Filma

Si një film për eksperimentimin e alkoolit u bë një festë për jetën

Në sezonin më të larmishëm të çmimeve të filmit deri më sot, një film danez rreth katër miqve të bardhë të moshës së mesme që eksperimentojnë me alkoolin, është bërë një nga historitë më të mëdha të suksesit.

“Another Round”, me regji nga Thomas Vinterberg dhe me aktorë protagonist, Mads Mikkelsen, fitoi katër Çmime Europiane të Filmit në dhjetor.

Është nominuar për katër çmime Bafta, duke përfshirë regjisorin më të mirë dhe aktorin më të mirë për Mikkelsen, dhe gjithashtu është për dy Oskar, në kategorinë e regjisë më të mirë.

Megjithatë, regjisori thotë se çdo çmim që filmi fiton, si vetë filmi, është në kujtim të vajzës së tij adoleshente, Ida, e cila vdiq në një aksident automobilistik, katër ditë pasi filloi xhirimi. 19-vjeçarja do të merrte pjesë në këtë film.

“Ky film është jashtëzakonisht i veçantë për mua sepse unë humba vajzën time, ndërsa bëja filmin dhe kështu e bëmë për të, për të nderuar kujtimin e saj”, shpjegon ai. “Ajo e donte dhe e adhuronte projektin, dhe kështu çdo shkëlqim që merr, është një shkëlqim për të”.

“Në fillim ishte pothuajse e pamundur të vazhdonim, të gjithë u shkatërruam. Mënyra e vetme për të vazhduar ishte ta bëja atë. Kjo është arsyeja pse emri i vajzës sime është në fund të filmit. Kjo më dha një arsye për t'u ngritur në mëngjes, sepse po bëja diçka për të. Ishte diçka domethënëse, edhe pse gjithçka dukej e pakuptimtë”, vijon më tej regjisori.

Regjisori shton se rrethanat e bërjes së filmit “e bënë atë më madhështor”.

“Filloi si film për alkoolin dhe miqësinë, dhe më pas kishim një ambicie për të ngritur një raund tjetër për jetën. Jo vetëm të jesh gjallë, por të jetosh. Filmi zhvillohet në klasën e saj në mesin e miqve të Ida-s, në shkollën e tyre, dhe është një festë e rinisë disi, dhe jetës në të cilën ajo ishte”.

Bashkëshkruar me skenaristin danez, Tobias Lindholm, “Another Round”, e sheh Mads Mikkelsen të luajë Martin, një mësues historie, i cili së bashku me kolegët e tij Tommy, Peter dhe Nikolaj (luajtur nga Thomas Bo Larsen, Lars Ranthe dhe Magnus Millang) kryejnë një eksperiment për të parë nëse alkooli mund t’i ndihmojë ata të zbulojnë gëzimin e humbur dhe shkathtësinë mendore të rinisë së tyre.

Katër miqtë mësues të luajtur nga Lars Ranthe, Thomas Bo Larsen, Mads Mikkelsen dhe Magnus Millang

Shkrimtarët u frymëzuan nga një teori e paraqitur nga psikologu norvegjez, Finn Skårderud, se njerëzit lindin me një mungesë 0,5 të nivelit të alkoolit në gjak.

“Nëse do ta kishim atë, me fjalët e tij, kjo do të rrisë kreativitetin, guximin dhe frymëzimin”, thotë Vinterberg.

Unë gjithashtu shikova historinë botërore dhe pranova dhe shijova faktin se një sasi e madhe arritjesh të mëdha janë bërë nga njerëz që mund të kenë qenë të dehur në atë kohë.

“Tobias Lindholm dhe unë e gjetëm interesante, që alkooli, i cili është i pranuar shoqërisht, mund të lartësojë njerëzit dhe të lartësojë situatat, por gjithashtu vret njerëz dhe shkatërron familje në të njëjtën kohë.

“Ne donim të krijonim një haraç për alkoolin, por kuptohet se ne gjithashtu donim të krijonim një pamje të nuancuar. Ne kurrë nuk dëshironim të ishim moralistë për pirjen, por gjithashtu nuk donim të bënim një reklamë alkooli”.

Regjisori shton se “seti i filmit ishte plotësisht i thatë, pa alkool atje”.

“Por në kohën e përgatitjes, gjatë provave, ne luajtëm pak të pirë, për procesin e hulumtimit”.

Pjesa më e madhe e filmit zhvillohet në klasën e vajzës së ndjerë të Thomas Vinterberg, Ida

“Mads është një aktor kaq i akorduar, ai është si instrumenti më i mirë që mund të merrni në një orkestër, unë mendoj se kemi arritur shumë larg dhe kjo është falë tij. Ky film provon diapazonin e tij, nga të qenit një njeri i shkatërruar në prag të depresionit, dhe duke përfunduar siç do ta shihni, në një kërcim. Kjo tregon forcën e tij si aktor. Është mahnitëse ajo që ai ka bërë”, vijon më tej ai.

Filmi ishte një hit në Danimarkë kur kinematë u hapën vitin e kaluar - gjë që regjisori thotë se ishte një lehtësim, “pasi isha nervoz nga një film i mbushur me lëngje, pije pa kuptim dhe vallëzim në një botë të mbylljes dhe krizës financiare”.

“Ne kishim të rinj të moshës 19 vjeç që do ta shihnin për herë të katërt dhe pranë tyre kishit alkoolistë anonimë që kanë frikë se ky film ka të bëjë me ta”, shpjegon regjisori.

Profili i lartë i një “Another Round” është një histori suksesi për kinematografinë e pavarur europiane në një kohë kur e ardhmja e saj duket e pasigurt, pas një viti kinemash kryesisht të mbyllura. Vinterberg u jep nderime organizatave të tilla si Academy Awards për të vazhduar me ceremonitë e tyre.

“Ata po luftojnë për kinemanë dhe për këto gjëra që të kërkojnë vëmendje dhe të hedhin dritë mbi të”, - thotë ai, - “dhe megjithëse mund të mos kenë sukses si në ditët para bllokimeve, unë mendoj se ata meritojnë ovacione për të gjithë punën që ata bëjnë”.

“Unë kurrë nuk kam fituar një Oskar. Unë do të isha shumë krenar nëse do të fitoja dhe do të mendoja shumë për vajzën time. Ky film i veçantë do të thotë më shumë për mua se çdo film tjetër që kam bërë. Dhe ai tashmë është përqafuar shumë, pasi ndjej se po nderon kujtimin e saj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë