Ngjarje

Sizmologu serb: Aktiviteti i tërmeteve në rajon do të vazhdojë me muaj

Sizmologu nga Serbia, Branko Dragiçeviq, tha sot se aktiviteti i tërmeteve në rajon dhe Shqipëri do të vazhdojë edhe për disa muaj. Sipas tij pas tërmetit kryesor që goditi Adriatikun me 6.4 shkallë të Rihterit, aktiviteti sizmik është shoqëruar edhe me 50 deri në 60 goditje të tjera më të vogla.
Ai thotë se një gjendje e tillë vjen si pasojë e energjisë sizmike që është grumbulluar për vite të tëra, e cila po çlirohet tashmë dhe do të vazhdojë të krijojë efekte për ditë e muaj në të ardhmen.
“Ky ka qenë tërmeti më i fortë që ka goditur Shqipërinë në 30-40 vitet e fundit”, ka thënë Dragiçeviq shkruan për median serbe “Kosovo-Online”.
Ai ka paralajmëruar edhe tërmete të tjera që do të ndodhin në rajon, megjithatë ka specifikuar se nuk mund të jenë të një magnitute shumë të lartë. “Tërmeti më i fortë që mund të ndodhë mund të mbërrijë deri në 6 shkallë të Rihtrit. Pasojat e tij do të varen se në çfarë kohe apo ore do të ndodhë, dhe nëse do të jetë në ndonjë zonë të banuar”, ka shtuar ai.
Dragiçeviq shpjegon se nuk mund të parashikohen tërmetet, pasi që nuk ka ndonjë sezon apo vit kur ato ndodhin dhe kësisoj nuk japin hapësirë për evakuim. Sizmologu serb thotë se përgatitjet për mbrojtje duhet të bëhen para se tërmetet të ndodhin. Një prej tyre - thotë ai - është ndërtimi i objekteve që janë të mbrojtura nga tërmetet.

Nga ana tjetër, në një intervistë për mediat greke, sizmiologu Eftimious Lekkas ka treguar shkakun se përse ky tërmet, ndryshe nga ai i shtatori shtaktoi kaq dëme në Shqipëri. Sipas tij, ka qenë pikërisht tërmeti i shtatorit që ka dobësuar strukturat e ndërtesave që sot u shembën duke zënë nën vete një numër të madh personash. Lekkas qëndron këtë të martë në Shqipëri bashkë me një ekip për të bërë kërkime të mëtejshme në lidhje me tërmetet që po godadin Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë