Dosje

Si u masakrua gruaja që i kishin vrarë djalin. Roli i Dumanit dhe Talo Çelës, kush është porositësi që pagoi 40 mijë euro

Gazeta Si - Fatmira Habili kërkoi për një kohë të gjatë drejtësi për të birin, Elvis Dedaj. Jo vetëm që nuk e gjeti, po për të pati një fat tragjik. Ajo u vra sepse u tradhtua nga shteti, prokurorë e polici, pasi i kishte treguar emrin e Festim Qolit.

Ishte i shumëkërkuari Talo Çela, ai që eliminoi Fatmira Dedën më 14 shtator 2013, një vit pasi viktima kërkonte drejtësi për djalin e saj që ia vranë dhe nuk po gjente dot autorët.

60-vjeçarja ishte nëna e Ervis Dedës, një trafikant droge, i ekzekutuar edhe ai rreth një vit më parë.

Në dosjen që Gazetasi.al disponon, por që do ta publikojë duke ruajtur parimet e gazetarisë, e ndjera Fatmira Habili, raportoi pranë autoriteteve për dyshimet e saj të forta.

“Jam e bindur se autor i vrasjes së djalit tim është shtetasi Festim Qoli. Këta shtetas kishin qenë shokë të ngushtë, por pikërisht dëshira e Elvisit për të ndarë pasuritë dhe bizneset në bashkëpronësi, kishte qenë shkaku i lindjes së konflikteve dhe mosmarrëveshjeve”, - është shprehur gruaja mes të tjerash.

Vrasësi rezultoi se përdori një makinë të vjedhur, ndërkohë që gjatë hetimeve prokuroria kërkoi letër-porosi në Kosovë dhe përgjime të numrave, si dhe të qelizave të telefonit që do të vërtetonin se ku gjendej Festim Qoli.

Për shkak se pala e drejtësisë kosovare nuk u përgjigj, çështja u pezullua. Por sakaq, kjo është dëshmia e Nuredin Dumanit.

“Në fund të vitit 2012 ose fillim 2013 (nuk jam i sigurt), në lagjen 14, ku unë jetoja në qytetin e Durrësit, ishte një person, i cili kishte emër dhe reputacion, quhej Festim Qoli. Ai kishte reputacion, pasi ka shumë para dhe biznese. Festimi ka pasur një karburant në Shkozet afër Urës së Dajlanit, që e ka shitur në vitin 2020. Ka gjithashtu një godinë tre katëshe në zonën e njohur si Nishtulla, në të cilin ka aktivitet Bar Kafe “Spiranca”, ushqimore me shumicë edhe një restorant dasmash. Takoheshim gjithmonë tek lokali i tij, që ishte në lagje. Shkurt, e thërrisnim Festa. Si pikë takimi ishte Bar “Spiranca”. Aty u njoha me Festimin, kisha pasur një konflikt më parë me Festim Qolin dhe kushërinjtë e tij, pasi i kisha rrahur kushërinjtë....

Më pas u bëmë shokë së bashku. Një ditë ishim duke bërë palestër, tek palestra e Festimit brenda kompleksit të tij, po diskutonim për ngjarjen që ishte vrarë Ervis Deda, që akuzohej Festim Qoli, i cili e kishte mbyllur çështjen duke më thënë se vetëm këtyre “qenve” këtu në Durrës ju kam dhënë 200.000 euro.

Këtë e dija se ishte bërë publike. E kam dëgjuar edhe nga njerëz të tjerë që thoshin se e ka bërë ai, Festo, por unë nuk kisha folur me Feston. Më pas kur krijova relata më të ngushta me Festimin, u njoha edhe me Henrik Hoxhën, aty e mora vesh tamam që në vrasjen e Ervis Dedës ka qenë Festimi vetë dhe Henriku. Këtë ma pohuan të dy. Festimi ka qenë shofer i automjetit që kanë përdorur për të ekzekutuar Elvisin, ndërsa ekzekutori ka qenë Henriku me armë automatike.

Festimi ishte 6 muaj në kërkim, më pas u kthye. E dinin të gjithë që ishte në kërkim, pasi edhe shteti vinte e kërkonte te shtëpia, madje kur erdhi policia që ta merrte në shtëpi, kam qenë në lagje, pasi ai shtëpinë e ka te kafja e lagjes dhe mesa mbaj mend e morën me një makinë ML, jo me makinë policie. Një ditë kur unë, Festimi dhe Henriku po pinim të tre bashkë alkool dhe kokainë, gjatë diskutimeve, duke u mburrur për ngjarjet që ne kishim bërë, ata më treguan sesi e kishin realizuar vrasjen e Elvis Dedajt. Ditën e ngjarjes ata kanë qenë duke pirë një lokal anës rrugës së Kënetës, në të cilën ka kioska që pjekin mish. Kanë qenë në pritje të informacionit se ku ndodhej Elvisi. Vendin ku ndodhej Elvisi, Festo e ka mësuar nga....ka qenë duke ngrënë drekë së bashku me Elvisin në një restorant në rrugën dytësore pranë Shkëmbit të Kavajës... Festo më ka treguar se e ka pyetur vetë Elvisin me telefon se ku ndodhet? Kjo sipas Festos ka dalë edhe nga hetimet. Pasi Elvisi është ngritur nga tavolina, ka shkuar në makinë për t’u larguar, në atë moment Festimi me Henrikun kanë qenë duke e pritur. Sapo Elvisi është futur në makinë, ka shkuar Henriku dhe e ka qëlluar me armë. Pas ngjarjes, janë larguar me makinën Mitsubishi L200, të cilën e kanë djegur në Kodër Arapaj. Nga djegia e makinës, Festimi ka djegur vetullat dhe fytyrën”.

Në dosjen hetimore, thuhet se nga analizimi i tabulateve, një antenë e plepave lokalizon telefonin e Qolit, që do të thotë se Dumani tregon të vërtetën.

Në dosje thuhet se “nga akti i ekspertimit mjeko–ligjor nr.91 datë 18.09.2013, ka rezultuar se, në trupin e viktimës, Fatmira Dedaj, është konstatuar një plagë prerëse shpuese në qafë, hematoma në zona kontuzive, zona ekimotike me lokalizime dhe me karakteristika të përmendura në akt, plaga prerëse është shkaktuar me mjet mprehtës shpues kurse dëmtimet e tjera me mjete te forta mprehës, shkaku i vdekjes së shtetases Fatmira Dedaj ka qenë shoku i rëndë traumatiko hemorragjik”.

Nga deklarimi i shtetasit Besnik Dedaj, ka rezultuar se viktima është motra e tij dhe se një vit para se të ndodhte vrasja e saj, ajo ka humbur dhe djalin Elvis Dedaj, pasi atë e kanë vrarë dhe gjatë kësaj kohe ajo ka hedhur dyshime se vrasjen e djalit mund ta ketë kryer shtetasi Festim Qoli me të cilin kanë qenë ortak në biznes, ata kanë pasur në bashkëpronësi karburantin “Clasik”.

Shtetasi Festim Qoli ka sqaruar në deklarimin e tij se ka pasur njohje të hershme me djalin e viktimës Ervis Dedaj, i cili është vrarë në vitin 2012 dhe së bashku ata kanë pasur një aktivitet privat karburant “Clasik” në lagjen nr.14 Shkozet.

Ai mohon të ketë pasur konflikte me viktimën, por sqaron se ditën që ka ndodhur vrasja e të ndjerës Fatmira Dedaj, ka qenë jashtë vendit në Gjermani.

Por çfarë thonë dëshmitarët e tjerë për këtë ngjarje? SPAK vëren

“Shtetasi Kujtim Hasa, ka shpjeguar se punon në karburant “Clasik” dhe ditën që ka ndodhur vrasja e Fatmira Dedajt, ajo ka qenë në mëngjes te karburanti, ku ka pirë një kafe. Në lokalin e këtij karburanti, është takuar dhe me punëtorët dhe është larguar. Ajo u ka thënë se të nesërmen do të largohet nga qyteti i Durrësit bashkë me një të njohurën e tij. Shtetasja Natasha Metaj (shoqja e ngushtë) e saj ka shpjeguar se me viktimën kishin shoqëri të ngushtë dhe se pas vdekjes së djalit, ajo fajësonte shtetasin Festim Qoli si person i implikuar në vdekjen e tij, madje këtë fakt ajo e kishte shprehur dhe në prani të tij dhe ky fakt i fundit, sipas saj e kishte kërcënuar dhe atë. Atë ditë ajo do shkonte te karburanti “Clasik” për të biseduar me Festimin për të sqaruar problemin e vjedhjes që ishte konstatuar gjatë kontrollit në pikën e shitjes. Shtetasi Ledio Bllaca (nipi i viktimës), ka shpjeguar se Fatmira Dedaj dyshonte tek shtetasi Festim Qoli për vrasjen e djalit të saj Elvisin një vit më parë dhe se dyshimet për vrasjen e saj 14.09.2013, bien po mbi këtë shtetas, pasi ajo nuk kishte konflikte me njerëz të tjerë. Nga hetimet ka rezultuar se viktimës i është marrë çanta e dorës”.

Bëhet me dije në dosje se në këtë pikë Nuredin Dumani shton:

 “... Gjatë diskutimit, Festim Qoli më tha, po më ngushton nëna Elvis Dedes, kjo pasi po interesohej vazhdimisht në Prokurori për vrasjen e djalit dhe ajo akuzonte direkt Festimin. Më kërkoi nëse mund ta ndihmoja me eliminimin e saj. Ajo ishte nëna e Elvisit. Emrin e kishte Fatmira Dedaj. Pasi diskutuam, më tha do të jap 40.000 mijë euro po ta vrisja. I thashë do flas me disa persona, nuk e di atë ditë apo më vonë, por di që shkova i vetëm në Elbasan tek Talo Çela. Talon me sa mbaj mend e kam takuar tek lokali/servisi i Gent Sharrës (Gentin e kam njohur nga Talo Çela në Elbasan, pasi kishim kryer grabitje bashkë. Jeton në Elbasan përballë parkut. Është i gjatë 1.70m, ka flokë kaçurrela të zeza mesa mbaj mend, është diku tek të 50-at, ka një djalë dhe tre goca mesa mbaj mend) në Bradashesh. Ishte diku 300 metra nga shtëpia e Talos në krahun e majtë kur vjen nga rruga e vjetër nga Peqini për në Elbasan, luanim bilardo, poker. Kam diskutuar me Talon dhe Gent Sharrën për këtë pjesë, i thashë që janë shumë lekë. Unë i thash me thënë të drejtën janë 30.000 euro, pasi doja të fitoja diçka më shumë. Talo e pranoi ofertën që i thashë për momentin.....di që jeton ke rotondo e luleve, kur vjen nga Peqini diku 100 m larg në krahun e djathtë në një pallat të vjetër. Aty afër jetonte dhe ish-gruaja e Talos me vajzën. I mbante flokët lart gjithmonë, ishte trup normal i gjatë diku tek 1.75 m.... Atë ditë nuk mora përgjigje, ma mori përsipër pothuajse pranoi. Erdhi pas disa ditësh Talo Çela, i kam treguar vendin, emrin, lëvizjet e Fatmira Dedes. E ndoqa bashkë me Talon me makinë disa ditë, nuk i mbaj mend makinat. Ajo shkonte çdo ditë në varrezat e Durrësit në mëngjes. Ideja ishte ta vrisnim tek varrezat. Në ndjekjen e saj kemi futur dhe Dorjan Shkozën, i cili kishte një makinë Suzuki ose Toyota me porta-bagazh të vjedhur ngjyrë e kuqe. Dorjani e ndiqte dhe na jepte ne të dhënat ku ishte, ku shkoi. Talo donte ta bënim tek varrezat, pasi sipas tij krijonte lehtësi në largim në drejtim të Spitallës, por unë nuk pranova. Pasi folëm me Festimin, ai më tha që të bëhej tek garazhi, pasi duhej të dukej si grabitje dhe jo si vrasje, pasi aty do kishim dhe Agronin që do na ndihmonte me telefon për lëvizjet e saj. Për çdo lëvizje që bënte Fatmira, unë flisja më të vëllain e Festimit, Petritin, të cilin e informoja për çdo lëvizje, por jo për planin. Petriti merret me biznes. Ka pas ndërtuar pallate, me sa di, ka dhe 2/3 peshkarexha për peshkim. Mesa di, ka dhe një piceri, “Erdogan”, ngjitur me ish-Apolloninë që u shemb pas tërmetit. Petriti është diku sot tek 50-55 vjeç, është 1.80 m i gjatë, i shëndoshë, mban mjekër gjithmonë. Është i martuar po s’ka fëmijë. U vendos përfundimisht që ta eliminonim Fatmirën tek garazhi i pallatit ku banonte. Festimi ndërkohë ishte jashtë shtetit. Mua më ka thënë që ishte në Itali, por mesa mora vesh më vonë nga biseda më të, se kishte qenë në Greqi.... Largimi i tij nga Shqipëria ishte i planifikuar. Kishim biseduar më parë që para se të kryhej vrasja duhet të ishte jashtë shtetit. Kjo me qëllim që policia mos të kishte dyshime tek ai. Unë e lajmërova Petritin të largohej nga Shqipëria se do mbaronim punë. Unë e di që iku për në Greqi, por nuk e di a është e vërtetë. Mesa mbaj mend, Petritin e kam lajmëruar 10 ditë para vrasjes. Mesa di unë iku jashtë. Na dha 2 telefona Nokia të vjetër, Petriti vëllai i Festimit.

Një për mua, një për Agronin. Agroni është djali i xhaxhait të Festimit dhe Petritit. Agroni di që merret me ndërtim dhe është diku tek 50 vjeç. Aktualisht nuk e di se ku punon Agroni. Agroni jetonte në të njëjtin pallat me viktimën. Petriti na i dha telefonat për punë vëzhgimi, kur hyn, kur del Fatmira. Ditën e ngjarjes shkuam me Suzukin/Toyotën, Talo ka kaluar tek pjesa mbrapa, ishte me xhama të zinj, unë isha shofer i mjetit. Kemi bërë rrugën dhe po prisnim tek hyrja e garazhit. Me vete kishim një pistoletë TT dhe një thikë të cilën e mbante Talo Çela. Talo kishte doreza dhe kapuç, ndërsa unë kam pasur vetëm doreza edhe një triko sportive me kapuç dhe kapele, mesa mbaj mend, pasi unë isha në timon. Goni na bëri mesazh që Fatmira kishte dalë dhe e dinim që do kthehej. Agroni na jepte të gjitha informacionet kur hynte dhe dilte Fatmira. Ajo lëvizte me Citron C4, ishte lehtësisht e verifikueshme. Kemi pritur kthimin e saj rreth 1 orë dhe e pamë që erdhi, u nisa mbas saj me makinë tek garazhi, hymë njëkohësisht tek garazhi. Ajo zbriti nga makina, pasi parkoi dhe po dilte për punën e saj. Unë po rrotullohesha tek parkimi dhe Talo doli nga makina dhe po priste momentin. Unë pashë që Talo po e godiste me shqelma, ndërsa ajo nuk reagonte. Talo kishte dhe armën me vete, po se përdori. Ai përdori thikën më pas për ta eliminuar. Ajo ishte e shtrirë pa ndjenja nga goditjet e tij me grushte dhe shqelma, ai i drejtoi thikën dhe më duket se e goditi në qafë. Unë nuk mund ta shikoja dot. Kështu donte dhe Festimi që të ndodhte, pasi donte të dukej jo si vrasje, por si grabitje, prandaj u përdor konflikti. Talo më pas i grabiti  çantën, nuk e di se çfarë kishte brenda s’e kam parë. Isha i tensionuar nga gjaku dhe nga vdekja e zonjës. Pastaj u larguam, kemi shkuar me të njëjtën makinë deri në Plepa tek ura. Unë mora taksi tek Plepat, ndërsa Talo mori makinën dhe nuk e di ku shkoi më pas makina e ngjarjes. Më rëndoi shumë vrasja. Telefonin e hodha tek kanali i ujërave të zeza. Hodha dhe rrobat. Më pas shkova në shtëpi. Pas disa ditësh unë po prisja tek lokali i Festimit ardhjen e Petritit. Me sa mbaj mend Petriti erdhi me një ML gri, më tha dil tek nën kalimi i Shën Vlashit, aty bëmë një xhiro me Benzin dhe më tha ia ku e ke pagesën. Më falënderoi, më tha që do kemi shumë punë. Lekët i kishte futur tek marshi i makinës. Eurot që mora kanë qenë në disa prerje. Më la pas xhiros përsëri tek nënkalimi dhe ika më pas në shtëpi. Shkova në Elbasan atë ditë ose të nesërmen dhe komunikova me Talo Çelën që po shkoja ta takoja. Komunikoja vetëm me mesazhe. Talon e kam takuar tek ‘pilafi’ në Bradashesh, Elbasan. I dhashë 30.000 mijë euro Talo Çelës dhe 10.000 euro i mbajta për vete. Unë me Festimin jam takuar disa herë më mbrapa, por nuk e ka hapur asnjëherë bisedën për vrasjen. Më ka falënderuar për vrasjen dhe më pas kemi prerë gishtat së bashku, jemi bërë vëllezër gjaku. Të shtëpisë time dhe të atij e dinë që jemi vëllezër gjaku”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë