Nga Gazeta ‘Si’- Duke luajtur për herë të fundit në skenën më të madhe të futbollit, Lionel Messi dukej si kandidati perfekt për të dhënë edhe një moment të fundit magjik në finalen e Kupës së Botës.
Por, ndërsa dielli perëndonte mbi stadiumin New York New Jersey të dielën, realiteti filloi të bëhej gjithnjë e më i qartë: Argjentina kishte humbur atë magji që e kishte shoqëruar gjatë gjithë turneut.
Spanja gradualisht mori kontrollin e ndeshjes dhe në fund mbeti ndjesia se koha kishte mbaruar- si për Messin, ashtu edhe për Argjentinën-që u dorëzuan në një humbje 1-0.
Kjo finale ishte krejt ndryshe nga Argjentina që kishim parë në ndeshjet e tjera të Botërorit. Pothuajse në çdo takim, “La Albiceleste” kishte qenë skuadra më emocionuese e turneut, jo domosdoshmërisht për mënyrën si shënonte, por për momentin kur e bënte.

Ajo kishte kthyer disa ndeshje në drama të mëdha dhe kishte treguar një aftësi të jashtëzakonshme për të mbijetuar në situata të vështira.
Por ndaj Spanjës, gjithçka ndryshoi.
Finalet shpesh janë ndeshje që harrohen për mungesën e spektaklit, por kjo finale shkoi edhe më tej. Spanja ishte pothuajse perfekte në mbrojtje dhe, pas një pjese të parë pa shumë emocione, filloi të imponojë lojën e saj në pjesën e dytë, duke gjetur golin vendimtar në kohën shtesë.
Argjentina, ndërkohë, shkroi një rekord negativ: u bë skuadra e parë në historinë gati 100-vjeçare të Botërorit që nuk regjistroi asnjë goditje gjatë kohës së rregullt në një finale. Edhe 30 minutat shtesë nuk sollën ndryshim- kampionët në fuqi nuk arritën të kërcënonin seriozisht portën spanjolle.
Messi, për herë të parë pa shpëtim
Deri në këtë finale, Messi kishte ofruar një nga spektaklet më të rralla në sport: të shihje një legjendë që luante pa presionin e të provuarit më asgjë.
Në moshën 39-vjeçare, ai e kishte bërë tashmë gjithçka. Kjo humbje nuk prek aspak trashëgiminë e tij. Një fitore do ta kishte forcuar edhe më shumë pretendimin e tij si lojtari më i madh i historisë, por edhe pa të, karriera e tij mbetet e paprekshme.

Megjithatë, duhet pranuar: Messi ishte pothuajse i padukshëm në këtë finale. Shumë prej kësaj ishte meritë e Spanjës, e cila zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme taktike. Mbrojtja spanjolle nuk i dha hapësira dhe nuk e lejoi kapitenin argjentinas të ndikonte në lojë si në ndeshjet e mëparshme.
Spanja arriti atë që shumë ekipe nuk kishin mundur ta bënin: neutralizoi edhe Messin.
Fundi i një iluzioni
Për vite me radhë, koha dukej sikur nuk kishte fuqi mbi Messin. Në fushë ai shpesh e ndryshonte ritmin sipas dëshirës së tij, duke u shpëtuar mbrojtësve dhe duke krijuar momente që dukej sikur i përkisnin së kaluarës së tij te Barcelona.
Edhe në moshën 39-vjeçare ai kishte krijuar të njëjtën ndjesi: sikur koha nuk e kishte prekur.
Por kjo finale solli përballjen me realitetin. Epoka e Messit në Kupën e Botës ka përfunduar.
Ironikisht, e njëjta gjë ishte thënë edhe pas triumfit të tij në vitin 2022, kur ai udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të parë botëror pas gati katër dekadash. Edhe në vitin 2016, pas humbjes në finalen e Copa América, kur njoftoi përkohësisht tërheqjen nga kombëtarja, shumë dyshonin në lidhjen e tij me Argjentinën.
Sot, ato debate duken të largëta. Messi jo vetëm që u bë lideri i Argjentinës, por i dha vendit të tij trofeun më të madh.
Një fund i hidhur për një histori të bukur
Edhe Lionel Scaloni e kishte siguruar trashëgiminë e tij përpara kësaj finaleje. Ai i dha Argjentinës një Kupë Bote dhe dy Copa América. Por kjo ndeshje mbetet një mundësi e humbur për ta mbyllur në mënyrë perfekte një epokë.
Në fund, ajo që mbetet është një ndjenjë zhgënjimi. Argjentina dhe Messi kishin mundësinë perfekte për t’i dhënë fund përrallës së tyre me një tjetër kapitull legjendar.
Por në vend të kësaj, në finalen e fundit, heronjtë u shfaqën për herë të parë njerëzorë. Spanja ua mbylli derën dhe i detyroi të përballeshin me atë që futbolli nuk e fal askënd: fundin e kohës./ The Guardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje