Dosje

Skandali i uniformave, inxhinierja që zbuloi abuzimin dhe nuk pranoi të firmoste tenderin

Mes hetimeve dhe përgjimeve të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme për tenderin e uniformave të policisë, një inxhiniere nuk ka pranuar të nënshkruajë në lidhje me këtë abuzim.

Në dosjen hetimore, del edhe emri i një prej anëtareve të Njësisë së Prokurimit, e cila nuk ka pranuar të firmosë ndryshimet në çmimet e uniformave dhe këpucëve për Policinë e Shtetit. Bëhet fjalë për Inxhinieren Tekstile, Aurora Mulla, e cila mes të tjerash, ka ngritur edhe shqetësime për abuzim.

Dokumentet që nuk firmosi inxinierja

SPAK vëren se në procesverbalin nr.3, datë 15.10.2019 “i hartimit të shtojcës për disa ndryshime në dokumentet e tenderit të procedurës së prokurimit”, ky procesverbal nuk është nënshkruar nga ana e saj, nga faqja nr.16, deri në faqen 19, ku është përshkruar tabela për sasitë e pritshme të artikujve të uniformës, si dhe nuk është nënshkruar nga ana e saj tabela e përllogaritjes së fondit limit pas ndryshimit të specifikimeve teknike, e cila është bashkëlidhur këtij procesverbali.

Ajo nuk ka pranuar t’i nënshkruajë këto dy tabela, për faktin se ishin bërë ndryshime nga anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit në sasitë e pritshme të artikujve dhe ajo nuk ka qenë dakord.

Inxhinierja nuk ka nënshkruar as dokumentet standarde të tenderit te dokumenti “Sasia dhe grafiku i lëvrimit”, te tabela “Sasia e pritshme të uniformave që kërkohen”, e cila përbën faqen 64-67 të dokumenteve standarde të tenderit të ndryshuar.

“Ky shqetësim i saj, për përcaktimin e sasive të pritshme të artikujve të uniformës, është shfaqur tek anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit, por nuk është dokumentuar me ndonjë procesverbal konkret, përveç mosnënshkrimit të asaj të tabelave të mësipërme”, – thuhet në dosjen e SPAK.”

Shkeljet e rregullave të prokurimit publik

Në dosjen hetimore, rezulton se ish-Drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari ka ndryshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit dhe ka favorizura fituesin.

Sipas përgjimeve të SPAK, këto veprime të paligjshme, Naqellari i ka kryer në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të arrestuar.

Gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, ku zyrtarët dhe ish-zyrtarët nën akuzë, kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedure prokurimi, ku fitues u shpallën bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk” me administrator dhe pronar të vetëm, Ismail Kadiun dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l”  dhe kompania YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC.

Autoriteti Kontraktor DPPSH ka dërguar në kohë të ndryshme të dhënat teknike, sasitë dhe përllogaritjen e fondit limit për shpërndarjen e uniformës dhe këpucëve të policisë dhe në përfundim është rënë dakord që fondi të jetë në shumë totale 2.800.347.570 lekë pa tvsh.

Brenda 7 ditëve  që nga publikimi i procedurës së prokurorimit janë paraqitur ankesa mbi dokumentet e tenderit në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara nga operatorët ekonomikë “Ro.Gat Security” SHPK, Dettay Taban Ayakkabbi Deri Urunleri Tekstil San.Tic.Ltd.Sti”, MarsiAl” SHPK, “Valbona Millonaj PF”.

Grupi i punës që firmosën tenderin

Grupi i punës për tenderin e uniformave u krijua në maj të vitit 2019 në Drejtorinë e Shërbimeve mbështetëse në Polici. Ai synonte të llogariste nevojat dhe fondin për blerjen e uniformave për punonjësit e policisë së shtetit.

Ky grup pune ishte me kryetar, Janaq Xhelilin, Drejtor i Drejtorisë së Logjistikës Mbështetëse, Zenel Hyka Shef sektori, Agron Çeli shef sektori në drejtorinë e Sektorit Publik dhe Aurora Mulla specialiste për uniformat. 

Nga ana tjetër një grup pune në Autoritetin Kontraktor me anëtar, Vojsava Çopani, Zenel Hyka, Marsida Gargaj, kanë bërë një pasqyrë me çmimet e tregut për uniformat.

Tre ditë më parë, SPAK, përmes një operacioni ka prangosur 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për abuzime në tenderin e blerjes së uniformave të Policisë së Shtetit me vlerë 2.8 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë