Ana e errët

Skandali / Gjykata me ligj e dënon me burg, por me matematikë i jep lirinë rivalit të Shullazit

Djalli fshihet në detaje dhe mjafton të lexosh një vendim gjykate në Shqipëri, të dish të mbledhësh muajt e burgimit dhe do të kuptosh se fajtori nuk po dërgohet në qeli, por në të vërtetë në shtëpi.

I tillë është rasti më i fundit në një vendim të gjykatës së Tiranës, në të cilin një 28-vjeçar shpallet fajtor dhe dënohet me 13 muaj e 10 ditë burgim për largimin nga vendi i vuajtjes së dënimit. E ndërsa kuptohet se ky shtetas është dënuar dhe do shkojë në një burg të sigurisë së zakonshme, siç e nënvizon gjykata, ai në të vërtetë nuk ka marrë një dënim, por sapo i janë dhënë çelësat për të dalë i qetë në liri.

Çelësi i lirisë së 28-vjeçarit, i cili pesë vitet e fundit është jo pak i njohur nga policia, gjendet në paragrafin pasues.

Pas dënimit, gjykata shton që në këtë vendim dënim t’i llogariten edhe ditët kur një gjykatë tjetër kishte vendosur për “të arratisurin” masën arrest shtëpiak. Në vendimin që burimet e Gazetës “Si” e vendosën në dispozicion thuhet shprehimisht:

“Në vuajtjen e dënimit të të pandehurit Gjon Pelivani të mbahet parasysh edhe koha e vuajtur arrest në shtëpi për efekt të këtij procedimi, ndërsa pjesa e pavuajtur të kryhet në një nga burgjet e sigurisë së zakonshme”.

Në paragrafin e tretë të vendimit, Gjykata kërkon që t'i llogaritet si ditë burgu edhe koha e kaluar nën masën e sigurisë "arrest shtëpiak". Gazeta Si, 24 nëntor 2019

Ligji e dënon, matematika e liron

Në materialin që Gazeta “Si” posedon ekskluzivisht rezulton se ndaj shtetasit Gjon Pelivani, sipas një vendimi tjetër me numër 342 fraksion 3 të administruar për efekt të këtij gjykimi, ishte vendosur masa arrest shtëpiak. Vendimi në fjalë mban datën 3 maj 2018 dhe masa e arrestit shtëpiak ka zgjatur nga data 3 maj 2018 deri ditën kur ai është kapur nga shërbimet policore në datën 23 maj 2019.

Megjithëse në dosje disponohen të dhënat, siç duket gjykata është e mirë vetëm në ligje dhe jo në matematikë, pasi çdo ditë arresti shtëpiak llogaritet një ditë burg dhe po të mblidhet kjo periudhë me dënimin që gjykata vendosi së fundmi, pra me 13 muaj e 10 ditë, rezulton se madje të dyshuarit duhet t’i kërkohet edhe falje, jo vetëm se gjatë gjykimit u mbajt në paraburgim, por edhe sepse shtëpia e tij nuk mund të quhet aspak burg i sigurisë së zakonshme.

A është vetëm matematikë e dobët?

Gjon Pelivani, i njohur si rival i bandës së Shullazit përpara se të thyente arrestin shtëpiak ishte toleruar më herët edhe nga një trupë tjetër gjykate e cila e çoi në shtëpi, edhe pse ai ishte nën hetim dhe ishte marrë i pandehur për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe prishje të rendit publik.

Për përplasjen me armë në Selitë një ditë pasi në këtë zonë ishte hapur një lokal, i riu ngeli i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ai u arrestua dhe gjykata vendosi arrest me burg. Ky vendim, siç mëson nga burimet zyrtare Gazeta “Si”, qëndroi në fuqi deri në 3 maj 2018, pra gjatë asaj kohe i dyshuari u mbajt nën pranga vetëm katër muaj. Në 3 maj 2018 atij i ndryshohet masat e sigurisë me paraburgim dhe dërgohet nën masën arrest shtëpiak. Argument ishte gjendja e tij shëndetësore pasi kishte marrë një plagë në këmbë dhe për këtë shkak ai nuk qëndroi asnjë ditë në qeli, por u dërgua nga spitali në shtëpi. Madje në atë kohë gjendja shëndetësore i jep edhe favore të tjera.

Gjykata urdhëron “të lejohet personi nën hetim Gjon Pelivani të dalë nga banesa e tij i shoqëruar nga familjarët për arsye të kurimit”. Ky vendim, në përmbajtje të dokumentacionit vijues që Gazeta Si disponon është ekzekutuar menjëherë.

Përgjatë këtyre muajve i riu ka vazhduar nën këtë masë, deri në maj 2019 kur një patrullë policie e kapi bashkë me një shokun e tij me inicialet R.S., por nuk e gjeti as në spital, as afër një spitali dhe as afër një farmacie dhe as me familjen siç kërkonte gjykata.

Policia raporton…

Sikurse mëson Gazeta “Si” në raportin e shërbimit për çastet kur i arratisuri u konstatua jashtë shtëpisë efektivët shkruajnë:

Polici T: I pandehuri në momentin e kapjes nuk ka qenë i shoqëruar nga familjarët. Në vendin e kapjes nuk kishte farmaci afër, apo institucion mjekësor, siç i dyshuari pretendon dhe që mund të shërbente për kurimin e tij. Pranë të pandehurit u gjet një çantë brenda të cilës kishte lëndë cannabis sativa. Por për faktin e fundit shtetasi tjetër Rubens S, pranoi se çanta është e tij dhe jo e të dyshuarit.

I pandehuri justifikohet: E pranoj që jam larguar nga shtëpia, por isha në zbatim të vendimit gjyqësor, pasi po shkoja për mjekim për të marrë ilaçet qetësuese.
Në këtë pikë, gjykata e cila e dënoi për largim nga vendi i dënimit, pra nga shtëpia, çmon se nuk qëndron as pretendimi i të dyshuarit dhe as i avokatit të tij. Gjykata sipas burimeve të gazetës “Si”, i referohet dëshmisë së efektivëve të policisë që shpjegojnë se “i arratisuri” nuk shoqërohej nga familjarët, siç kishte urdhëruar një tjetër gjykatë.

Megjithatë gjykata në vendim vlerëson dhe njeh si rrethanë gjendjen shëndetësore të Pelivanit, pa specifikuar se çfarë problemesh shëndetësore të tjera ka ai, shumë kohë nga muaji shkurt 2018 kur edhe u plagos, ndërsa referon si rrethanë rënduese faktin se ai ka patur edhe më herët problem me drejtësinë, pavarësisht të dhënave të pasqyruara në vërtetimin e gjendjes gjyqësore.

Në fund gjykata e dënon dhe e shpall fajtor duke e dënuar me 20 muaj burgim. Por, ndaj tij aplikohet gjykimi i shkurtuar dhe dënimi thotë gjykata zbret në 13 muaj e 10 ditë burg, të cilat thënë me shqipen e gjykatave shqiptare do të thotë “asnjë ditë burg”.

Sidoqoftë gjykata ja ka zbrazur xhepat të dyshuarit pasi deklaron “shpenzimet proceduriale i ngarkohen të pandehurit”.

I riu njihet për incidentet e armatosura më herët me anëtarë të bandës së Shullazit, e madje në një rast ka qenë i dyshuar edhe për plagosjen e një ish-polici pranë "21 Dhjetorit". Por, kur policia dhe prokuroria së bashku nuk gjejnë prova dhe lënë gjithçka në nivel dyshimesh, duhet thënë ashtu si dy gjykata kanë vendosur: shëndeti mbi të gjitha!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë