Nga Sokol Çunga– Thuhet edhe shkruhet se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Thuhet e shkruhet se besa e shqiptarit është e pashoqe. Me krenari dhe, shpesh, pa modesti, nuk harrojmë të kujtojmë veprimin e pastër human të shqiptarëve që shpëtuan mbi 2 mijë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, a mbyllet këtu historia?
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Rajhu i Tretë nuk përndiqte vetëm hebrenjtë, por edhe popullsinë rome, personat e lindur me paaftësi mendore apo fizike, ose ata me aftësi të kufizuara, si dhe homoseksualët. Brenda këtij konteksti, edhe qeveria e Bullgarisë, aleate me Gjermaninë naziste, gradualisht urdhëroi privimin e popullsisë rome nga të drejtat e qytetarisë, duke ndaluar hyrjen e tyre në qendër të kryeqytetit, duke i ndaluar të përdornin transportin publik, duke ndaluar martesat mes bullgarëve dhe romëve, duke pakësuar racionin e ushqimeve, dhe, në fund, duke i burgosur në kampe përqendrimi njësoj si hebrenjtë. Në këto rrethana, një numër romësh, sot i papërcaktuar, arritën të kalonin kufijtë e Shqipërisë për të gjetur strehë.

Autoritetet vendase urdhëruan: “Të gjithë jevgjit e ardhur nga Bullgaria të qiten jashtë shtetit si elementa të pa dëshëruem”. Urdhri jepet prej Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe u dërgohet për zbatim gjithë prefekturave të Shqipërisë. Në dokumentin që paraqesim, prefekti i Beratit, qytetit që shpëtoi numrin më të madh të hebrenjve gjatë Holokaustit, përcjell urdhrin e Ministrisë dhe pret njoftim për përfundimin e veprimit. Nuk dimë a u zbatua, apo në ç’masë u zbatua urdhri. Dokumenti përfaqëson, gjithsesi, qëndrimin zyrtar të qeverisë së kohës.

Historia nuk është bardhezi. Është fort e rëndësishme të kuptojmë drejt nuancat e saj. Teksa gjejmë kohën dhe vullnetin që sheshet dhe stadiumet t’i përmbytim me festime dhe entuziazëm çastor, duke valëvitur flamuj dhe parulla krenarie, duhet të gjejmë edhe kohën për të reflektuar mbi të atë të shkuar të cilën e përmendim fare pak ose aspak. Sepse dokumenti i mësipërm nuk është i vetmi i llojit të tij: gjatë gjithë periudhës historike që mbulohet me dokumente, jevgjit, gabelët apo arixhinjtë veçohen dhe mbahen larg pjesës tjetër të popullsisë.
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



