Ana e errët

Skandalet seksuale me minorenë që kanë tronditur Shqipërinë

Metoda e abuzimit të 14-vjeçares nga Babrruja nën kërcënimin se do t’i postoheshin videot intime, është realizuar edhe herë të tjera nga të rritur apo të mitur që përdorin rrjetet sociale dhe internetin dhe më pas kërcënojnë. Më herët, gazeta “Si” ka raportuar shqetësimin e policisë dhe të prokurorisë për kanosjet që bëhen në rrjet, menjëherë sapo agresori shton një fotografi personale apo video erotike të palës tjetër. Në një rast, në mars 2020, një 18-vjeçar u shpëtua nga krimi kibernetik, pasi ai kishte rënë në kurthin e një të panjohuri që duke u shtirur si vajzë, e duke i dërguar fotografi të shumta e bindi adoleshentin që edhe ai të bënte të njëjtën gjë. Kjo çështje që më pas është referuar për hetime për gjobëvënie, futi në lojë agjentët e krimit kibernetik, pasi adoleshenti denoncoi në prani të prindërve . Dikush po më kërcënon me fotografinë time që ia postova në inbox dhe ku jam lakuriq. Më kërkon para. Djali thotë policia mbahej nën presion se këto fotografi do ju postoheshin prindërve dhe ndaj kur nuk kishte më mundësi për të vjedhur para në banesë ai u ul me prindërit dhe ju tregoi ç’po i ndodhte.

Por teksa rrjetet sociale janë kthyer në një kërcënim real veçanërisht për të miturit, gazeta “Si” po hedh dritë mbi skandalet më të mëdha seksuale që ndër vite tronditën opinionin publik.  Janë çështje të abuzimit në brendësi të godinave ku për fëmijët duhet të kujdeseshin. Më i rëndi është ai i përdhunimit të fëmijëve në një qendër humanitare.

Pedofili David Brown me profesion inxhinier elektrik hyri për herë të parë  në Shqipëri në vitin 1999, gjatë krizës së Kosovës. Pasi ranë në kontakt në Tiranë me shoqata humanitare, ai u rikthye dy vjet më vonë dhe themeloi bashkë me miq të tij një shoqatë për të ndihmuar fëmijët e pastrehë. Por si në shumicën e skandaleve seksuale të zbuluara në vendin tonë, edhe me rastin e qendrës Fëmijët e tij, u zbulua më pas se autoritetet thjesht ishin treguar të pavëmendshme dhe të pakujdesshme atëherë kur një shtetase holandeze e kallëzoi “babain” e fëmijëve të pastrehë për keqtrajtim. Ishte viti 2006, por autoritetet nuk hetuan asnjëherë mjaftueshëm se çfarë ndodhte në banesën private ku mbaheshin rreth 40 fëmijë dhe që më pas kur u hapën dritat u pa se Brown së bashku me dy të tjerë kishin abuzuar me minorenen.

Por, pas zbulimit të skandalit seksual në qendrën Fëmijët e tij, një qendër që përkujdesej për fëmijët pa strehë, 60-vjeçari dëgjoi nga kafazi letrat që prokuroria zbuloi në zyrë dhe ku miq të tij jashtë vendit , e kritikonin për abuzimet që kishin ndodhur aty.

Ndërsa, në letrën e dt.13.10.2002 Kathy Smith i shkruan të pandehurit se: “…David nuk më the asnjëherë që Edi ka përdhunuar Mirën dhe Asjen, unë e dija që juve po e fshehnit atë. Prita të më thoshje por, kurrë nuk e bëre…..është hera e dytë që Edi u ka bërë dicka të tillë këtyre vajzave….Për më tepër ju po e lejoni atë të vijë përsëri në shtëpi për të terrorizuar fëmijët e vegjël dhe vajzat….në Amerikë quhet abuzim fëmije, nëse një fëmijë sëmuret dhe nuk i kushtohet vemendje mjekësore, nëse një fëmijë abuzohet seksualisht ose, ngacmohet…Abuzimi mendor është tu bërtasësh, të nxehesh keq me ta dhe ka shumë forma David…..Jam i sigurt se, shteti Shqiptar nuk do ta shohi të lehtë këtë. David po je në një vend duhet tu bindesh ligjit Shqiptar, të mos respektosh  ligjin do të thotë të jesh kundër parimeve të Zotit….Ligji i Shqipërisë thotë që fëmijët duhet të adoptohen pas gjashtë muajsh, pse nuk e keni përfunduar këtë punë…Nuk ka të bëjë me paratë sepse, unë e di që ju morët disa mijëra dollarë….Unë jam gjithashtu i shqetësuar sepse Ju nuk i latë Earlit lekë për ushqim për fëmijët kur u larguat…A rrinit pa birrë për të ushqyer fëmijët? Ti e di sesi ndihem unë për këtë ….Nëse fëmijët rrinë të uritur ndërsa, juve ngopeni me kënaqësitë tuaja, Zoti nuk do të të bekojë…Çfarë lloj babai jeni Ju? Mos i vërë në rrezik jetët e tyre. Perëndia më thotë që të largohem nga bijtë e mosbindjes dhe të largohem nga djalli dhe të ndjek drejtësinë…Lutem që të kërkosh Perëndinë, David, që të ndryshojë mendjemadhësinë dhe mënyrat e tua të mashtrimit…”

Në atë kohë u evidentuan në gjykatë fakte të rënda kur dëshmitarët tregonin se veç Brown që qëndronte në dhomë me fëmijët dhe Dino dhe Arnold (të ekstraduar më pas për llogari të procesit në Shqipëri), ishte edhe një oficer i huaj me mision në Shqipëri që po jepte kontributin e tij për të ndihmuar abuzuesit.

Rreth muajit shtator 2005  kam marrë dijeni për faktin se Davidi ndan dhomën me fëmijët. Duke qenë se unë kam fëmijë mbetem e shokuar……më 27 prill 2006 Bonie dhe Naçi vijnë tek unë për të përgatitur mbledhjen…atë natë pikërisht flasin për abuzimet seksuale mbi shumë djem të  vegjël gjatë verës së vitit 2004 nga një farë Dino, me kombësi angleze. Ky person ka qëndruar rreth 6 muaj në shtëpi dhe ka njohur “Fëmijët e tij” nëpërmjet internetit. Ngelem e tmerruar kur dëgjoj këto gjëra, ata më thonë se, vetë fëmijët kanë treguar për këto abuzime që kur Dino ka ikur. Më parë fëmijët nuk kishin treguar. Fëmijët janë dërguar për vizita mjekësore dhe kujdesjet mjekësore të klinikës ABC. …sipas Bonit, Alan një person që mbështet shtëpinë e Davidit dhe duke punuar për PAMECA, ka bërë gjithçka që ka qenë e nevojshme nga ana juridike për të mos ta dëmtuar këtë Dinon në Angli. Davidi i ka kërkuar të kamuflojë historinë në Shqipëri, me qëllim që të mos ketë ndikim negative  në lidhje me shtëpinë

Ky deponim i referohet shtetases Sylvie Bellefame, që administrohet dhe më pas përkthehet në shqip në vendimin gjyqësor që gazeta "Si" disponon. Në dosje evidentohen po ashtu dëshmi fëmijës që tregojnë se si në qendrën ku ata mbaheshin e strehoheshin, ishin abuzuar seksualisht e përdhunuar edhe nga Robin Arnold dhe Dino Christodulu. Por ky skandal nga përfaqësues të institucioneve që mbajnë përgjegjësi për të miturit , është më i rëndi i ndodhur ndër vite, por jo i vetmi.

Në Gjirokastër një mësues Neshat T. u dënua për ngacmim seksual të një nxënëseje, pas denoncimit të prindërve të saj. Ndaj mësuesit në atë kohë 60 vjeç u zbulua se kishte pasur edhe ankesa të tjera në Ministrinë e Arsimit si dhe kërkesa për ta larguar nga detyra, por u deshën disa vite derisa mamaja e një 11-vjeçareje të tregonte se si mësuesi i fëmijës e kishte mbyllur të bijën në klasë dhe e kishte puthur.

I ngjashëm ishte edhe skandali i një mësuesi të arrestuar në Fier, që kërkonte marrëdhënie në shkëmbim të një note të mirë apo për të korrigjuar mungesat e nxënësve. Por ndërsa shembuj të tillë në ngacmimeve u raportuan gjatë kësaj dekade edhe në shkolla në Tiranë, Berat dhe Durrës, abuzimi që tronditi opinionin ishte përdhunimi i një vajze nga mësuesi i saj , një ngjarje e ndodhur në Lushnjë. Demir H, baba i gjashtë fëmijëve, i moshës 62 vjeç kur doli para gjykatës deklaroi se e kishte “përdhunuar” nxënësen në ambientet e brendshme të shkollën dhe pikërisht në klasën e fëmijës. Edhe ky rast u zbulua në vitin 2015 nga prindërit e vajzës që me të përdore u paraqitën në komisariat dhe ripërsëritën çfarë u kishte thënë vajza e tyre. Fillimisht mësuesi mohoi çdo gjë, por më pas ai tundi kokën dhe pranoi. “po, tha e kam bërë këtë gjë, të dyja rastet në klasë”.

Siç kanë përfunduar në pranga mësues, apo dhe ngacmues, njëkohësisht edhe mes nxënësish janë raportuar dosje abuzimi seksual. Me përhapjen e rrjeteve sociale që po përdoren shpesh për abuzim përmes shantazhit thotë për gazetën "Si" një burim policor, e njëjta skemë u konstatua në qytetin e Kavajës. Shtatë të mitur u shpallën fajtorë për abuzimin e shoqes së shkollës, e cila ra në grackë, pasi fillimisht kishte krijuar histori me njëri-tjetrin. Por kur dy fëmijët shkuan në një bilardo, çastet intime mes tyre u filmuan nga shoku i djalit që nën kërcënimin se do t'i shpërndante në instagram, e shtiu në dorë të miturën dhe kësisoj nën shantazhim vajza u abuzua edhe nga të tjerë. Hetimi zbuloi se të dyshuarit kishin bërë plan ta abuzonin të miturën edhe te meshkuj të tjerë përkundrejt parave.

Ky material nuk lejohet të kopjohet apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës "Si". Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë