Analize

Si po i shërben Izraeli dhe Kosova Donald Trump për zgjedhjet presidenciale?

Mënyra sesi presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi marrëveshjen Serbi-Kosove, duke e cilësuar si një "ditë e madhe për paqen në Lindjen e Mesme" tregon se audienca e tij, nuk ishte në Ballkan, madje as në Lindjen e Mesme, por në SHBA.

Ndërkohë që përgatitet për zgjedhjet presidenciale, Trump duket se ka nxjerrë nga mënga letra të rëndësishme: marrëveshjen, Izrael-Emiratet Arbae, Izrael-Bahrein dhe atë Kosovë-Serbi. Por edhe pse në pjesë të ndryshme të botës, këto vende duket se janë të lidhura në të njëjtën nyjë në agjendën politike të Donald Trump.

Administrata e tij i cilësoi këto pakte si marrëveshje historike që do të çojnë në rritjen e bashkëpunimit dhe paqes në rajonet e tyre. Por mënyra sesi këto marrëveshje u “shitën” nga administrata Trump të japin ndjesinë dhe qëllimin e një ngjarjeje fushate.

Në prag të zgjedhjeve, Trump duket se po përpiqet ta paraqesë veten si “njeriu i paqes”, duke u nominuar dy herë për çmimin Nobel, njëeherë për marrëveshjen Izrael-Emiratet e Bashkuara Arabe dhe njëherë me Kosovën dhe Serbinë.

Bahreini njoftoi të premten njohjen zyrtare të Izraelin, duke i dhënë Trump një tjetër fitore të madhe në Lindjen e Mesme. Ishte vetë presidenti ai që njoftoi marrëveshjen pas një telefonate trepalëshe që kishte patur me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Mbretin e Bahreinit Hamad bin Isa Al Khalifa. Të tre udhëheqësit publikuan gjithashtu një deklaratë të shkurtër të përbashkët me gjashtë paragrafë, ku e konfirmonin marrëveshjen. "Një tjetër përparim historik sot!" shkroi Presidenti Trump në Twitter.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë duket se po arrin në fakt diçka që paraardhësit e tij ishin munduar t’i jepnin zgjidhje prej vitesh: njohjen e Izraelit në Lindjen e Mesme dhe njohjen e Kosovës. Por këto arritje, të gërshetuara së bashku, duket se i shërbejnë më shumë Trump, sesa Izraelit dhe Kosovës.

Zyra Ovale dukej si një skenë nga ish-shfaqja televizive e Trump The Apprentice. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti, të ulur secili në në krah të Trump, u cilësuan si udhëheqës me vizion dhe iu dhanë miliona dollarë kredi për ndërtimin e hekurudhave dhe rrugëve. Edhe pse marrëveshja mund të nxisë Kosovën dhe Serbinë përgjatë rrugës së gjatë drejt lidhjeve të normalizuara, qëllimi kryesor i saj u bë i qartë pasi Trump dhe ndihmësit e tij e shien marrëveshjen në media në mënyrë që t’i shërbente fushatës presidenciale. Ndërsa boja e marrëveshjen ishte akoma duke u tharë, Presidenti e njoftoi atë si një fitore jo për Serbinë dhe Kosovën, por për Izraelin dhe fqinjët e saj arabë.

Deklarata për njohjen e Izraelit nga Emiratet e Bashkuara Arabe në fillim të shtatorit të japin perceptimin se Kosova është diku në Lindjen e Mesme dhe e identifikon veten si një shtet mysliman.

Shumica e amerikanëve nuk e dinë se ku ndodhen Kosova dhe Serbia, e lëre më çështjet që i ndajnë ato. Por audienca e synuar është një pjesë e votuesve amerikanë, përkatësisht, komunitetet hebraike në Florida dhe Pensilvani dhe shqiptarët në Miçigan.

Sipas një sondazhi të fundit të CNBC / Change Research, Presidenti Trump aktualisht po humbet përballë rivalit të  tij demokrat Joe Biden me 46 dhe 49 për qind në Florida, 46 me 50 për qind në Pensilvani dhe 43 dhe 49 për qind në Miçigan.

Komuniteti hebre në SHBA kanë votuar tradicionalisht demokratët, por politika e jashtme ndaj Izraelit mbetet një shqetësim kryesor. Trump shpreson që njohja e Izraelit nga një tjetër vend i ashtuquajtur mysliman, Kosova, do të bindë mjaft votues hebrenj për t'i dhënë atyre një shtytje kritike. Në vitin 2016, Trump fitoi Pensilvaninë me një diferencë prej 0.72 për qind dhe Floridan me 1.2 për qind.

Në Michigan, të cilin Trump e mori në vitin 2016 me 10,704 vota, udhëheqësit e komunitetit shqiptar me lidhje me Kosovën pretendojnë se kanë afërsisht 32,000 votues të regjistruar, përfshirë pronarë të bizneseve të vogla.

Nënpresidenti Pence dhe udhëheqës të tjerë të lartë të qeverisë u takuan në maj me një grup të quajtur Shqiptaro-Amerikanët për Trumpin dhe i siguroi ata që SHBA do të marrë parasysh shqetësimet e tyre, veçanërisht në lidhje me ndarjen e Kosovës, në çdo marrëveshje përfundimtare Serbi-Kosovë.

Me çështjen e ndarjes së Kosovës që duket së është lënë mënjanë, dhe premtimin e ndihmës ekonomike shumë të nevojshme për Kosovën të përfshirë, Trump shpreson që mjaft votues shqiptarë do të binden të votojnë për të.

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Trump janë kredencialet e tij të diskutueshme të politikës së jashtme dhe pretendimi i tij për të qenë një negociator i shkëlqyer. Marrëdhëniet midis SHBA dhe Europës kanë shkuar keq e më keq dhe Trump ka shprehur përbuzje për liderët europianët.

Marrëveshja Serbi-Kosovë e ndihmon Trumpin të argumentojë se ai bëri përparim atje ku Europa dështoi dhe pastroi rrëmujën që demokrati Bill Clinton la pas, pasi NATO ndërhyri në Kosovë 21 vjet më parë.

Rajoni i Ballkanit është i brishtë dhe një sërë vendesh janë në prag zgjedhjesh dhe rrezikojnë të kthehen në “shtete të kapura”. Edhe pse një pjesë e zgjidhjes për të forcuar demokracinë është që Bashkimi Europian të përshpejtojë procesin e pranimit, është e vështirë që kjo do të ndodhë duke pasur parasysh ndarjet dhe trazirat aktuale të brendshme të BE. Në këto kushte, angazhimi i SHBA është thelbësor për të promovuar stabilitetin në rajon.

Trump bëri një hap dhe u angazhua përsëri, por thjesht me kushtet e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë