Për shumë prej nesh, duhen disa minuta për të marrë guximin për t’u zhytur në një pishinë normale. Por një notare e guximshme ka fituar titullin e “Sirena e Akullit”, pasi ka notuar për rreth 2.5 kilometra në ujëra pothuajse të ngrirë.
Barbara Hernandez, një notare nga Kili, u bë personi i parë që përfundoi distancën në Oqeanin Antarktik, ku temperaturat e ujit janë vetëm 2°C. 37-vjeçarja e përfundoi itinerarin mbresëlënës në vetëm 45 minuta e 30 sekonda, teksa nuk kishte asnjë pajisje mbrojtëse gjatë notit, por vetëm rroba banje të zakonshme, një palë syze noti dhe tapa veshi.
“Rivali im më i madh është frika… jo njerëzit. Frika nga dështimi, nga dështimi që mund t’i zhgënjej njerëzit që besojnë tek unë”, tha zonja Hernandez.






Itinerari filloi nga një anije e Marinës Kiliane pranë ishullit Greenëich në Antarktidë dhe zgjati për një distancë sa rreth 25 fusha futbolli. Rreth 20 minuta pasi kishte nisur të notonte, Hernandez filloi të ndjente shenjat e para të hipotermisë.
“Ndjeva diçka të ftohtë të ma përshkonte zemrën”, tha ajo.
Kjo simptomë do të bënte që shumica e njerëzve të dilnin urgjent nga uji i akullt, por Hernandez vazhdoi me vendosmëri, duke arritur më në fund pikën e saj përfundimtare, te një bovë në mes të oqeanit.
“Ishte një not super i vështirë,” tha ajo. “Pasi përfundova kilometrin e parë, ndjeva se nuk do ta arrija kurrë bovën… Ndjeva… krahët e mi po rëndoheshin gjithnjë e më shumë. Por nuk u përqendrova në këtë gjë”.
Pasi arriti të kryejë me sukses distancën, zonja Hernandez u dërgua direkt në një klinikë në bordin e anijes së Marinës Kiliane “Janequeo”, ku mjekët matën temperaturën e trupit të saj që shënonte vetëm 27 °C. Kjo është dukshëm më e ulët se temperatura mesatare e trupit të njeriut prej 37°C. Pavarësisht kësaj, ajo për asnjë moment nuk e humbi vetëdijen dhe u kthye në shëndet të plotë brenda vetëm dy orësh.
Koha e saj është njohur si rekord nga Shoqata Ndërkombëtare e Notit Dimëror, por Hernandez shpreson se së shpejti do të certifikohet edhe nga Rekordet Botërore Guinness.
Përveç talentit të saj për të shfaqur talentin në not, zonja Hernandez shpreson se noti i saj do të rrisë ndërgjegjësimin për ndikimet e ndryshimeve klimatike në Antarktidë.
Vetëm javën e kaluar, një studim nga Qendra Kombëtare e të Dhënave për Dëborën dhe Akullin zbuloi se nivelet e akullit të detit Antarktik tani janë në nivelin më të ulët të regjistruar, me vetëm 737,000 milje katrorë.
“Ajo që më frikëson është se Antarktida vazhdon të shkrihet. Kjo me të vërtetë më frikëson”, tha zonja Hernandez. “Kur isha duke notuar, kjo ishte një nga gjërat që mendoja. Më dhimbnin këmbët, por u ndjeva e fortë. Mendova: Kjo nuk është vetëm për mua, është kauza që ne donim ta bënim të dukshme. Kjo të jep një shtysë.”
Pas kësaj sfide, Hernandez do të përpiqet të përfundojë maratonën e Shtatë Oqeaneve, në të cilën do të notojë nëpër shtatë kanale ose ngushtica anembanë botës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




