Dosje

Si u fuqizua mafia shqiptare në Romë, flet kriminologu italian: Janë të zgjuar, të këqij dhe bëjnë aleanca

Gazeta Si - Përshkallëzimi dhe fuqia e mafies shqiptare në kryeqytetin e Italisë, Romë, është tashmë një realitet, që nuk duhet nënvlerësuar.

Kronikat e lajmeve, që flasin për përplasje të ashpra mes grupeve nga Shqipëria, duke kaluar edhe kufijtë e mafies lokale, janë thuajse të përditshme. Kjo konfirmohet edhe nga eksperti i kriminalistikës në Itali, Vincenzo Musacchio.

“Sot veprojnë sot në terren duke përdorur dhunën dhe korrupsionin, janë të heshtur, të orientuar drejt tregut dhe të vështirë për t’i luftuar. Ata që menduan se ishin vetëm të dhunshëm, të shëmtuar e të pistë, e kishin gabim. Ata (mafia shqiptare) janë inteligjentë, të këqij dhe oportunistë”, është shprehur më tej eksperti, sipas asaj që shkruan media italiane "Rai News".

Në një intervitë të detajuar, Musacchio, ekspert kriminologjie, jurist dhe bashkëpunëtor me Institutin “Rutgers” për Studimet Anti-Korrupsion në Newark të SHBA, analizon të gjitha hapat dhe përparësitë e krimit shqiptar në Romë.

Eksperti i kriminalistikës në Itali, Vincenzo Mussacchio

A ekziston mafia shqiptare në Romë?

Jo vetëm që ekziston, por në Qytetin e Përjetshëm tani nuk po luan më rol si ndjekës siç ka ndodhur në të shkuarën. Të shtënat në plazhin e Romës (Torvaianica), të ndodhura më 20 shtator 2020, për ata që studiojnë fenomenet e mafies, kanë një kuptim të saktë. Klanet shqiptare duan të numërojnë më shumë në tabelën kriminale të shahut të Qytetit të Përjetshëm. Kanë kaluar rreth dy vjet nga atëherë dhe tani mafia shqiptare është e implikuar edhe në ekzekutimin e Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”, i vrarë me një goditje të vetme në kokë, teksa ishte ulur në një stol në Romë. Jemi përballë ekzekutimeve për t’u dukur. Sinjali është i qartë: edhe ne ekzistojmë!

A po kolonizojnë klanet shqiptare kryeqytetin?

Nuk mendoj se mund të flasim për kolonizim, por sigurisht në Romë mafia shqiptare numëron më shumë se në të shkuarën. Ndërsa më parë ata kontrollonin sheshet e tregtimit, sot i furnizojnë me drogën e tyre, atë të prodhuar dhe të paketuar në Shqipëri dhe të gatshme për përdorim në Romë dhe provincat e saj. Nuk është më një territor, ku para se të vrisnin shqiptarët duhet të kërkonin leje. Pas boshllëqeve të fundit në pushtet dhe aleancave të reja mes klaneve italiane dhe shqiptare, sot ata mund të derdhin gjak dhe të mos kenë frikë nga reperkusionet brenda klaneve, pra nga kryengritjet e qytetarëve, apo edhe nga vëmendja mediatike. Ato janë të pranishme në disa zona historike: nga Primavalle, në Ponte Milvio, San Basilio deri në bregdetin Ostiense.

Fabrizio Piscitelli, kapo i ultrasve të Lacios, i cili dyshohet se u vra në Romë nga një grup kriminal shqiptar

Çfarë nënkuptojnë ekzekutimet e Piscitellit, të Selavdi Shehajt dhe të Adrian Paskut, që dyshohet se janë kryer nga shqiptarët?

Shqiptarët përdorin metodat e vjetra dhe fillimisht shënjojnë territorin e tyre me armë dhe dhunë, më pas korruptohen dhe hyjnë në aleanca. Roma rrezikon vërtet dominimin e këtyre mafiozëve të rinj. Mund të ketë gjithashtu një larje hesapesh të re nga ato klane që nuk do ta pranojnë me dëshirë një hegjemoni të tillë. Janë ‘n’drine’ kalabreze, “Camorra” napolitane… dhe “Cosa Nostra” siciliane, të cilët mund të reagojnë nëse çështjet e tyre do të viheshin në dyshim ose do të zvogëloheshin. “Ndrangheta”, “Camorra” dhe “Cosa Nostra” nuk e pëlqejnë më menaxhimin ushtarak dhe të dhunshëm të biznesit. Mendimi im për këtë çështje, megjithatë, është se këto vrasje janë tregues të vendbanimeve të reja kriminale. Nuk pati asnjë hakmarrje pas këtyre ekzekutimeve flagrante. Kjo do të thotë se vrasjet kanë qenë të përshtatshme edhe për klanet e tjera që vepronin në Romë.

Pse mafia shqiptare është bërë kaq e fuqishme edhe në Romë?

Mafia shqiptare është bërë shumë më të fuqishme se në të shkuarën falë prodhimit dhe trafikut të drogës në të gjithë Evropën. Pas vitesh prezence dhe aleancash në territorin roman, fuqia e tyre është forcuar në mënyrë të konsiderueshme, sepse prodhojnë dhe shesin drogë dhe për rrjedhojë nxjerrin fitime të mëdha. Furnizimet vijnë direkt nga Shqipëria, nga ku menaxhohen edhe sheshet e mëdha romane tregtare dhe ngarkesat furnizohen dhe kontrollohen. Kalabrezët, napolitanët dhe siçilianët – të cilëve u furnizojnë drogën me çmime të pakrahasueshme, duke mbajtur tashmë monopolin absolut të trafikut – kanë vendosur në të kaluarën dhe të tashmen, pakte jo luftarake me shqiptarët. Krerët e klaneve mbeten në Shqipëri, ku legjislacioni antimafia i favorizon.

Policia italiane në Romë gjatë një operacioni anti-drogë

A do të zgjasin këto marrëveshje?

Besoj se jo vetëm do të rezistojnë, por do të konsolidohen, edhe sepse politika fatkeqësisht ka mbetur dhe mbetet e palëvizshme, duke lejuar që këto fenomene të rriten deri në atë pikë sa të bëhen jo më infiltrime, por rrënjë të vërteta. Roma është tashmë në fakt edhe toka e mafies shqiptare. Dominimi i tyre rrezikon të përhapet si zjarr i egër.

Çfarë e dallon mafien shqiptare nga ajo italiane?

Kapaciteti kriminal i kësaj mafieje është mbresëlënës, pasi arrin të përziejë karakteristikat “tradicionale” (disiplinë të ngurtë të brendshme, mbyllje ndaj palëve të treta, papërshkueshmëri, besueshmëri dhe potencial të lartë frikësimi), me elementë “modernë” (transnacionalitet, ngulitje ekonomike dhe kontakte të ngushta me politikën).

Fuqia e tyre ekonomike dhe ushtarake vjen pothuajse tërësisht nga prodhimi dhe trafikimi i drogës. Sipas DIA-, krimi i organizuar shqiptar mbetet një nga organizatat e huaja më aktive, më të rrezikshme dhe më të degëzuara në të gjithë Italinë (Raporti DIA, 2021).

Cilat janë marrëdhëniet midis klaneve shqiptare dhe atyre që i përkasin familjeve Casamonica, Spada dhe Di Silvio, që veprojnë mbi të gjitha në bregdetin roman?

Egërsia e mafies shqiptare në Romë, duket në këtë foto nga serveri i përdorur për komunikime sekrete nga banda e Elvis Demçes

Që nga viti 2015, flitet për një grup kriminal të kryesuar nga Fabrizio Piscitelli dhe që përfshinte nënshtetas shqiptarë (Elvis Demçe) dhe anëtarë të klanit Casamonica (Salvatore Casamonica), të cilët hynë në një aleancë mafioze për romanët nga bregdeti i Ostias. Sot gjërat kanë ndryshuar. Shqiptarët kanë drogë, kanë forcë dhe fuqi zjarri, e dinë mirë gjuhën, e njohin mirë territorin dhe dinë të lëvizin. Klanet romane megjithatë, varen nga droga e tyre, si nga sasia, ashtu edhe nga komoditeti dhe kjo i vë shqiptarët në një pozitë superiore. 

Çfarë mund të bëhet tani për ta shmangur këtë situatë?

Sistemi represiv duhet të jetë shumëdimensional: ndërhyrje të policisë në sferën ekonomike, operacione të specializuara të policisë gjyqësore, arrestime të të arratisurve, sekuestrime dhe konfiskim të pasurive mafioze, aksione kapilare për të kontrolluar territorin. Me pak fjalë, shteti duhet të bëjë të ndjeshëm praninë e tij. Faza parandaluese, nga ana tjetër, besoj se duhet të nisë nga një zgjim i ndërgjegjes civile të romanëve, e cila duhet të fillojë të marrë formë me një lëvizje kundër mafies dhe kundërvënie të mafies. Në Romë është e nevojshme të fillohet një punë intensive edukimi mbi ligjshmërinë dhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar në shkolla dhe në shoqërinë civile, duke përfshirë mbi të gjitha brezat e rinj.

Përshtati në shqip: Gazeta ‘Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë