Drejtësia

Skandali me uniformat e policisë, 1 vit burg për ish-drejtoreshën Edlira Naqellari dhe 8 zyrtarët e tjerë

Ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, është dënuar me një vit burg për korrupsion për tenderin e uniformave të policisë. Po ashtu, asaj i ndalohet të ushtrojë të funksione publike për një afat 5-vjeçar.

Ndërsa me 8 muaj deri në 1 vit burg, janë dënuar ish-zyrtarët e tjerë të ministrisë: Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Gezim Mingaj, Anisa Bogdani, Klevis Hasani, Flutura Cerkezi, Ani Omuri dhe Kreshnik Bejkaj.

Nëntë zyrtarët e ministrisë u arrestuan me urdhër të SPAK, pas një hetimi lidhur me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit të vitit 2020 prej 2.8 miliardë lekësh, pasi kishte dyshime për shkelje të rënda.

Naqellari dhe vartësit e aj, akuzohen se shkelën barazinë në zhvillimin e tenderëve, ndërsa sipas përllogaritjeve del, se një uniformë polici kapi vlerën kolosale prej 2.800 euro dhe vetëm kapelja kishte një kosto prej 328 eurosh.

Shkelja e parë e kryer nga zyrtarët e ministrisë së Brendshme, ishte mënyra e ndjekur mbi procedurat  e tenderit.

Po ashtu të arrestuarit, kanë bashkuar tre objekte të tenderimit në një të vetëm, duke favorizuar kështu mundësinë që një kompani të kualifikohej nëse kryente shërbime për të paktën tre zëra.

Sipas prokurorisë, zyrtarët e ministrisë kanë ndërhyrë edhe në zërat e tenderit në mënyrë që të përshtateshin me ofertën e kompanisë që e ka fituar tenderin.

SPAK mësyu në Ministrinë e Brendshme më 10  korrik, ku arrestoi ish-drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari bashkë me 8 ish-zyrtarët e tjerë.

Arrestimet erdhën pasi SPAK kishte prova të mjaftueshme përmes përgjimeve ambientale mes të dyshuarve, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë ‘zbërthyer’ skemën e abuzimit me tenderin.

Po ashtu, ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtar i Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve. Skandali u denoncua verën e kaluar nga opozita, por personi që këmbënguli për çështjen, ishte deputeti i opozitës parlamentare, Myslim Murrizi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë