Rend dhe Ligj

Skandali i gjyqtares së Krujës, arrestohet edhe ish-drejtori i shërbimit të provës

Shkëlzen Ypi, ish-drejtor i Shërbimit të Provës në rrethin e Krujës është prangosur këtë të hënë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi gjatë hetimeve ka rezultuar se me firmën e tij i ka paraqitur gjyqtares Enkeleida Hoxha rrethana të rreme për lirimin e të burgosurve.

Sipas hetimeve të SPAK, Ypi garantonte gjyqtaren se zyrat e shërbimit të provës ishin dakord me konstatimet se të burgosurit ishin rehabilituar dhe ishin dakord gjithashtu edhe me lirimin e tyre.

Arrestimi i tij zgjeron edhe rrethin e personave të përfshirë në grupin kriminal që vepronte në sistemin e drejtësisë në Krujës dhe shton dyshimet se vendimmarrjet e gjyqtares janë kryer edhe falë ndihmës të një vargu institucionesh, edhe në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, si në këtë rast të shërbimit të provës.

Përshkrimi i Shërbimit të Provës për të burgosur që “shënjestroheshin” për t’u liruar nga gjyqtarja Hoxha ishte “shembullor”, ndërsa në lojë, sipas dosjes së SPAK viheshin edhe mjekë dhe institucione të shëndetësisë, që hartonin raporte për vetë të burgosur, apo të afërme familjarë të tyre me probleme shëndetësore. Vula vihej nga pushteti vendor që firmoste certifikatat e trungut familjar dhe përgjegjësinë që kishin të burgosurit si Endrit Dokle e Genc Tafili për t’u kujdesur për ‘prindërit e sëmurë’.

Gjykata e Posaçme vendosi këtë të hënë të lërë në arrest me burg gjyqtaren Enkeleida Hoxha, ndërsa paralelisht me këtë vendim, Këshilli i Lartë Gjyqësor e pezulloi nga detyra deri në vendimmarrjen për shkarkimin ose jo të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë