Lojëra me Dore

Simona Halep vaksinohet në Rumani, e para teniste e 10-shes më të mirë

Simona Halep ka marrë të mërkurën në Rumani dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt rikthimit në normalitet. "Doja të vaksinohesha dhe tani ndihem mirë. Duhet bërë vaksina për të mirën e të gjithëve dhe për këtë vendosa ta bëj”, - ka shpjeguar tenistja rumune, e para mes lojtarëve më të mira të renditjes botërore që merr vaksinën. Dozën e dytë ajo do ta marrë më 17 mars.

Simona Halep me një trofe të fituar. Gazeta Si, 25 shkurt 2021

Edhe bota e tenisit po sheh dritë në fund të tunelit. Do të duhet ende kohë për kthimin në normalitet, por diçka ka lëvizur sa i takon vaksinës, e vetmja mënyrë për të mposhtur pandeminë e Koronavirusit. Halep e ka bërë vaksinën një javë pas kthimit nga “Australian Open”, ku u eliminua në çerekfinale nga Serena Uilliams.

"Shpresoj që gjithmonë e më shumë persona të vaksinohen. Së shpejti do të marr edhe dozën e dytë dhe kjo gjë më jep siguri. Pavarësisht kësaj, do të jem gjithmonë ekstremisht e kujdesshme”, - ka theksuar Simona Halep. Ajo ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë