Arsim

Skandali me diplomat false / Pronari i ‘Wisdom’ korruptoi me çantë ‘Luis Vuitton’ presidenten e Këshillit të Akreditimit, reagon MAS: Po ndiqen procedura për ta mbyllur (për ASCAL asnjë fjalë)

Nga Gazeta Si- Autoritetet italiane njoftuan një superoperacion për goditjen e një rrjeti mashtrimi, me skemë të mirëfilltë kriminale që lëshonte diploma dhe certifikata false ku i përfshirë ishte edhe Kolegji Universitar Wisdom.

Goditja u bë në Bari të Italisë, ku 9 persona janë arrestuar, mes tyre edhe pronari i  Wisdom me qendër të Tiranë, Savino Cianci (i thirrur edhe Nino), bashkëshortja e tij dhe administratori Leonardo Catalano. Të interesuarit paguanin mesatarisht 8 mijë euro për çdo diplomë apo vërtetim tjetër fals që u jepej studentëve. Kualifikimet ishin të ndryshme: mësimdhënie, diplomë në kriminologji, diplomë hotelerie dhe specializime të tjera.

Sipas mediave italiane, dyshja Cianci-Catalano i kanë dhuruar një çantë Louis Vuitton me vlerë 1200 euro presidentes së Këshillit të Akreditimit të Agjencisë për Akreditimin dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, për akreditimin e Wisdom University’.

Për ngjarjen ka reaguar edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke thënë se për periudhën 2023-2024, MAS ka nisur prej kohësh verifikimin e pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar WISDOM.

“Pas procedurave të ndjekura në kuadër të këtij procesi dhe verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar WISDOM për periudhën e ushtrimit të kontrollit, referuar dispozitave të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij”.

Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, shkruan MAS, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM.

"Veprimtaria hetimore e koordinuar nga Trani na lejoi të përgjojmë dhe luftojmë sjelljen kriminale, e cila në radhë të parë cenonte performancën e mirë të administratës publike: këto shoqata kriminale kishin si objektiv që të lejonin qytetarët të mashtroheshin për hyrjen në botën e punës në administratën publike”, shpjegoi komandanti i policisë financiare të Bari, Pasquale Russo, gjatë një konference për shtyp.

Ankesa e një qytetari ka qenë thelbësore për hetimet, theksoi komandanti detajet. Shpesh, këta njerëz afronin qytetarë italianë që ndoshta mund të kishin humbur punën, u premtonin se nëse merrnin certifikata vlerësimi nga një universitet tjetër, në rastin konkret "WISDOM", mund të mbanin punën e tyre në administratën italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë