Politike

Zgjedhjet në Shqipëri, problemet e njëjta me apo pa pjesëmarrjen e opozitës

Zgjedhjet e 30 qershorit u zhvilluan në një mënyrë krejt të pazakontë pa pjesëmarrjen e opozitës. Vetë shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Audrey Glover do të deklaronte se në eksperiencën e saj të zgjedhjeve nuk i kishte ndodhur ndonjëherë që monitoronte një proces pa pjesëmarrjen e opozitës. Tashmë konkluzioni i nxjerrë do të sjellë të njëjtin imazh atë të leximit në mënyra të ndryshme të këtij raporti nga opozita dhe mazhoranca, ku njëra palë shprehet se “u rrëzuan votimet moniste” dhe tjetra, së fundmi nga kryeministri Rama se OSBE-ja dhe ODIHR e certifikuan 30 qershorit.

Tashmë rekomandimet e OSBE/ODIHIR-it pritet të jetë beteja e re ndërmjet opozitës dhe mazhorancës. Por si kanë qenë konkluzionet dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për proceset e zhvilluara ndër vite.

Shefja e misionit të OSBE/ODIHR, Audrey Glover gjatë një konferencë për shtyp në Tiranë


Presione ndaj administratës për të marrë pjesë në fushata dhe në zgjedhje, përdorimi i fondeve publike përgjatë fushatës elektorale, intimidim i zgjedhësve apo KQZ veproi politikisht në disa raste janë shprehje apo qëndrime që OSBE/ ODIHR i ka mbajtur të paktën në këto tre palë zgjedhje të fundit që nga 2015 dhe deri më sot. E gjithë kjo vjen nga fakti i mënyrës së ndërtimit dhe të administrimit të procesit zgjedhor, i cili është puro politik, sa i përket përbërjes së KQZ-së dhe komisioneve të niveleve të dyta dhe të tretë, si dhe aty vendoset gjithçka në numërimin e votave.

Rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet lokale të 2019


Rekomandimet për zgjedhjet e 30 qershorit
Në raportin më të fundit të publikuar nga OSBE/ODIHR janë dhënë gjashtë rekomandime kryesore për të cilët partitë politike dhe Ekzekutivi duhet t’i kenë si prioritare në zgjidhjen e tyre. Rekomandimi i parë është ai kryerjes së një reforme konsensuale mes palëve. “Me qëllim të forcimit të demokracisë pluraliste, të riafimimit të së drejtës së qytetarëve për të marrë pjesë në qeveri dhe demonstrojnë përgjegjësi të përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor, partitë politike dhe palët e tjera të interesuara elektorale duhet të përfshihen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të lehtësojnë reformën zgjedhore që adreson rekomandime të përfshira në këtë dhe raportet e mëparshme të ODIHR-it”, thuhet në këtë dokument. Pikërisht në raportin e dy viteve më parë për zgjedhjet parlamentar të 2017, ndërkombëtarët kërkuan të njëjtën gjë. “Autoritetet duhet të ndërmarrin një reformë zgjedhore përfshirëse, të zhvilluar në kohë dhe të mbështetur në analiza të plota të politikave, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të këtij raporti dhe raporteve të mëparshme të OSBE/ODIHR-it. Dispozitat në ligje të ndryshme që kanë të bëjnë me zgjedhjet duhet të harmonizohen, veçanërisht ato në lidhje me fushatën, financimin e fushatës dhe median”, thuhej në këtë rekomandim.

Në këtë kuadër përfshihet edhe rekomandimi i përhershëm në tre palë zgjedhje, parlamentare të 2017, lokalet 2019 dhe 2015, që është siguria e votës. “Autoritetet dhe partitë politike duhet të ndërmarrin masa maksimale për të eliminuar problemin e përhershëm të keqpërdorimit të burimeve administrative në dhe ndërmjet zgjedhjeve. Autoritet duhet të nxjerrë rregulla të sakta që përcaktojnë se si burimet publike mund dhe nuk mund të përdoren për qëllime elektorale. Është e nevojshme që të merren hapa të mëtejshëm për të arritur depolitizimin e shërbimit civil dhe të garantohet mbi votuesit të mos ushtrohet presion për të marrë pjesë në fushatat elektorale ose që të votojnë në një mënyrë të caktuar. Autoritetet duhet të garantojnë të drejtën e votuesve për një zgjedhje të lira dhe të fshehtë. Procedurat e votimit duhet të rishikohen për të siguruar fshehtësinë e votës dhe mbrojtjen nga ndikimi i padrejtë mbi votuesit. Rëndësia e fshehtësisë së votave duhet të theksohet gjatë këtij viti trajnimi i komisioneve zgjedhore dhe materialeve për edukimin e votuesve”, thuhet në rekomandimet më të fundit.

Rekomandimet për zgjedhjet lokale të 2015-ës

Të njëjta janë edhe ato me zgjedhjet e vitit 2015, që tashmë qëndrojnë si një “çekan mbi kokë” ndaj klasës politike shqiptare sa herë që ka zgjedhje dhe jepen rekomandime. “Në mënyrë që të sigurohet sekreti i votës dhe integriteti i procesit, çdo lidhje midis votës dhe një zgjedhësi specifik nuk duhet të jetë e mundur. Vëmendje duhet t’i kushtohet rritjes së pavarësisë, paanësisë dhe kapacitetit profesional të komisioneve zgjedhore. Ligji mund të ndryshohet në mënyrë që të lejojë caktimin e komisionerëve jo partiakë në të gjitha nivelet dhe në këtë mënyrë të depolitizohet administrimi zgjedhor. KQZ-ja duhet të zbatojë në mënyrë të paanshme gërmën dhe frymën e ligjit. Kapaciteti i sekretarisë së KQZ-së mund të fuqizohet për të siguruar shkëmbimin e informacioneve thelbësore brenda administratës zgjedhore”, thuhet në rekomandimet e vitit 2015.
Ndërsa për zgjedhjet parlamentare i mëshohet edhe faktit që duhet të kenë për përcaktimin e penalizimeve ligjore për sa i përket shitblerjes së votës, adresim që është dhënë në mënyrë permanente në këto raporte. “Shteti duhet të garantojë të drejtën për të bërë një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Duhet të parandalohet çdo formë presioni për të zbuluar se për kë synojnë të votojnë zgjedhësit apo për kë kanë votuar. Asnjë lidhje midis zgjedhësit dhe një vote specifike nuk duhet të jetë e mundur. Nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor. Partitë politike mund të ndërmarrin një angazhim konkret dhe të mirëfilltë për të luftuar praktikat e blerjes së votës. Gjithashtu, një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve”, thuhet në këto rekomandime.

Rekomandimet për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës


Të gjitha këto rekomandime flasin për atë burimi i problemeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë pikërisht partitë politike që kanë mungesë vullneti për t’i realizuar ato sipas standardeve ndërkombëtare. Lufta për të pasur pushtet ka çuar në dëmtimin e disa proceseve zgjedhore ndër vite dhe kjo ka ndikuar që OSBE dhe ODIHR në raportet më të fundit t’i largohen shprehjeve si “zgjedhjet plotësuan standardet, apo i plotësuan pjesërisht standardet, apo i plotëuan kriteret e Kartës së Kopenhagës”.
Reforma zgjedhore është një nga kushtet e vendosura nga ndërkombëtarët për sa i përket procesit të integrimit. Tashmë kushti i fundit u vendos edhe nga i dërguari i Departamentit Amerikan të Shtetit në Tiranë, ku kërkoi që reforma zgjedhore të realizohet brenda këtij viti nga Palamenti, duke arritur një kompromis mes mazhorancës dhe opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë