Interviste

Si po “vidhen” paratë e studentëve

Nga Anxhela Çelanji-Gati tri dekada pas shembjes së diktaturës, dhjetori duket se është bërë sërish “muaji i studentëve”, pasi mijëra të rinj kanë dalë së fundmi në rrugët e qyteteve kryesore të vendit duke kërkuar të drejtat e tyre.
Edhe pse kjo revoltë ishte e papritur për shumicën e qytetarëve, nuk ishte aspak një surprizë për drejtorin ekzekutiv të organizatës “Qëndresa Qytetare. Ai kishte ngritur prej kohësh alarmin për kushtet e mjerueshme në të cilat ndodhen studentët shqiptarë dhe vetëm dy javë më parë paraqiti një raport për korrupsionin në universitetet shqiptare.
Në një intervistë për gazetës “Si”, Rigels Xhemollari tregon me detaje se si menaxhohet buxheti në universitete. Sipas tij, shuma marramendëse të cilat janë deklaruar në buxhetin e shtetit me arsyen se do të përdoren për të mirat materiale të universiteteve, në të vërtetë kanë shërbyer për “ ngopur” egon e rektorëve dhe dekanëve.
“Nga gjetjet tona kryesore kanë qenë dhe disa shpenzime luksi që disa nga rektorët apo administratorët i kanë shpenzuar për përfitimet e tyre, duke blerë makina super të shtrenjta që nuk i kanë as ministrat në Evropë” është shprehur ai

 Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i organizatës "Qëndresa Qytetare"

Si menaxhohet buxheti nga universitetet? Sipas studimit tuaj ku kanë shkuar paratë që merren nga buxheti i shtetit ?

Raporti mbi korrupsionin ka qenë raporti i nivelit pedagog student, shitje të notës, shitje të librave dhe me rralle.
Ne kemi monitoruar 3 universitete, të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, gjatë vitit akademik 2017-2018 se si shpenzohen paratë. Qoftë paratë nga buxheti i shtetit, qoftë paratë nga tarifa e studentëve, për të zbuluar se paratë që jepnin studentët shkonim për shërbime për ta apo për gjëra të tjera dhe ajo që ne kemi zbuluar është se jemi para faktit se tre universitetet e monitoruara kanë shpenzuar 0 lekë për kërkim shkencor. Qëllimi i universitetit është të prodhojë artikuj shkencorë, por këto universitete nuk shpenzojnë asnjë lekë për kërkimin shkencor.
Universiteti i Tiranës ka vonuar bursat për studentët deri në një vit për shkak të problematikave administrative që kanë pasur në bordin e tyre. Gjithashtu të tre universitetet kanë shpenzuar shuma marramendëse porsa i përket sigurisë së godinave. Kanë lidhur kontrata me kompani sigurimi deri në 200-300 mijë euro në vit, që do të thotë se jo vetëm këtu ka korrupsion, sepse ajo çfarë studentët shohin është vetëm një roje te dera. Këto kompani ruajnë disa godina me student brenda, që janë boshe. Ne nuk kemi laborator, biblioteka të pasura, sistemi ngrohje ftohje për student. Në momentin që një universitet harxhon sa një bankë për të siguruar godinën në mendojmë se këtu ka korrupsion. Gjithashtu nga gjetjet tona kryesore kanë qenë dhe disa shpenzime luksi që disa nga rektorët apo administratorët i kanë shpenzuar për të blerë makina super të shtrenjta që nuk i kanë as ministrat në Evropë. Kanë shpenzuar për zyrat e tyre. Gati një miliardë lekë ka shpenzuar universiteti i Durrësit për të restauruar zyrat e administratës, ndërkohë që në auditorë studentët nuk kanë kushte. Pra, paratë e studentëve nuk kanë shkruar për studentët por, për ofiqe. Kjo është ajo që zbulojmë në nivel makro, që do të thotë se përfshirja e ministrisë në këto universitete, është prezente. Kemi dëgjuar kohët e fundit, për shkak të protestës se ministria ka hequr dorë nga universitetet por, nuk është e vërtetë pasi bordet e administrimit që vendosin për paratë kontrollohen nga ministria.

Protesta e studentëve

Nga pyetësorët dhe sondazhet, cilat janë problematika e tjera që hasin studentët?

Një problem tjetër i madh i studentëve shqiptarë është që studenti, nuk ka të drejta individuale brenda universitetit. Duhet që sipas ligjit të organizohen në këshill studentor, por në shumicën e rasteve këshilli studentor emërohen nga rektori ose kapen nga partitë, nuk ka zgjedhje të ndershme për studentët. Problematika e dytë që e frenon pjesëmarrjen e studentëve në vendimmarrje është pesha e tyre e votës brenda universitetit. Sipas ligjit të arsimit të lartë studentët kanë 10% së peshës së votës në zgjedhjet e universitetit. Për shembull, për të zgjedhur dekanin, rektorin dhe kështu me radhë. Duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2006, studentët nuk kanë vendosur për asnjë dekan dhe kështu si do e ketë frikë dekani dhe senati, disa studentë që nuk vendosin për asgjë. Kjo lidhet me kërkesën e llogarisë nga ana e studentëve drejt strukturave universitare. Nuk është problemi të zgjidhim tani çështjen e tarifës dhe të dalim pastaj në rrugë për një problematikë tjetër, ajo që duhet të zgjidhet është në nivel politik dhe studentët duhet të përfshihen në vendimmarrjen e universitetit dhe të jetë një vendimmarrje e hapur.


Sipas vëzhgimeve që kryet, cili ishte universiteti më problematik për sa i përket korrupsionit?

Universiteti me problematik për mendimin tim ishte Tirana, siç ju thashë kishte një portal që kushtonte miliona euro dhe nuk funksiononte, ishte një universitet që nuk ju dha bursa studentëve. Si do e shtynin muajin studentët që kanë nevojë për një bursë? Ishte një universitet që kishte paguar 450 milion lekë të vjetra për të dëmshpërblyer ata që janë hequr padrejtësisht nga puna me lekët e studentëve. Pra ka disa tregues që janë absurd, që nuk duhet të ndodhin dhe që studentët duhet t’i dinë në mënyrë që nesër të ketë një reagim për çdo investim që bëhet në universitet. Pra nëse bordi vendos të investojë për një bibliotekë studentët duhet ta shikojnë ku ndodhet biblioteka, çfarë përmban. Nëse e vendosim si shifër politike që janë bërë investime për universitetin, atëherë nuk kemi parë asgjë sepse studentët duhet ta dinë dhe duhet ta prekin atë shërbim.

Një ndër problematikat që është shfaqur nga disa studentë është dhe vonesa e diplomave. Ka raste që shumë studentë nuk janë regjistruar në master për shkak se kishin vonesa te marrjes së diplomës, ju e keni hasur këtë problem në gjetjet tuaja?

Kjo është një problematike që ne e kemi pare të universiteti i Durrësit dhe i Tiranës. Tenderi që hartohet dhe lidhet midis universitetit dhe kompanisë që bën kartonët, ka qenë arsyeja publike për të cilën universiteti është përgjigjur pse ka ndodhur kjo gjë, por në atë që kuptojmë ne arsyeja kryesore është që universitetet kanë dashur t’i mbajnë studentët brenda vetes, që të paguajnë aty tarifën e masterit e cila shkon deri në 2 milion lekë të vjetra. Gjejnë shumë arsye për ti mbajtur aty. Marrëveshja e heshtur mes universiteteve është që ti mbajnë studentët nën vete, ti lidhin me kartonin. Studentët kanë paguar për kartonin dhe vazhdojnë të paguajnë, por nuk marrin shërbimin e duhur.

Besoni se pas studimit tuaj dhe protestës do të ndryshojë diçka?

Ka vetëm dy zgjidhje! Nëse do të ndryshohet vetëm çështja e VKM dhe studentët do të shkojnë prapë në universitete, nuk do të ndryshojë asgjë. Nëse do të ketë reflektim, nëse do të ketë transparencë, dorëheqje, do të ketë rishikim të ligjit, do ketë propozime për një model të ri universitar atëherë ka shpresë që të ndryshojë gjithçka. Tani çështja është vetëm në dorë të studentëve. Nëse ata do kënaqen me pikën katër të VKM dhe do të shkojnë në shtëpi unë mendoj se nuk ka shpresë. Studentët janë më të fortë dhe mund të ndryshojnë gjërat gradualisht.

A e besoni premtimin e kryeministrit mbi restaurimin e konvikteve në qytetin studenti?

Deklaratat politike i shkojnë kursit politik të qeverisë dhe kush nga qeveritë nuk do të donte të minimizonte protestat kundër saj. Dje ministria tha që shumë mirë që u ndërgjegjësuan studentët, ne po i dhunonim por po prisnim që të ndërgjegjësoheshin që të reagonin, pra çfarë do thonë ata. Projekti për restaurimin ka që në 2016 brenda sirtarëve shtetërorë dhe nuk është zbatuar. Tani që u vendos nga kryeministri që të zhvillohet, të shohim se çfarë do të ndodhë. Do vidhen edhe këto para apo do shkojnë për studentët. Si mundemi ne të presim që ky brez do të drejtojë Shqipërinë, në kushtet që arsimohen.

A mendoni se studimi që keni prezantuar mund të ketë qene një faktorët juaj që ka nxitur protestën?

Ne kemi dy vjet që shkojmë te studentët dhe ju themi, pse shpenzohen paratë e tyre, si të denoncojnë pedagogët e korruptuar, i informojmë se cila është rruga për adresimin kur detyrohen të blejnë libra me dhunë dhe pika katër e VKM e cila u bë shkak për protestën për mendim tim ishte pika e vlimit e gjithë problematikave që kanë gjithë studentët brenda auditorëve. Nuk ishte kjo arsyeja kryesore e protestës, e shohim dhe tani sepse ministria u tërhoq për këtë pikë dhe studentët vazhdojnë të protestojnë, kështu që studentët protestojnë për kushte më të mira, për shërbime më shumë për uljen e tarifave që nuk përdoren për to. Duhet të theksojmë se në universitetet publike nuk kemi internet pa pagesë, biblioteka online. Në universitetin e Tiranës ne kemi zbuluar se sistemi informativ ka kushtuar miliona euro për t’u ndërtuar dhe sot nuk funksionon. Vetëm mirëmbajta e tij ishte 500 milion lekë të vjetra në vit, ndërkohë që sot studentët shkojnë mbrapa derës së pedagogut dhe sekretares për të mësuar notën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë