Shendet

Simptomat e Covid-19 tek personat e vaksinuar me një ose dy doza

Njerëzit që kanë marrë dy doza të një vaksine Covid-19 kanë më pak gjasa të sëmuren rëndë ose të vdesin nga virusi, por ata përsëri mund të përjetojnë disa simptoma nëse infektohen. Simptomat që shoqërohen zakonisht me koronavirusin janë temperaturë e lartë, kollë e vazhdueshme dhe humbje ose ndryshim i ndjenjës së nuhatjes ose shijes. Por një studim simptomash i kryer nga kompania e shkencës shëndetësore Zoe në Britani, duke përdorur të dhënat nga një grup studimesh të kryer nga Kolegji King’s në Londër tregon se ka disa ndryshime në mënyrën se si njerëzit e përjetojnë virusin pasi marrin një ose dy doza të vaksinës.

“Në përgjithësi, ne pamë simptoma të ngjashme të Covid-19, por kohëzgjatja e përjetimit të simptomave ishte më e shkurtër,” shpjeguan studiuesit.

Katër simptomat më të zakonshme që ata kanë identifikuar ishin dhimbje koke, rrufë, teshtitje dhe dhimbje fyti, të gjitha këto janë tipare të një ftohjeje të zakonshme. Sipas raportit për të vaksinuarit plotësisht, simptomat e mëparshme ‘tradicionale’ siç janë anosmia (humbja e nuhatjes), probleme me frymëmarrjen dhe temperatura nuk ishin të renditura ndër simptomat fillestare që u raportuan nga personat e marrë në studime.

“Për kuriozitet, vumë re që njerëzit që ishin vaksinuar dhe më pas ishin testuar pozitivisht për Covid-19 kishin më shumë gjasa të raportonin teshtitjen si një simptomë kryesore, ndryshe kjo nga personat që nuk kanë marrë asnjë dozë vaksine”, shkruanin ata.

Simptomat më të raportuara për ata që kishin vetëm një dozë vaksine ishin gjithashtu dhimbje koke, rrufë, dhimbje fyti dhe teshtitje  Për të pa vaksinuarit, lista e simptomave përfshinte dhimbje koke, dhimbje fyti, rrufë, temperaturë dhe kollë të vazhdueshme, pra simptomat klasike të Covid-19./The Independent/


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë