Treg

“Sistemi bankar funksionon si oligopol”

Sabina Veizaj - Shoqata Shqiptare e Bankave nuk sheh asnjë problematikë në tregun bankar, sidomos në termat e konkurrencës.

Spiro Brumbulli, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, i pyetur nga Gazeta “Si” për qëndrimin e shoqatës në lidhje me vendimin e Autoritetit të Konkurrencës për nisjen e hetimit të thelluar për katër bankat më të mëdha në vend, shprehet se shoqata nuk ishte në dijeni.

Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave

Për Z. Brumbulli, hetimi paraprak nuk ka dalë me probleme, por ka indicie, por si në çdo treg, thotë ai për Gazetën “Si”, ka lojtarë të mëdhenj dhe ka lojtarë të vegjël.

“Autoriteti ka marrë në studim vetëm lojtarët e mëdhenj. Janë katër banka dhe kanë 65%, nga 14 banka që janë. Nuk është diçka që nuk bën sens në një ekonomi si ajo e Shqipërisë. Neve bankat nuk na kanë sjellë asnjë shqetësim deri tani. Ndërsa Vendimi i Autoritetit është vendim autoriteti. Ata këtë detyrë kanë; të vërtetojnë kur kanë dyshime, qëndrojnë apo nuk qëndrojnë. Këto janë konsum kohe, nervash për bankat, por është pjesë e detyrës,” thotë Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Ai shpjegon se shoqata nuk është asfare e shqetësuar në lidhje me hetimin paraprak dhe me atë që do të nisë. “Tregu nuk është ashtu si e përshkruan Autoriteti, nuk mund të ndryshojë me tre vite. Bëhet fjalë për tregje shumë mirë të rregulluara, të maturuara , shumë mirë të mbikëqyrura. Të themi banka e pestë të bëhet e para? Nuk del dot. Që të dalë duhet të vendosë kapital. Ai krijohet me vite. Ishte Reiffeisen në vend të parë, tani është BKT. Credins nuk ishte banka e 3 dhe e 4. Ka tre katër vite që ndan vendin e tretë dhe të katërt”, sqaron Z. Brumbulli duke përmendur më tej se “bankat greke që kanë pasur 35 % të tregut nuk janë më. Nuk shikohet tregu në një vit, në 2018-ën, në gjashtë muaj. Çfarë do të thotë përqëndrim?! Gjërat kështu funskionojnë; nëse ti e merr llogarinë në një bankë, atje do kryesh edhe transaksionet e tjera. Vetëm ashtu përfiton. Ata kanë një dyshim dhe do ta analizojnë.”

Ai sqaron se Shoqata pas gjashtë muajsh kur të dalin gjetjet e hetimit do të diskutojë dhe komentojë.

Por Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, jo vetëm që nuk mendon aksh, por akuzon sistemin bankar se në të gjithë vitet e tranzicionit ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë si oligopol.

Zef Preçi, ekspert ekonomie


Kjo, sipas tij për shkak të mbikëqyrjes e rregullimit të dobët dhe mungesës së dukshme të konkurrencës.

Mbikqyrja e Bankës së Shqipërisë për Z. Preçi vuan nga dy probleme; konfliktin e interesit dhe të qënit nën influenca politike.

“Gjë që shprehet në pamundësinë e identifikimit të bankës më të mirë, më favorizuese për biznesin apo qytetarët dhe një lloj ndarjeje e tregut mes tyre gjë që ka çuar në kosto të panevojshme që rëndojnë konsumatorin. Diferenca midis normës bazë të interesit për depozitat dhe normës bazë të interesit për kreditë, spreadi është shumë i madh. Më i madhi në rajon. Një nga shkaqet që zgjerimi i kreditimi të ekonomisë reale ecën shumë ngadalë, për të mos thënë është tejet modest, përveç pritshmërive negative që bankat kanë ndërtuar dhe paqëndrueshmëri të sistemit fiskal të vendit, është edhe fakti që bankat operojnë si oligopol. Por është shumë e vështirë të sigurohet evidencë në rastin kur nuk ka marrëveshje të shkruara. Shumë vite përpara ka patur marrëveshje mes kompanive të sigurimit, në mënyrë të shkruar ndanin tregun dhe binin dakord të lëshonin policat me çmime të fiksuara. E njëjta gjë ndodh edhe me bankat, por ato nuk kanë një marrëveshje të shkruar. Ato aplikojnë emërtime të ndryshme për kosto të njëjta.”- thotë eksperti Preçi për Gazetën “Si”.

Pavarësisht se ai inkiuarjon Autoritetin e Konkurrencës të zhvillojë hetimin e helluar, nuk ka shumë shpresë që gjendja të ndryshojë, pasi siç shpjegon ai, “Problemi më i madh i bankave është mbikëqyrja e dobët, mosrespektimi i standardeve të Bazelit, lidhjet e shkurtra të elitës së biznesit dhe asaj politike me vendimmarrje të rëndësishme bankare dhe provat për këtë janë kreditë e këqija. Fakti që bankat, në vend që të përmirësojnë përzgjedhjen e klinetëve, të kryejnë studime për perspektivat e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të erkonomisë, ndjekin rrugën më të shkurtër; influencojnë qeverinë në vendimmarrje të diskutueshme, siç është ekzekutimi i kolateralit apo merren vesh midis tyre për të shfrytëzuar klientët. Është për të ardhur keq, që kushdo mund ta kosntatojë që kostot e transaksioneve apo të shërbimeve, apo të produkteve që bankat tregtare i ofrojnë konsumatorëve shqiptarë; individë apo biznese janë shumë herë më të larta nga kostot homologe nga vendet e tyre të origjinës.”

Z. Preçi gjykon se ka një argument tjetër që do ta ndihmonte Autoritetin në analizën e vetë, ndonëse kreditimi i ekonomisë nuk zgjerohet, (roli primar i një banke është kreditimi, nuk është diskutim), por ose zgjerohet në mënyrë shumë modeste, fakti që produkte të reja nuk ofrohen në treg, janë produkte tradicionale, përsëri fitimi i bankave njeh rritje shumë më të shpejtë dhe bankat listohen në rendin e katërt për nromën e fitimit të kompanive.

Ai e shikon me rëndësi rolin e Shoqatës Shqiptare të Banakve si kyç në mbrojtjen e konsumatorëve, “por kjo gjë nuk është bërë dhe nuk po bvëhet”, mendon eksperti Preçi. “Shoqata mund dhe duhet të luajë një rol më të madh për të prezuantuar standardet dhe për të promovuar përvojat e mira dhe politikat e mira të sistemit bankar, standardet e Bazelit, të kontribuonte në mbrojtjen e konsumatorit që për fat të keq nuk e bën.”
Edhe raporti më i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar i publikuar më 28 janar të këtij vit, do thekson se likujditeti i sektorit bankar vlerësohet si shumë i lartë, por që vjen edhe si pasojë e dobësisë në kreditim.

FMN foto ilustruese

“Transmetimi i politikës monetare në ekonominë reale është vonuar për shkak të ngërçeve strukturore, të cilat duhet të korrigjohen nga qeveria dhe Banka Qendrore.
Reformat e sektorit Financiar duhet të ndihmojnë rigjallërimin e rritjes së kreditimit të sektorit privat dhe përshpejtimin e ndërmjetësimit, duke përfshirë përmirësimet e mëtejshme në zgjidhjen e mungesës së performancës së kredive. Risqet në rritje, duke përfshirë edhe bankat e BE-së, bëjnë thirrje për përmirësime të kuadrit mbikëqyrës” thotë raporti i FMN-së.

Autoriteti i Konkurrencës në raportin vjetor (2016) që do ti niste Kuvendit, njoftonte deputetët se do të hapte procedurat për hetim të përgjithshëm të sistemit bankar për fitimet e larta të bankave. Gjatë hetimit, Autoriteti do të analizonte mundësinë që këto shërbime të mund të transferohen të shoqëritë e kursim kreditit.

“Në përfundim të analizës së treguesve të sistemit bankar në tërësi dhe e sjelljes së bankave të nivelit të dytë në tregun përkatës, overdraft dhe kredi konsumatore, u konstatua se tregu bankar paraqitet mesatarisht i përqendruar, ku asnjë nga bankat e nivelit të dytë nuk ka pozitë të ndjeshme në treg. Bankat aplikojnë norma të ndryshme për tre produktet bankare të analizuara. Diferenca midis interesave të kredive me depozitat dhe i interesave të overdraft­it me depozitat për gjithë sektorin bankar është shumë i lartë. Krahasuar me 8 vendet e rajonit në lidhje me spread­in e interesave të kredive me depozitat, Shqipëria radhitet e katërta, duke lënë pas vendet si Mal i Zi, Kosova, Serbia dhe Bullgaria, të cilat kanë spread­in apo diferencën mes interesave të kredive dhe depozitave me të vogël”, do të sqaronte Autoriteti i Konkurrencës.

Autoriteti do të sqaronte se do të vlerësonte zëvendësueshmërinë e produkteve bankare depozita, kredi, overdraft etj., me produktet e subjekteve jo banka, shoqëritë e kursim kreditit dhe unioneve të tyre, të cilat ofrojnë produkte të ngjashme. Në hetim do të përfshiheshin edhe vlerësimi për sjelljen e bankave të nivelit të dytë në lidhje me komisionet, normat e interesit të aplikuara, për produkte të ndryshme si hapje llogarie, depozitë, kredi, transferta bankare dhe krahasimi mes tyre, si dhe aspektet e sigurimit të kredive.

Kjo gjë ndodhi, pas hetimit paraprak, Konkurrenca njoftoi se indiciet e gjetura e kanë shpënë në çeljen e hetimit të thelluar për katër bankat më të mëdha në vend, konkretisht: Raiffeisen Bank, BKT, Intesa San Paolo dhe Credins, të cilat përbëjnë 2/3 të totalit të aseteve të sistemit bankar në Shqipëri.

Autoriteti dyshon se këto katër banka janë marrë vesh me njëra-tjetrën duke:

  • çuar drejt zeros interesat për depozitat;
  • mbajtur të njëjta ose të ngjashme interesat për kreditë;
  • aplikimin e interesave minimale, gati zero për llogaritë rrjedhëse në mënyrë të organizuar;
  • rritur në mënyrë të njëtrajtshme dhe mbajtur më lartë se konkurrentët e tjerë në treg të komisioneve dhe penaliteteve ndaj klientëve;

Të gjithë këto sjellje sipas Autoritetit të Konkurrencës, kanë prishur konkurrencën në treg duke dëmtuar klientët dhe vetë sistemin bankar në vend.
Hetimi i thelluar do të zgjasë gjashtë muaj dhe mandej do të bëhet publik konkluzioni përfundimtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë