Ngjarje

Situatë problematike në Dibër nga zjarret, ndërhyrje nga ajri për shkak të terrenit të vështirë

Gazeta Si - Qarku Dibër dhe kryesisht Balgjaj, Klosi, fshati Madhesh dhe Ulëza, janë përballur me situatat më problematike ditët e fundit, pasi flakët kanë përfshirë sipërfaqe me pyll, dushqe dhe pisha.

Për të ardhur në ndihmë të zonave të prekura nga zjarret, shumë efektivë të Forcave të Armatosura u janë bashkuar forcave operacionale në disa qarqe të vendit.

Efektivët e Batalionit të tretë të Burrelit, janë angazhuar në këto operacione, tregojnë vështirësitë e punës për shkak të terrenit. Ata po punojnë prej disa ditësh në zonë ku ka disa vatra zjarri.

Në ndihmë të forcave tokësore janë edhe helikopterët nga ajri që po hedhin ujë.

“Kemi disa ditë që jemi në vendngjarje. Ka pasur disa vatra të ndezura dhe kemi punuar me intensitet të lartë për t’i shuar ato”, thotë Nëntoger Kejdi Vani, duke shtuar se ndihma nga Forca Ajrore ka qenë shumë e rëndësishme në këtë betejë.

Ministria e Mbrojtjes bën apel për të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe të nxehtë, të shmangin çdo pakujdesi që mund të shkaktojë zjarr dhe të reagojnë menjëherë, duke kontaktuar strukturat zjarrfikëse për të parandaluar pasojat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë