Ekskluzive

Si në politikë! Nis fushata për në SPAK, aritmetika e votave dhe kush i mbështet 3 kandidatët që duan të zëvendësojnë Krajën

Nga Gazeta Si - Këtë të mërkurë në orën 24:00 mbyllet gara për kreun e SPAK, pasi në 19 dhjetor i përfundon mandati tre vjeçar Arben Krajës i cili premtoi mbas marrjes së stafetës si kryeprokuror i posaçëm se do ishte i ashpër me këdo që do shkelte ligjin.

Por nga hapja e siparit prej Këshillit të Lartë të Prokurorisë ( ashtu siç Gazetasi.al pati paralajmëruar), jo vetëm pati një stepje për konkurrimin, por edhe emrat ishin ata që u përfolën korridoreve të këtij institucioni.

Dy nga konkurrentët garuan edhe gjatë mandatit të parë.

Me një mandat 9 vjeçar si prokuror i posaçëm Altin Dumani kërkoi ta drejtonte SPAK edhe gjatë 2019. Ai përshkruhej në atë kohë si prokurori që donin ndërkombëtarët, por ai mori dy vota më pak sesa Arben Kraja, të cilit gjashtë anëtarë i dhanë votëbesimin duke i dhënë fitoren automatike.

 I konsideruar nga anëtarët e atëhershëm të KLP si prokurori me dy universitete, Arben Kraja premtoi se do ishte i ashpër për këdo që shkel ligjin. Nga ana tjetër Dumani foli përmes dosjeve që pati hetuar, midis tyre edhe Gërdecin, por nuk qe bindës për qeverinë e prokurorisë. Si humbës nga kjo garë doli edhe Edvin Kondili, i cili ndonëse këmbënguli se u duhej dhënë shansi të rinjve, një nga njerëzit që bindi ishte Gent Ibrahimi, si kreu i atëhershëm i KLP. 

Pretendenti i tretë Adnan Xholi, kërkon votat e KLP për herë të parë për ambicien e tij mbi drejtimin  e ardhshëm dhe tre vjeçar të SPAK. Secili nga prokurorët e posaçëm ka një karrierë të gjatë në hetimin e krimit të organizuar në vend, por meqënëse afati nuk është mbyllur, ende nuk është çudi që efektin surprizë ta kenë ruajtur edhe prokurorë të tjerë të përfolur si Klodian Braho por edhe një prokurore femër si Doloreza Musabelliu ( këta të fundit ende në dilemë). 

Megjithatë të kontaktuar nga Gazetasi.al burimet janë shumë të sigurta se ashtu si edhe në politikë, fushata për drejtimin e SPAK ka nisur përpara se pretendentët të dorëzojnë jetëshkrimin. 

Disa prej tyre, thuhet jo zyrtarisht për Gazetasi.al se kanë marrë garanci nga anëtarët për votën dhe ndaj kanë hyrë të sigurtë për fitore. Por secili është i sigurtë se veç kostumit të prokurorit që e vesh çdo ditë për të hetuar, ka nisur njëherazi lëvizjet e kalkuluara fare mirë për të siguruar votat që do të thoshte lidership i prokurorisë më të rëndësishme në vend prej të cilës pritet të hetojë të korruptuarit dhe krimin e organizuar.  

Besohet se Kondili ka një mbështetje të fortë nga prokurori i përgjithshëm Olsian Çela, i cili me një përllogaritje të thjeshtë dispononte dhe votat e anëtarëve të KLP për çdo lëvizje të mundshme. Përfshi edhe votën e anëtares më të re, Ledina Riza e cila humbi përballë Etien Kapos pasi sipas burimeve pranë KLP edhe ajo si edhe kandidatë të tjerë që janë ulur në tavolinën e KLP gjatë kësaj kohe, kanë në sfond mbështetjen e kryeprokurorit.

Sakaq vota të sigurta ka në KLP edhe Altin Dumani i cili në garën e vitit 2019 siguroi katër kartonë jeshilë për këtë garë. 

Burimet këmbëngulin se Dumani ka edhe një votë në distancë nga ndërkombëtarët. Edhe i treti, bëjnë me dije burimet, ka hyrë në garë me një përllogaritje votash dhe pëlqimesh nga anëtarët e KLP, ndonëse si favorit kryesor në këtë "fushatë" prokurorësh vlerësohet Edvin Kondili. 

E teksa fushata ka nisur mbas skene me takime dhe lobingje ashtu siç e cilëson një burim shumë i sigurtë i Gazetasi.al pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, leximi i jetëshkrimeve të kandidatëve duket se do të jetë më tepër një ceremoni protokollare.

“Besoj që kur të ulemi për të vlerësuar përmbajtjen e dokumentacionit si eksperienca në ndjekjen e çështjeve antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar deri tek hartimi i rregulloreve administrative, anëtarët do kenë patur ndërkohë një bindje të brendshme të varur direkt nga influenca dhe fushata”, deklaroi në anonimitet një burim mjaft i sigurt në KLP. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë