Treg

Skanimi i kontratave për HEC-et, nuk janë respektuar kushtet ligjore dhe afatet

Mosrespektimi i afateve proceduriale dhe mosrespektimi i kushteve ligjore dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara janë ndër problematikat që janë identifikuar gjatë procesit në vazhdim të skanimit të HEC-eve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas zv/ministrit të Energjisë Hantin Bonati, nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, tashmë ka përfunduar procesi i monitorimit dhe verifikimit i situatës në terren dhe puna është fokusuar në praktikën dokumentare dhe në koordinimin e qëndrimeve me institucionet e tjera: Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë e Manaxhimit të Burimeve Ujore për të dalë në konkluzionet finale mbi procedurat dhe hapat që do të ndiqen.

Nga vijimi i procesit të skanimit, kanë rezultuar dhe 9 raste të tjera të shkeljeve të kushteve kontraktuale nga ana e subjekteve, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës.

Numri total i praktikave deri më tani për të cilat ka filluar procesi i ndërprerjes në mënyrë të njëanshme të kontratave koncesionare shkon në 17 raste.

“Sikurse është thekuar edhe më parë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po procedohet me kujdes, për të minimizuar risqet e mundshme dhe implikimet financiare për Buxhetin e Shtetit.”- është shprehur Zv/ministri Bonati.

Sipas tij, problematikat e konstatuara në mënyrë të përsëritur gjatë këtij procesi skanimi, po analizohen në funksion të riinxhinierimit të gjithë procedurës për lidhjen e kontratave koncesionare, sikurse dhe për procesin e monitorimit dhe kontrollit të kësaj të fundit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë