Analize

Si po e kërcënon demokracinë Inteligjenca Artificiale?

Lançuar pak javë më parë, ChatGPT po kërcënon të ndryshojë mënyrën se si ne hartojmë komunikimet e përditshme si e-mailet, esetë dhe një mori formash të tjera të shkrimit.

Krijuar nga kompania OpenAI, ChatGPT është një chatbot që përgjigjet automatikisht në shkrime shumë të ngjashme me të njerëzve.

Por me gjithë shqetësimin mbi potencialin që njerëzit të zëvendësohen nga makineritë në formate si poezia dhe skenaret e telenovelave, ekziston një kërcënim shumë më i madh: Inteligjenca Artificiale zëvendëson njerëzit në proceset demokratike, jo përmes votimit, por përmes lobimit.

ChatGPT mund të procesojë automatikisht komente për proceset rregullatore. Mund të shkruajë editoriale për publikim. Mund të komentojë në artikuj lajmesh, blogje dhe media sociale, miliona herë në një ditë.

Mund të imitojë punën që Agjencia Ruse e Kërkimeve të Internetit bëri në përpjekjen e saj për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-s në SHBA, por pa pasur nevojën e buxhetit prej miliona dollarësh të agjencisë dhe qindra punonjësve të dedikuar.

Komentet e gjeneruara automatikisht nuk janë problem i ri. Pesë vite më parë, 1 mln komente të gjeneruara automatikisht u dërguan në Komisionin Federal të Komunikimit, për një draftligj rreth neutralitetit në rrjet.  Në vitin 2019, një student i Harvardit, si test, përdori një program të gjenerimit të tekstit për të paraqitur 1001 komente në përgjigje të një kërkese të qeverisë për të dhëna publike për një çështje të Medicaid. Në atë kohë, dërgimi i komenteve ishte vetëm një lojë me numra të mëdhenj.

Platformat sociale kanë bërë punë të mirë në eliminimin e sjelljeve joorigjinale. Facebook, p.sh, ka hequr mbi 1 mld llogari false në një vit. Por mesazhe të tilla janë vetëm fillimi. Në vend që të vërshojnë në email-et e ligjvënësve ose të dominojnë centralin e Kapitolit me thirrje zanore sintetike, një A.I. sistemi me sofistikimin e ChatGPT,  i trajnuar mbi të dhënat përkatëse, mund të synojë në mënyrë selektive ligjvënësit dhe personazhe me ndikim për të identifikuar pikat më të dobëta në sistemin e politikëbërjes dhe t'i shfrytëzojë ato në mënyrë të pamëshirshme përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, fushatave të marrëdhënieve me publikun, tregtisë ose pikave të tjera.

Kur njerëzit e bëjnë këtë, ne e quajmë lobing. Agjentët e kësaj fushe shkruajnë mesazhe me strategji të zgjuara piketimi. Tani, e vetmja gjë që e ndalon një ChatGPT të lobojë është mungesa e piketimit, targetit. Por edhe për të A.I mund të gjejë zgjidhje.

Një sistem që mund të kuptojë rrjetet politike, nëse kombinohet me aftësitë e gjenerimit të tekstit të ChatGPT, mund të identifikojë një anëtar Kongresi me ndikimin më të madh në një fushë të caktuar politike - të themi, taksat e korporatave ose shpenzimet ushtarake. Ashtu si lobuesit njerëzorë, një sistem i tillë mund të synojë përfaqësues të pavendosur që ulen në komisione që kontrollojnë politikën e interesit dhe më pas t'i përqendrojë burimet te anëtarët e partisë së shumicës kur një projekt-ligj shkon në votim p.sh.

Kur individët dhe strategjitë identifikohen, A.I krijon mesazhe që përdoren në letra, komente apo kudo që duhet tekst. Lobuesit njerëz mund të targetojnë individët drejtpërdrejtë. Kombinimi ka rëndësi.

Kjo aftësi për të kuptuar dhe synuar aktorët brenda një rrjeti do të krijonte një mjet për hakërrim nga A.I., shfrytëzimi i dobësive në sistemet sociale, ekonomike dhe politike me shpejtësi dhe shtrirje të jashtëzakonshme. Sistemet legjislative do të ishin një objektiv i veçantë, motivi për të sulmuar sistemet e politikëbërjes është kaq i fortë, sepse të dhënat për trajnimin e sistemeve të tilla janë të disponueshme dhe sepse përdorimi i A.I. mund të jetë i vështirë për t'u zbuluar - veçanërisht nëse përdoret në mënyrë strategjike për të udhëhequr aktorët njerëzorë.

Të dhënat do të jenë gjithmonë e më shumë të disponueshme.  Shoqëritë e hapura në përgjithësi i bëjnë proceset e tyre demokratike një çështje publike, dhe shumica e ligjvënësve janë të etur – të paktën, në mënyrë performuese – të pranojnë dhe t'u përgjigjen mesazheve që duket se janë nga zgjedhësit e tyre.

A.I. mund të lobojë më shpejt dhe më lirë nga njerëzit.

Fleksibiliteti i A.I. mund të ndihmojë në arritjen e ndikimit në shumë politika dhe juridiksione njëkohësisht. Imagjinoni një firmë lobimi të asistuar nga A.I. që mund të përpiqet të vendosë ndikim në çdo projektligj që lëviz në Kongresin e SHBA, apo edhe në të gjitha legjislaturat e shtetit. Firmat lobuese priren të punojnë vetëm brenda një shteti, sepse ka ndryshime komplekse në ligje, procedura dhe strukturë politike. Me A.I. ndihma në lundrimin e këtyre variacioneve, mund të bëhet më e lehtë për të ushtruar pushtet përtej kufijve politikë. Ashtu si mësuesit do të duhet të ndryshojnë mënyrën se si u japin studentëve provime dhe detyra ese në prezencën e ChatGPT, qeveritë do të duhet të ndryshojnë mënyrën se si ata lidhen me lobuesit.

Sigurisht, mund të ketë edhe përfitime nga kjo teknologji në hapësirën e demokracisë; më i madhi është aksesueshmëria. Jo të gjithë mund të përballojnë një lobues me përvojë, por një sistem A.I. mund të vihej në dispozicion të kujtdo. Nëse jemi me fat, ndoshta ky lloj A.I që gjeneron strategji mund të rigjallërojë demokracinë duke i dhënë këtë lloj pushteti lobimi të pafuqishmëve.

Megjithatë, A.I do të përdoret më shumë nga institucionet më të mëdha dhe më të fuqishme. Në fund të fundit, ekzekutimi i strategjisë më të mirë të lobimit kërkon ende të brendshëm, njerëz që mund të ecin nëpër sallat e legjislaturës , dhe para. Lobimi nuk ka të bëjë vetëm me dhënien e mesazhit të duhur personit të duhur në kohën e duhur; ka të bëjë gjithashtu me dhënien e parave personit të duhur në kohën e duhur. Dhe ndërsa një A.I. chatbot mund të identifikojë se kush duhet të marrë kontributet e fushatës, paratë do t’i dërgojnë njerëzit. Pra, ndërsa është e pamundur të parashikohet se si do të jetë e ardhmja me lobues A.I, ndoshta do t'i bëjë edhe më të fuqishëm ata që janë tashmë.

Burimi:New York Times/ Përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë