Politike

Basha e Kryemadhi: Raporti i OSBE vërtetoi krimin! Rama: 30 Qershori u certifikua!

Partia Demokratike e lexon raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit si dëshmia më domethënëse e rënies totale të shtetit të së drejtës, respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe provë të mjaftueshme për të nisur hetimet penale nga KQZ, deri tek numëruesit dhe vëzhguesit.

Lulzim Basha doli në një deklaratë për mediat, ku tha se raporti është më problematiku për një proces zgjedhor në Shqipëri në dy dekadat e fundit.

“Kemi një raport që nuk flet për rregulla të shkelura, por për krime të mirëfillta dhe veprime të qëllimshme antiligjore të të gjithë strukturës elektorale në vend dhe shkatërrim të qëllimshëm të së drejtës për të zgjedhur. Më shumë se raport për zgjedhjet, ngjan me një raport për një ngjarje kriminale, që përmban provat dhe fakte për të nisur hetime penale ndaj një sërë personash dhe institucionesh”, tha kreu i PD-së.

Opozita lexon mes rreshtave të raportit edhe vlerësimin, sipas saj, se OSBE/ODIHR e konsideron antikushtetues procesin, të mbajtur në shkelje të dekreteve të Presidentit. Basha shtoi se raporti e portretizon KQZ-së më shumë si një organ partiak sesa një institucion të pavarur dhe ironizoi kur tha se i vetmi aspekt normal i raportit është gjetja se socialistët nuk u rrahën me njëri-tjetrin në qëndrat e votimit bosh.

Kryetari i opozitës tha se nga raporti dalin dy shtylla kryesore. Së pari që votimet ishin antikushtetuese, të paligjshme dhe të pandershme dhe së dyti që farsa moniste, siç e cilësoi ai, shkatërroi demokracinë.

“Ishte një grusht institucional për kapjen e pushtetit vendor nga Edi Rama, sërish në bashkëpunim me krimin e organizuar, megjithëse nuk ishte objekt i vlerësimit të raportit. Dy kandidatë deri më tani të vërtetuar me të shkuar kriminale dhe priten të tjerë. Për të kuptuar rëndësisnë e këtij fakti, duhet të kemi parasaysh që më 30 qershor nuk kishte asnjë konkurrencë, ndaj Edi Rama mund të zgjidhte kë të dëshironte, por edhe vetëm pa asnjë garë, Rama zgjodhi krimin. Edhe kur vetë kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi, ai vodhi, manipuloi dhe shkeli çdo ligj dhe standard”, thotë Basha.

Raporti e bindi Lulzim Bashën se zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë jo vetëm me Edi Ramën Kryeministër, por as me Komisionin Qendror Zgjedhor aktual.

“As me këtë KQZ nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira”, u shpreh ai.

Për Bashën, raporti i ODIHR është më shumë se raport zgjedhjesh. “Raporti ka rrëzuar të gjithë shtetin e Edi Ramës! Është autopsia e zgjedhjeve të vdekura, është autopsia e kufomës së shtetit të së drejtës, që janë vrarë nga edi rama për t’i zëvendësuar me një shtet privat, autokratik, kriminal dhe personal, ku Kushtetuta dhe ligji në Shqipëri është vullneti i Edi Rama.

Kryeministri pasi votoi në 30 qershor në Surel, Gazeta Si shtator 2019

Rama: Opozita po ngre furtunë në gotë uji

Por më herët Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, duke e cilësuar si një përpjekje të kotë dhe të gabuar. Ky është reagimi i lëshuar nëpërmjet rrjeteve sociale të shefit të mazhorancës ndaj komenteve nga opozita se zgjedhjet e 30 qershorit u rrëzuan nga monitoruesit ndërkombëtarë. 
“Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin,e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka certifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet!”, shkruan Rama në Twitter.

Për Ramën kapitulli i zgjidhjeve lokale mund të cilësohej i mbyllur mbi bazën e këtij qëndrimi dhe se kërkon që së bashku me opozitën të fokusohet për zgjedhjet e parlamentar të 2021, duke kërkuar kështu bashkëpunimin me opozitën jo parlamentare.
“Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë DIALOGU e BASHKEPUNIMI, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë. Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re DIALOGU e BASHKEPUNIMI për Shqipërinë”, thekson kryeministri në reagimin e tij.

Kryemadhi: Raporti nuk njeh 30 qershorin

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dha një deklarate për mediat pas raportit të OSBE për 30 Qershorin. Sipas saj, raporti i OSBE tregon gjendjen e mjerueshme ku ndodhet vendi.
“Nuk kemi absolutisht asnjë mëdyshje që raporti i OSBE – OHDIR do të dilte në konkluzione, për të cilat janë të qëndrueshme, jo vetëm të qëndrueshme, por janë edhe të vërteta përsa i përket situatës, në të cilët gjendet sot Shqipëria. Ndjejmë dhimbje për situatën politike, ndjejmë dhimbje për situatën ekonomike, në të cilët shqiptarët gjenden sot, kjo vjen si rezultat i inkriminimit të procesit, jo vetëm zgjedhor, por të inkriminimit të të gjithë jetës politike dhe shoqërore shqiptare. Raporti i OSBE – OHDIR është një skaner objektiv, por dhe i tmerrshëm për sa i përket situatës, në të cilën gjendet sot Shqipëria dhe ky raport, jo vetëm që tregon haptas gjendjen e mjerueshme, në të cilën gjendet vendi, por tregon haptas shkatërrimin e të gjithë sistemit politik, shoqëror dhe ligjor të Shqipërisë. Mjafton në atë raport me disa dhjetëra faqe ku është më se e qartë situata dhe janë përmendur nga media dhe përfaqësues zyrtar disa nga pikat kryesore ku mjafton të përmendim shkatërrimin e besimit të publikut tek legjitimiteti i zgjedhjeve, një administratë të njëanshme zgjedhore, e cila mënjanoje besimin e publikut për procesin zgjedhor”, deklaroi Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së, theksoi se raporti i OSBE ODIHR është kambanë alarmi për klasën politike, për t’i dhënë mundësi shqiptarëve për tu përballur me të vërtetën dhe për ti hapur rrugën për në BE. “Për të dalë nga kriza ka vetëm një rrugë, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në duhet të marrim përgjegjësitë tona për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Secili duhet të marrë përgjegjësinë duke kaluar nga ne të parët partitë e opozitës dhe njeri kryesor që duhet të marrë përgjegjësitë është Edi Rama”, u shpreh Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së foli edhe për mos zbatimin e dekretit të presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve më 13 tetor. “Ky raport si asnjëherë tjetër në historinë e tranzicionit shqiptar është një nga raportet që jo vetëm nuk i njeh zgjedhjet, por të drejtën për vendosjen e zgjedhjeve e kanë dekretet e presidentit. Shkaku i kësaj situate politike ku ndodhet vendi ka vetëm një emër, Edi Rama. Ky raport është i rëndësishëm për ta marrë parasysh për ti dhënë mundësi shqiptarëve të integrohen sa më parë në BE. Hapja e negociatave është një nga detyrimet kryesore që ka Shqipëria. Raporti tregoi qartë se sistemi politik, ekzekutiv dhe ligjor ka rënë, ka rënë sistemi i drejtësisë që nuk ndëshkon krimin zgjedhor. Ka rënë administrata publike që është kthyer në administratë politike, ka rënë sistemi zgjedhor me një KQZ të politizuar dhe inkriminuar. Demokracia në Shqipëri nuk ekziston më, por është e kërcënuar”, theksoi Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë