Ngjarje

Skandal, shiten në treg rreth 1.1 tonë bajame toksike. AKU: Mos i konsumoni!

Gazeta Si – Më shumë se 1.1 tonë bajame toksike janë shitur në tregun shqiptar. Alarmi ka ardhur nga AKU-ja, e cila ka dhënë alarmin për sigurinë ushqimore të konsumatorëve.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), thotë se bajamet ishin të importuara nga Spanja.

Nga analizat e kryera kanë konstatuar praninë e acidit hidrocianik mbi nivelin e lejuar, një substancë toksike që mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Sipas njoftimit të AKU-së, bëhet fjalë për produktin “BLANCHED ALMOND EXTRA FINE”, me datë skadence 22 tetor 2026.

Autoriteti u bën thirrje qytetarëve që e kanë blerë këtë produkt të mos e konsumojnë, por ta kthejnë në pikën ku është blerë. Produkti është importuar në Shqipëri nga subjektet Albania Smart Distribution SHPK dhe Alta Group.

AKU sqaron se nga 1.100 kilogramë bajame të importuara nga Albania Smart Distribution dhe një subjekt tjetër, e gjithë sasia rezulton të jetë shitur te konsumatori fundor.

Ndërkohë, nga 100 kilogramë të importuara nga Alta Group, 42 kilogramë janë bllokuar dhe do të asgjësohen, ndërsa 58 kilogramë rezultojnë të jenë shitur.

Autoriteti bën me dije se është njoftuar për rastin përmes sistemit evropian të alarmit për sigurinë ushqimore dhe u kërkon qytetarëve të kontrollojnë produktin që kanë blerë.

Nëse ai përputhet me lotin e njoftuar, konsumatorët duhet të shmangin konsumimin dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes”, thotë AKU në njoftimin për shtyp


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë