Analize

Si të arrijmë tek të pavaksinuarit?

Ndërkohë që varianti Delta përhapet në të gjithë botën, duke penguar rimëkëmbjen e ekonomisë në vendet që po mbështeten tek vaksinimi i popullsisë, qeveritë po përballen me pyetjen delikate se si t'i bindin qytetarët që hezitojnë të bëjnë vaksinën.

Deri më tani, shumica e udhëheqësve kanë zgjedhur të kombinojnë stimujt ekonomik dhe detyrimin ligjor. Në SHBA, shtetet po ofrojnë shpërblime që variojnë nga 100 dollarë deri tek birrat falas apo bileta llotarie. Në Mbretërinë e Bashkuar, stimulimi ekonomik përfshijnë kupona nëpër restorante dhe udhëtime falas me taksi.

Por disa qeveri gjithashtu kanë filluar të përdorin masa gjithnjë e më të ashpra duke e cilësuar vaksinimin një kusht për punësimin, udhëtimin dhe pranimin në bare dhe restorante. Një shembull kryesor ishte njoftimi i presidentit francez Emmanuel Macron për një ligj të ri që e bën vaksinimin të detyrueshëm për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe që e bën të detyrueshme certifikatën e vaksinimit për të hyrë në vende publike si restorantet, baret dhe trenat me shpejtësi të lartë. Rregullat e reja hynë në fuqi këtë javë.

Javën e kaluar, Nju Jorku u bë qyteti i parë amerikan që kërkoi certifikatën e vaksinimit për hyrjen në palestra dhe koncerte, ndërsa “Bar Owner Alliance”, një grup biznesi që përfaqëson 300 bare në San Francisko, ndaloi po ashtu hyrjen e qytetarëve të pa vaksinuar në bare.

Megjithatë, tani për tani, hezitimi për t’u vaksinuar është ende një problem i vendeve të pasura. Në shumë pjesë të botës, qeveritë po përpiqen të marrin furnizime me vaksina dhe do të donin të kishin luksin të shqetësoheshin për hezitimin e qytetarëve për të bërë vaksinën.

Por në Amerikën e Veriut dhe Europë, ngurrimi i një numri të konsiderueshëm qytetarësh për të bërë vaksinën po paraqet një kërcënim potencial për sistemet shëndetësore dhe ekonomitë e tyre si rezultat i përhapjes së variantit Delta.

Megjithatë, përkundër padurimit të qeverive për të futur stimuj të rinj për të bërë vaksinën, disa ekspertë paralajmërojnë për pasoja të padëshiruara. Nxitjet monetare mund të zemërojnë ata që tashmë janë vaksinuar, ndërsa pasaportat e vaksinave po përçajnë opinionin publik.

Stephen Reicher, një profesor i psikologjisë në Universitetin e St Andrews, argumenton skemat e stimulimit ekonomik dhe pasaportat e vaksinave mund të kenë një "efekt polarizues".

"Njerëzit që do të vaksinoheshin gjithsesi mund t'i thonë vetes:" Mirë, do ta bëj pak më shpejt ". Por nga ana tjetër, ata që ngurrojnë do të bëhen edhe më rezistentë, "thotë Reicher.

Për shumë ekspertë, stimujt ekonomikë janë një përgjigje sipërfaqësore që injoron punën shumë më të vështirë por të domosdoshme për t'u angazhuar drejtpërdrejt me grupet në shoqëri që kanë rezerva për vaksinimin dhe përpjekjet për t'i kapërcyer ato.

Profesorja Beate Kampmann, drejtoreshë e Qendrës së Vaksinave në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, u kërkon ekspertëve të shëndetit që të angazhohen me të rinjtë. "Ne kemi më shumë nevojë që ky brez t'i besojë produktit sesa të marrë një picë falas," thotë ajo. "Unë nuk jam e lumtur që dikujt t’i ofrohen ryshfet për të bërë vaksinën."

Të vaksionohesh me detyrim?

Për shumicën e qeverive të shqetësuara për rritjen e numrit të të vaksinuara, objektivat kryesorë tani janë 30-40 vjecarët, të cilët ishin të fundit në radhë për t’u vaksinuar. Mundësia për të vuajtur nga sëmundje të rënda dhe vdekja nga Covid-19 rritet me moshën, ndërsa të rinjtë janë të ndjeshëm ndaj reaksioneve shumë të rralla serioze pas vaksinimit, siç është inflamacioni i indeve të zemrës.

Në Angli, për shembull, të dhënat e fundit tregojnë se nën 70 përqind e të rinjve kanë marrë dozën e parë. Pak më shumë se 70 për qind e 25 deri 29-vjeçarëve kanë marrë dozën e tyre të parë. Nga ana tjetër më shumë se 90 për qind e personave mbi 50 vjeç janë vaksinuar plotësisht. Vetëkënaqësia, hezitimi për t’u vaksinuar dhe mesazhet e përziera për përfitimet e vaksinave mendohet se janë faktorë në vaksinimin e ngadaltë të të rinjve.

Në Francë, masat e Macron provokuan protesta në rrugë nga një sërë lëvizjesh anti-vaksnimit, të cilat janë rritur në numër gjatë katër javëve të fundit. Megjithatë, rregullat e vendosura rigjallëruan fushatën e vaksinimit . Rezervimet e reja ditore, të cilat kishin ngecur në rreth 150,000 në qershor, u rritën në më shumë se 400,000 në mes të korrikut.

Në të vërtetë Franca, e konsideruar prej kohësh si një nga vendet më skeptike në lidhje me vaksinat, ka kapërcyer SHBA në proporcionin e popullsisë që është plotësisht e vaksinuar, 56 përqind kundrejt 50 përqind në SHBA dhe 58 përqind në Mbretërinë e Bashkua.

“Edhe në Itali, pati një rritje të mprehtë të rezervimeve të vaksinimit në 15 deri në 200 përqind në rajone të ndryshme italiane-pasi qeveria deklaroi se të pavaksinuar nuk do të lejoheshin të hynin në restorante dhe mjedise të tjera publike, thotë Anna Odone, profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin e Pavias. Ajo beson se vaksinimi i detyrueshëm është "zgjidhja e fundit në kohë urgjence ", por se është mjeti më efektiv në arsenalin e qeverive.

Sidoqoftë, disa ekspertë paralajmërojnë për dobësitë e fushatave të tilla, edhe nëse ato kanë një ndikim të menjëhershëm pozitiv.

"Ndërsa furnizimet me vaksina rriten në botën e zhvilluar, qeveritë po nxitojnë të vendosin stimuj dhe shpërblime për të rritur vaksinimer, pa menduar gjithmonë se pasojat që mund të ngurtësojnë pikëpamjet e atyre që hezitojnë," thotë profesori Heidi Larson, drejtor në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër.

Reicher vëren se stimujt vijnë gjithashtu me rreziqe. "Disa analistë shkencore sugjerojnë se ato mund të zvogëlojnë atë që quhet motivimi i brendshëm," thotë ai. "Me fjalë të tjera, ju vaksinoheni sepse merrni një shpërblim për, jo sepse besoni se është gjëja e duhur për t\u bërë."

Reagimet negative ishin të ashpra kur Këshilli i Qytetit të Liverpoolit ofroi bileta falas për një lojë futbolli për tifozët e vaksinuar kohët e fundit. Disa thanë se ishte e padrejtë të jepeshin çmime për ata që nguruan të vaksinoheshin.  "Shpërblejini miliona që e bënë vaksinën kur iu ofrua," shkroi një komentuese në Tëitter.

Në SHBA, universitetet ishin ndër institucionet e para që urdhëruan vaksinimin për stafin dhe studentët. Tani, disa shtete po zbatojnë sugjerimin e Presidentit Joe Biden për të ofruar 100 dollarë para në dorë për çdo qytetar që vaksinohet. Në Australi, partia opozitare ka bërë thirrje për stimuj prej 220 dollarë për ata që vaksinohen, një ide e refuzuar nga qeveria, duke e cilësuar "fyese" për ata që kanë marrë tashmë vaksinën.

"Unë mendoj se 100 dollarë janë shumë," thotë Larson. "Gjithashtu diskriminon ata që janë vaksinuar të parët."

Reicher pajtohet se mënyra më efektive e rritjes së numrit të të vaksinuarve kërkon angazhimin e komunitetit dhe jo "truket" e lira që po marrin  qeveritë. Zyrtarët e shëndetit publik duhet të marrin kohën për të adresuar shqetësimet në lidhje me vaksinën. "Shkoni te njerëzit në vend që t'i detyroni ata të vijnë tek ju, dëgjoni njerëzit dhe dëgjoni shqetësimet e tyre seriozisht në vend që t'i hidhni poshtë," thotë ai.

Disa ekspertë paralajmërojnë po ashtu se kërkimi i pasaportave të vaksinimit mund të përkeqësojë po ashtu ndarjet sociale, etnike dhe klasore. Marie Jauffret-Roustide, një sociologe e institutit kombëtar të kërkimit shëndetësor në Francë, ka frikë se njerëzit e pasur, të cilët kanë burimet për të udhëtuar dhe për të shkuar në restorante, po detyrohen të vaksinohen, ndërsa më të varfërit, të cilët shpesh janë ndër hezituesit për t’u vaksinuar, nuk po ndikohen sepse mënyra e jetesës së tyre nuk rrezikohet në të njëjtën mënyrë.

Megjithëse ajo mbështet urdhrin e Macron në një afat të shkurtër, Jauffret-Roustide beson se mesazhet e qarta dhe bindëse do të jenë shumë më efektive në planin afatgjatë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një hulumtim nga Zyra për Statistikat Kombëtare në fillim të këtij viti tregoi se nivelet e vaksinimit ishin më të ulëta tek njerëzit njerëzit me ngjyrë dhe ata që jetonin në zona më të varfra dhe ata që nuk kishin anglishten si gjuhë të parë.

Megjithëse fushatat e informacionit dhe stimujt e vaksinimit po tërheqin vëmendjen e publikut, shumë ekspertë thonë se mënyra më efektive për të bindur njerëzit të vaksinohen është ta bësh vaksinimit sa më të lehtë të jetë e mundur.

Në SHBA, kompanitë si Walmart, Google, Facebook, Tyson Foods dhe United Airlines kanë filluar të detyrojnë disa ose të gjithë punonjësit e tyre të vaksinohen.

Të tjera kompani kanë frikë se marrja e një qëndrimi kaq të ashpër mund të minojë edhe më shumë popullaritetin e vaksinave.  Për Shtëpinë e Bardhë dhe qeveritë e tjera, rreziku është që nëse ata u bëjmë më shumë presion politik qytetarëve për t’u vaksinuar, do të krijohet një reagim kundër-produktiv dhe të rrisë më shumë rezistëncën kundër vaksinimit./Financial Times/


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë