Interviste

“S’ka as buxhet, as detaje. Pse drafti për hapjen e shkollave është i pazbatueshëm”

Dje u zbulua në media draft projekti që Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve ka zhvilluar për hapjen e shkollave. Eksperti i Arsimit Ndriçim Mehmeti në një intervistë për Gazetën “Si” shpjegon se ky draft projekt nuk ka asgjë të përcaktuar në mënyrë të qartë, të detajuar dhe të zbatueshëm nga institucionet e arsimit parauniversitar.

- Sa efikas do të jetë mësimi sipas draftit të përcaktuar paraprakisht nga Ministria e Arsimit? 

Nga vetë fjala draft, do të thotë një dokument paraprak, pa firmë, pa vulë e praktikisht i pazbatueshëm. Ka më se dy muaj që znj. Shahini i ka ngel sahati tek një draft me tre mundësi: Mësim fizik, i kombinuar fizik + online dhe tërësisht online. Drafti i paraqitur si i tillë në formë thashetheme në media, nuk na paraqet ndonjë gjë të re dhe nuk ka asgjë të përcaktuar në mënyrë të qartë, të detajuar e të zbatueshëm nga institucionet e arsimit parauniversitar. Kështu që në kushte kur ne nuk dimë si do të zhvillohet mësimi, nuk hamendësojmë dot sa efikas apo më shqip cilësor do të jetë ora e mësimit, që gjithsesi do të jetë tejet e gjymtuar.

- A është e duhur zgjidhja që mësimi duhet të vazhdojë deri në orën 8 të darkës për shkak të turneve të përcaktuara për mësim? 

Padyshim që po, nëse marrim në konsideratë faktin që qeveria në ikje e z. Rama, nuk e ka pasur nuk e ka dhe asnjëherë nuk ka dashur ta ketë si përparësi të punës së saj arsimin. Në shumë vende janë rekrutuar mësues të rinj, janë gjetur mjedise të përshtatshme për shkollat për të shtuar kapacitete e mësimdhënies, ndërsa tek në: Zgjidhja është lënë në dorë të drejtuesit të shkollës. 12.400 nxënësve në Qarkun e Durrësit dhe mbi 5600 në Qarkun e Tiranës, u mungojnë godinat shkollore, si pasojë e shkatërrimit nga tërmeti dhe makutëria e qeveritarëve vendorë e qendrorë. Ku do të mësojnë këta nxënës dhe sa cilësor do të jetë mësimi me katër e më shumë turne?

- Sa efikas është ky draft projekt për mësuesit? 

Sikundër jua përmenda nuk ka asnjë efikasitet dhe është thjesht për të thënë se edhe ne si bota hapëm shkollat. Për turpin e atyre që morën përsipër të hapin shkollat e të tallen me nxënësit, prindërit dhe mësuesit shqiptar, nuk ka asnjë buxhet të posaçëm për këtë qëllim, pra për mësimin me pak nxënës, për mësues shtesë, për masat higjienike, për maskat dhe dezinfektanët për nxënës e mësues, për pagimin e orëve shtesë etj. Një gjë e kemi shumë të sigurt nëse mësim do të zhvillohet sipas draftit: Ne do të kemi më shumë analfabetë funksionalë, më shumë mësimdhënie për të kaluar radhën dhe më pak të rinj e mësues të interesuar për dijen.

- Sipas jush a vlerësohet dhe trajtohet në këtë draft ana psikologjike e nxënësve?

Ajo nuk është trajtuar asnjëherë, para pandemisë, gjatë pandemisë edhe tani. Premtimi për dyfishim të numrit të psikologëve, përfundoi me shumëfishimin e rasteve të bullizmit, dhunës, ngacmimeve seksuale, përdorimit të drograve të lehta e të rënda në radhët e të rinjve dhe shtimit të rasteve të përdhunimit në shkolla. Nuk ka asnjë masë dhe nuk flitet kund për fëmijët me nevoja dhe aftësi ndryshe, për trajtimin e tyre, mënyrën sesi do të vijojnë vitin e ri shkollor e kështu me radhë.

- Në një vëzhgim të përgjithshëm, çfarë mungon në draftin e përcaktuar nga Ministria e Arsimit?

Shumëçka. I mungon serioziteti që duhet të ketë një punonjës administrate (se për shtetar është e tepërt të flasim). Qarkullon një draft, ndërkaq që udhëzimi i ISHP, merr karakter urdhërues për mësuesit. Është e njëjta gjë sikur z. Hodaj, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Edukimit Para universitar, të nxjerrë një udhëzues për infermierët dhe mjekët në lidhje me masat ani-Covid në spitale. Drafti është vetëm sa për të thënë që Ministria e Arsimit po punon, por në fakt ky institucion i ka ikur prej kohësh dhe i ka bishtnuar detyrimeve që ka në lidhje me edukimin, procesin e mësimdhënies dhe mësim nxënies, edukimit të fëmijëve dhe të rinjve. I vetmi merak i znj. Shahini në 2020, ka qenë kush do të zgjidhej rektor universiteti, bukuritë e bregdetit të jugut dhe gastronomia e pasur e kuzhinës së saj. Sot ne nuk e dimë se sa shkolla do të hapen, kur do të fillojnë mësim shkollat e  rrënuara, sa mësues na duhen për të përballuar mësimin me katër turne, si do të bëhet transporti i nxënësve dhe mësuesve në kushtet e distancimit fizik, sa mësues ndihmës do të kemi për fëmijët me nevoja dhe aftësi ndryshe, etj. Këto përgjigje nuk na i jep drafti dhe me gjasa nuk kemi për ti marrë kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë