Treg

Siguria ushqimore, Biznesi: Të ketë hierarki për dënimet ekstreme

Komuniteti i biznesit i drejtohet Kuvendit dhe Qeverisë me një letër të hapur publike në lidhje me ndryshimet e bëra në Kodin Penal në nenet për sigurinë ushqimore.

Sipas komunitetit të biznesit në ndryshimet e bëra Kodit Penal ka disa problematika që lidhen me shtrirjen e spektrit të dënimeve . Biznesi e konsideron formulimin e neneve të reja tepër shqetësuese për bizneset e rregullta, pasi sipas tyre përfshin edhe një subjekt, i cili në morinë e transaksioneve mund t’i ndodhë një rast sporadik, (shembull çokollatë e skaduar) raste të cilat janë të parashikuara me legjislacion të posaçëm, ashtu edhe një subjekt i cili përpunon apo tregton sasi produkti të skaduar me dijeni dhe dashje.

Nenet e reja, citohet në letrën publike, nuk realizojnë një ndarje të saktë midis subjekteve. “Prodhuesi, i cili me dashje, prodhon dhe më tej tregton produkte ushqimore të rrezikshme për shëndetin, do ta pasonte pjesërisht dhe/apo tërësisht fajin te distributori/tregtari, në rast se malli nuk do të gjendej në ambjentet e prodhuesit. Në një rast të tillë në përgjegjësi penale do të merrej distributori/ tregtari, pavarësisht se nuk kanë qënë pjesë e hallkave të prodhimit, por në pamundësi për të kontrolluar e testuar produktin (shembull fruta, perime etj), duke devijuar nga qëllimi i ligjit, pra ndëshkimi i atyre subjekteve, të cilët prodhojnë produkte të rrezikshme për shëndetin.”- thuhet në letër.

Gjithashtu konsiderohet si problematikë nga ana e biznesit në ndryshimet e bëra Kodit Penal për sigurinë ushqimore, përdorimi i termit “ruajtje” lidhur me skadencat sepse, shpjegojnë ata, të gjithë subjektet në vend kryejnë proces asgjësimi të mallit të skaduar, proces ky i cili ka një kohëzgjatje të caktuar, pasi duhet bërë inventarizimi i produkteve të skaduara dhe më pas njoftimi i 3 institucioneve (AKU, DPT dhe AKM) për të qënë pjesë e këtij procesi.

Në pjesën e penaliteteve ku ligji detyron dënimin me burgim në rastin e vendosjes së etiketave jo të duhura si parashikim në Mashtrimin me produktet ushqimore, bizneset shpjegojnë se për shkak të volumeve mund të ketë gabime njerëzore si ngatërresë në vendosjen e etiketave produktit të duhur në magazina, të cilat duhet të rregullohen përpara shitjes së produktit. Por, sipas parashikimit të Nenit 288/d do të konsiderohej vepër penale produkti në ruajtje, edhe pse ky produkt nuk është ofruar akoma te konsumatori final, gabime të cilat janë shumë larg abuzuesve të vërtetë, të cilët mashtrojnë me të dhënat e produkteve ushqimore.

Nisur nga këto problematika të evidentuara, komuniteti i beznesit kërkon të merren në konsideratë propozimet e dhomave dhe organizatave të biznesit, të cilat janë depozituar pranë Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe Të Drejtat e Njeriut dhe Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, dhe të reflektohen në ri-hartimin e këtyre neneve.

Komuniteti i Biznesit kërkon që të bëhet një ndarje për prodhuesin dhe pjesën tjetër të zinxhirit tregtar ku të dallohen importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, shitja apo vendosja në qarkullim në ndonjë mënyrë tjetër e ushqimeve, pijeve, lëndëve të tjera ushqimore, barnave të rrezikshme, në shkelje të kërkesave të legjislacionit të posaçëm.
Po ashtu, të rishikohet/fshihet termi ‘ruajtja’ në Nenin 288/c (Importimi, prodhimi dhe tregtimi i ushqimeve, pijeve, barnave dhe artikujve të tjerë ushqimorë jashtë afatit të përdorimit) dhe Nenin 288/d (Mashtrimi me produktet ushqimore).

Ata kërkojnë njëkohësisht që në varësi të situatës konkrete për gjykim, në lidhje me Nenin 288/c dhe Nenin 288/d duhet të përfshihet parashikimi i dënimit me gjobë fillimisht (parashikim i cili mungon) dhe më pas në rast përsëritje parashikimi i dënimit me burgim.
Ndryshimet në Kodin Penal vazhdojnë të diskutohen në kuvend.

Një nga ndryshimet që janë konsideruar të forta është penaliteti dënim me burg për ato sipërmarrje që abuzojnë me sigurinë ushqimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë