Ngjarje

Si përfundoi me armë në Libi anija shqiptare që theu embargon

Rebelët libianë që nuk njohin qeverinë tranzitore të Tripolit kanë bombarduar një anije në portin e kryeqytetit libian ditën e martë më 18 shkurt. Lajmi u shpërnda fillimisht nga mediat vendase dhe më vonë nga televizionet arabe.

Këto media thanë fillimisht se anija ishte turke e nisur nga porti i Mersinit në Turqi dhe e ngarkuar me armë e municione për trupat e qeverisë tranzitore, të mbështetura nga Erdogan kundër rebelëve të gjeneralit Khalifa Haftar.

Por, qeveria tranzitore e Tripolit reagoi përmes një komunikate të shkurtër të përcjellë edhe nga mediat turke, duke deklaruar se anija e bombarduar nga rebelët në port as ishte turke dhe as transportonte armë. Mustafa al-Mujie, një zëdhënës i operacionit “Zemërimi i Vullkanit, një fushatë ushtarake e forcave qeveritare kundër trupave të gjeneralit Haftar, tha se nga sulmi me predha janë dëmtuar një sërë anijesh tregtare, duke deklaruar se porti përdoret vetëm për qëllime civile.

Emri i anijes u zbulua më vonë. Bëhej fjalë për transportuesen “Ana”, e regjistruar me flamur shqiptar dhe identifikuar me numër unik “IMO: 7369118” nga organizata ndërkombëtare e transportit detar, si pronë e një kompanie shqiptare. Anija është nisur pasditen e 9 shkurtit nga porti i Mersinit në Turqi. Këtu ekuipazhi shqiptar i anijes ka zbritur në tokë dhe mjeti është marrë në dorëzim nga një ekuipazh turk.

Këtu dyshohet se anija është ngarkuar me armë dhe municione, me destinacion Libinë, e cila është nën një embargo armësh nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por, më 18 shkurt anija është bombarduar nga forcat rebele dhe pak pas orës 22:00 ka fikur sinjalin satelitor të lokalizimit.

“Marine Traffic” thotë se për herë të fundit sinjali i anijes “Ana” është marrë nga porti i Tripolit, ndërkohë që mbetet e ende e paqartë se çfarë transportonte dhe nëse nga sulmi ka viktima.

Më Shumë