqipërisë”. Kostoja e tij pritet të shkojë rreth 500 milionë euro dhe do të jetë plotësisht e financuar nga shteti shqiptar. Rreth 20 – 30 përqind të këtyre shpenzimeve do ta zejë rivendosja e gjendjes së zonës që përmbytet. Në terminologjinë e ndërtimeve të HEC-eve kjo frazë nënkupton shpronësimin e tokave dhe ndërtimin e rrugëve e të infrastrukturës elektrike e ujore në afërsi të zonës.

Ky si hidrocentral do të jetë shumë lehtësisht i aksesueshëm si nga rruga e “Kombit” e cila kalon shumë afër tij ashtu dhe nga rruga e “Arbërit” që shkon në krye të liqenit. Benefitet e këtij projekti do të jenë të shumta si në aspektin e peshkimit, turizimit ashtu dhe në atë të punësimit. Pajtim  Bello shprehet për Gazetën “Si” se, “Në fazën e ndërtimit pritet që të ketë me mijëra të punësuar e në fazën e operimit pritet që të ketë një personel me jo më pak se 150 persona”.

Sot që është shfaqur nga Kryeministri Rama projekt-ideja për hidrocentralin e Skavicës, pritshmëria është që kontributi i vlerave në ekonominë shqiptare të jetë tepër i lartë. Ai krahas kontributit në rrjetin energjitik shqiptar, do të mundësojë me mijëra vende punësimi gjatë fazës së ndërtimit, si dhe do të shtojë prodhimin në hidrocentralet vijuese. Ky hidrocentral pritet të kontribuojë në rrjetin energjitik me një fuqi të paktën 350 MW dhe me një prodhim të vetin me 1.2 – 1.3 miliardë kilovat në orë. Kjo do të sillte një rritje me rreth 25% nga prodhimi aktual i energjisë së vendit.

Nuk duhet lënë pa përmendur se “Skavica”, gjithashtu mendohet, se është edhe një ekilibures i mirë  i kaskadës së Dinit, duke qenë se si basen i parë, ai rrit mundësitë që përmbytjet nga tejmbushjet e liqeneve në Fierzë dhe Koman të shmangen.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë