Ngjarje

Tesi Basho u martua me saze, edhe pse i shumëkërkuar nga policia

Nga drejtësia shqiptare, Tesi Basho akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumentave, por bashkë me këto dy akuza, Prokuroria e Vlorës i është drejtuar gjykatës edhe me kërkesën e masës së sigurisë arrest me burg për efekt ekstradimi në Itali.

Burime të gazetës “Si” thonë se këto janë tre kërkesat e dorëzuara nga Prokuroria para gjyqtarit Laurent Fuçia. Akuza e armëmbajtjes pa leje lidhet me faktin se gjatë operacionit të arrestimit, Bashos iu gjet një armë e llojit pistoletë, ndërsa akuza tjetër, burimet thonë se është nisur nga gjetja e një dokumenti identifikimi italian, që dyshohet se është i falsifikuar.

Burime pohojnë për gazetën “Si” se Tesi Basho dyshohet se ka jetuar i qetë përgjatë gjithë kësaj periudhë në Shqipëri nën identitetin e rremë Thanas Lame, madje edhe është martuar me bujë dhe jetuar i qetë në Vlorë.

Dyshohet se pas arratisjes nga Italia, Basho ka udhëtuar me një skaf në drejtim të Vlorës. Këtu ai ka qëndruar për pak kohë dhe më pas është transferuar në drejtim të Tiranës. Dyshohet gjithashtu se Tesi Basho ka jetuar për pak kohë në kryeqytet dhe më pas është rikthyer sërish në Vlorë.

Burimet pohojnë për gazetën “Si” se tre kërkesat po shqyrtohen të ndara nga njëra-tjetra nga gjyqtarët Laurent Fuçia, Arqile Basho dhe Esmeralda Halilaj. Halilaj shqyrtoi kërkesën për masën e sigurisë arrest me burg, që e dha këtë të dielë, ndërsa avokati i të pandehurve tha se do të apelojë këtë vendim.

Gazeta “Si” mëson përmes burimeve të saj se kohën në arrati, Tesi Basho nuk e ka shfrytëzuar vetëm për t’u martuar, por edhe për të rivendosur lidhjet me botën e krimit, madje duke u fuqizuar. Pjesën më të madhe të kësaj kohe e ka kaluar në Selenicë, i pashqetësuar nga Policia e Shtetit, pavarësisht se në këtë zonë janë ndërmarrë disa operacione, mes të cilëve edhe ai që krehu zonën pas një vrasjeje ende të pazbardhur.

Pas më shumë se tri viteve në arrati, Tesilvan Basho, i cili konsiderohet nga policia person me rrezikshmëri të lartë u arrestua në Selenicë të Vlorës.

Në një postim në facebook, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e cilësonte “një ndër kriminelët më të rrezikshëm në vend, një vrasës të shumëfishtë”.

38 vjeçari dyshohet se ka qenë i pranishëm në atentatin ku mbeti i plagosur Mikel Mehmeti në Vlorë në janar 2019. Mehmeti konsiderohet si një nga miqtë më të ngushtë të Ferdinand Llanaj, të cilit dy vite më parë i bënë atentat në rrugën Transballkanike.

Basho gjithashtu dyshohet se është anëtar i bandës së ‘Llanajve’ në Vlorë dhe dyshohet se është autor i vrasjes së Nikolla Ikonomit i njohur si Laver Tozaj në gusht të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë