Shendet

Siguria ushqimore te privati, ekspertët të ndarë për laboratorin që Rama e “promovoi” në korrik

Ekspertët e sigurisë ushqimore janë të ndarë sa i takon vendimit të Ministrisë së Bujqësisë që autorizon një laborator privat për kryerjen e analizave për produktet ushqimore në treg.

Ish-kreu i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Isuf Shehu e vlerëson të nevojshme, përsa kohë, siç thotë ai, ndër vite qeveritë shqiptare kanë dështuar që të investojnë tek laboratorët e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.

Fluksi i analizave që kërkohen është i papërballueshëm për kapacitetet analizuese të këtyre laboratorëve.

“Shumë mirë bëjnë. Kemi dështuar me investimet. Aparaturat janë të vjetra dhe duhet të kuptojmë që bëhet fjalë për 30 mijë subjekte ushqimore të licencuara, pa përfshirë këtu edhe të tjera që janë të palicencuara”, deklaron ai në një prononcim për gazetën “Si”.

Me profesion avokat dhe aktualisht themelues dhe drejtues i një zyre avokatie në Tiranë, Shehu është pro ofrimit të këtij shërbimi nga ana e privatit, por si rrugë të duhur propozon që ky shërbim të rregullohej nga një ligj i veçantë.

Avokati Isuf Shehu, ish-drejtor i AKU. Gazeta Si, 2 tetor 2019

“Është gjë e mirë, por delegimi duhet bërë vetëm me ligj, sepse s’mund t’i delegosh, autoritetin, kompetencat dhe përgjegjësitë e shtetit tek privati me një urdhër. Këtë mund të bëjë vetëm Kuvendi përmes një ligji”, shton avokati Isuf Shehu.

Ai e sheh thuajse të pamundur që siguria ushqimore në vend të garantohet plotësisht nga laboratorët e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.

“Për këtë duhen laboratorë të paktën në çdo qark. Pra kërkon shumë investime financiare dhe burime njerëzore”, thotë ai.

Por, eksperti tjetër i sigurisë ushqimore, Enriko Ceko nuk e cilëson normal këtë urdhër. Ai thotë për gazetën “Si” se në ndihmë të ISUV-it për sigurinë ushqimore mund të vijnë laboratorë të tjerë publikë dhe universitarë.

Vetë Ministria e Bujqësisë thotë për Gazetën “Si” se laboratori privat nuk zëvendëson laboratoret shtetërore të ISUV, por do të realizojë disa analiza që laboratorët shtetërorë nuk janë të certifikuar që t’i realizojnë.

“Testet që më parë kryheshin në Itali e Belgjikë, tani do të kryhen në Shqipëri me më pak kosto monetare dhe kohore”, thonë nga kjo Ministri.

Në të njëjtin komunikim me Gazetën “Si”, Ministria e Bujqësisë deklaron se nuk bëhet fjalë për një koncesion dhe shpjegon se kostoja e kryerjes së analizave do të përballohet sipas të njëjtës skemë. Pra, nëse produktet rezultojnë të rrezikshme për t’u hedhur në treg, faturën e analizave do ta paguajë subjekti, apo kompania që zotëron ato produkte dhe nëse produktet rezultojnë brenda parametrave pagesa do të bëhet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Pra, sipas këtij pohimi të Ministrisë së Bujqësisë, laboratori “Noval” do të përfitojë para nga buxheti i shtetit për çdo analizë të një produkti ushqimor që vlerësohet brenda parametrave për t’u hedhur në treg.

Rama vizitoi laboratorin në korrik

Urdhri i Ministrisë së Bujqësisë për të autorizuar laboratorin “Noval” për analizimin e disa produkteve ushqimore nëse përputhen me parametrat ligjorë, ose jo u paralajmërua tërthorazi që në muajin korrik nga Kryeministri Edi Rama, që vizitoi këtë laborator.

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së kryer në muajin korrik në ambientet e kompanisë "Noval". Gazeta Si, 2 tetor 2019

“Do ishte vërtet shumë me interes edhe reciprok që të shikojmë mundësinë e një projekti bashkëpunimi me laboratorin tuaj, që është në standardet më të larta europiane për sigurinë ushqimore, një projekt bashkëpunimi mes AKU-së dhe jush që do të na garantonte rezultate spektakolare dhe njëkohësisht transparencë të madhe në raport me të gjithë prodhuesit dhe tregtuesit, në mënyrë që të mos kemi shumë fjalë e diskutime”, deklaronte Rama.

Kryeministri propozonte që veç Shqipërisë, laboratori të shndërrohej edhe në një pikë referimi për vendet e rajonit.

“Është shumë e rëndësishme dhe në kuadrin e të gjithë këtyre lehtësimeve që duam të bëjmë në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, me Kosovën me Malin e Zi për të pasur njohje reciproke të rezultateve. Pra, nëse shkon një produkt me certifikatën tuaj s’kanë çfarë i kontrollojnë më ata. Kjo na vendos në pozita shumë pozitive dhe në raport me Bashkimin Europian, që e ka kërkesë shumë strikte sigurinë ushqimore”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë