Gazeta “SI”- Viti 2026 hapet me ngjarje të rëndësishme për jetën kulturore shqiptare, duke sjellë në qendër të vëmendjes Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Teatrin Kombëtar, Cirkun dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Në TKOBAP, muzika simfonike vjen që në fillim të vitit me një koncert të veçantë kushtuar Dvořák dhe Mendelssohn, ku në skenë ngjiten dy talente të rralla të skenës ndërkombëtare. Vetëm 19 vjeç, dirigjentja ukrainase Olha Dondyk shënon një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj, pas debutimit në janar 2024 me Orkestrën Filarmonike të Roterdamit.
Anëtare e Akademisë La Maestra në Paris dhe gjysmëfinaliste e Konkursit Ndërkombëtar të Dirigjimit La Maestra 2024, ajo është vlerësuar me një Titull të Veçantë nga ECHO, duke u konsideruar si një nga zërat më premtues të brezit të ri të dirigjentëve.

Në të njëjtën mbrëmje, publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë violonçelistin francez Victor Julien-Laferrière, i cilësuar nga revista Diapason si “një nga talentet më të besueshme të brezit të ri të violonçelistëve francezë”. Fitues i Çmimit të Parë të Konkursit Mbretëresha Elisabet në vitin 2017 (viti i parë i dedikuar violonçelit), ai është gjithashtu laureat i Konkursit Ndërkombëtar Prague Spring dhe fitues i çmimit Victoire de la Musique 2018 si Instrumentist Solist i Vitit.
Ndërkohë, Teatri Kombëtar nis sezonin 2026–2027 me një program të pasur dhe të larmishëm gjatë gjithë muajit janar, duke përfshirë shfaqje për fëmijë, drama bashkëkohore dhe produksione nga teatrot kombëtare e rajonale. Shfaqje si “And’rrra e Nan’ Terezës”, “24 orë nga jeta e një votuesi” dhe “Det i thellë blu” e kthejnë skenën teatrale në një hapësirë dinamike dialogu me publikun. Po ashtu Cirku Kombëtar vjen në këtë prag viti me shfaqjen “Piter Pan” e cila do të shfaqet për publikun në datat 5-6-7-8-9 Janar.

Po në fillim të vitit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të organizojë ceremoninë e përvitshme të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, ku do të vlerësohen autorët dhe veprat më të spikatura të vitit 2024. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore mbetet një moment kulmor për letërsinë shqipe, duke nxitur krijimtarinë, leximin dhe dialogun mes autorëve, kritikës dhe publikut.
Me një program të pasur që përfshin muzikën, teatrin dhe librin, institucionet kulturore kombëtare e nisin vitin 2026 me një kalendar aktivitetesh që së paku në nisje premton një vit dinamik për artin dhe kulturën në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




