Analize

Si (mos)marrëveshja Kosovë-Serbi po ushqen urinë e Rusisë e Turqisë

Tensioni politik midis Kosovës dhe Serbisë po krijon një terren të artë për Turqinë dhe Rusinë, dy fuqi që po konkurrojnë prej kohësh për joshjen e vendeve ballkanike, me qëllim që t’i kenë nën sferat e tyre të ndikimit.

Ndërkohë, të dërguarit e nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja po përpiqen të bindin të dyja palët të rikthehen në tryezën e dialogut, duke i bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të normalizojnë marrëdhëniet, edhe pse në fakt ato po bëhen gjithnjë e më të tensionuara.

Së fundmi Ministri i Jashtëm serb këmbënguli se Beogradi është i vendosur për të mos i njohur kufijtë e Kosovës, pavarësisht takimeve të nivelit të lartë me zyrarët amerikanë dhe europianë. Nga ana tjetër Kryeministri Ramush Haradinaj duket edhe më i vendosur për të mbajtur në fuqi tarifën ndaj mallrave serbe e boshnjake. Këto tensione po kërcënojnë marrëdhënien e Kosovës me aleatët e saj tradicionalë, por duket se kanë ofruar një shteg të artë për Rusinën dhe Turqinë.

Lajmet e rreme

Në një përpjekje për të përfituar nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes dy vendeve, agjentët pro-rusë dhe pro-turq janë më aktivë se kurrë. Ata përhapën raporte të rreme se Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me tërheqjen e trupave të tyre nga Kosova nëse taksa ndaj importeve serbe nuk pezullohet.

Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiç

Ajo që i bën gjërat edhe më keq është fakti se jo vetëm Serbia dhe Kosova, por përgjithësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndjeshme ndaj lajmeve të rreme online, të trilluara nga Rusia dhe Turqia, të cilat kanë portalet e tyre në të gjitha vendet e rajonit.

Krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor janë të vetëdijshëm për dezinformimin e përhapur nga Moska dhe Ankaraja por vazhdojnë ta injorojnë. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe elitat politike të rajonit përdorin dezinformimin e tyre në mënyrë që të ndikojnë mbi publikun.

Ekspertët thonë se si Rusia ashtu edhe Turqia pritet të përshpejtojnë fushatën e dezinformimit, tani që po afrohet 20-vjetori i bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë. “Shqiptarët dhe serbët do të bënin mirë të pranonin se po paguajnë ende çmimin e luftës dhe se pa zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre, vendet e tyre nuk do të përparojnë kurrë drejt integrimet euroatlantik”, shkruan analisti i njohur Alan Ben-Meir. “Ata janë bërë pengje të së kaluar dhe po ushqejnë urinë e Rusisë dhe Turqisë për të kontrolluar Ballkanin”, thekson ai.

Sipas Vilson Kacolit, një të riu nga Kosova, mosmarrëveshjet ndërmjet dy vendeve kanë vështirësuar në radhë të parë jetën e qytetarëve, “Kur udhëtoj për në Serbi, jam i detyruar të heq targën e makinës në kufi dhe të paguaj një tarifë prej pesë eurosh për të kaluar në Serbi. Ata nuk pranojnë euro nga ne, vetëm dinarë serbë, ndërsa serbët që hyjnë në Kosovë nuk përballen me këto vështirësi”, thotë ai.

Ramush Haradinaj

Ai së bashku me shumicën e shqiptarëve të Kosovës mbështesin fuqishëm kryeministrin e tyre për refuzimin e tij për të anuluar taksën ndaj produkteve serbe.

Kontrolli nëpërmjet parave

Ndërkohë, Putin dhe Erdogan kanë punuar shumë për të forcuar lidhjet e tyre me Ballkanin dhe po vazhdojnë të investojnë në projekte të mëdha kombëtare strategjike që kanë ndikim më të madh ekonomik dhe politik në të gjithë rajonin.

Tregtia midis Turqisë dhe Ballkanit Perëndimor është rritur në mënyrë dramatike, nga 430 milionë dollarë në vitin 2002 në 3 miliardë dollarë në vitin 2016. Rreth një e treta e kësaj tregtie ka qenë me Serbinë.

Ndërkohë në Kosovë, Turqia po investon vazhdimisht në sektorët më të rëndësishëm dhe po privatizon në mënyrë alarmante asetet strategjike të Kosovës. Agjencia Turke e Zhvillimit të Shtetit TIKA ka rinovuar qindra monumente historike në Kosovë, ka financuar dhjetëra projekte lokale dhe po organizon mjaft aktivitete kulturore për të forcuar lidhjet me Turqinë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Agjencia e Energjisë e Serbisë dha miratimin përfundimtar për kalimin e gazsjellësit “Turk Stream” në Serbi, tubacion i cili do të transferojë gazin natyror nga Rusia, në Turqi dhe në Evropën Jugore.

Presidenti Erdogan dhe Hashim Thaçi

Nga ana e saj Moska, ka interesa gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor, si dhe në të gjitha vendet e Mesdheut. Për sa i përket Ballkanit, rajoni ka rëndësi strategjike si një rrugë tranziti për gazin rus dhe së dyti, Moska dëshiron të ruajë rrënjët sllave me vendet e rajonit. Kjo është një strategji mjaft e rëndësishme për Kremlinin, sidomos për aq kohë sa marrëdhëniet midis BE-së dhe Rusisë janë të tensionuara dhe nuk ka gjasa të përmirësohen.

Për më tepër, shtetet e Ballkanit Perëndimor ofrojnë një mundësi të artë për Rusinë për të minuar interesat gjeostrategjike të BE, në këmbim të investimeve të lira strategjike.

Sfida më e madhe e Rusisë në Ballkan, është mbajta e vendeve të rajonit larg NATO-s. Në vitin 2016, për shembull, Rusia u përpoq të organizonte një grusht shteti në Malin e Zi, që synonte rrëzimin e kryeministrit të atëhershëm, Milo Gjukanoviç, me qëllim që të pengonte hyrjen e vendit fqinj në NATO.

Putini u përpoq po ashtu të bllokonte zgjidhjen e konfliktit midis Greqisë dhe Maqedonisë se Veriut duke ditur se zgjidhja do të rezultonte në anëtarësimin e Shkupit në NATO.

Ndërkohë që Serbia po përpiqet të balancojë marrëdhëniet dypalëshe me Rusinë dhe BE-në, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë tërësisht të palëkundura kur bie fjala tek integrimi euroatlantik. Sipas Alan Ben-Meir, duke pasur parasysh interesat strategjike të BE-së, unioni duhet të insistojë në reformat demokratike dhe në respektimin e të drejtave të njeriut, duke përshpejtuar kështu procesin e anëtarësimit të vendeve të rajonit,.

Aktivitetet dhe synimet e Rusisë dhe Turqisë për t’i penguar vendet e rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian nuk janë të fshehta. Moska dhe Ankaraja po ndërmarrin hapa politike për të distancuar Ballkanin nga Perëndimi, qoftë për arsye ekonomike, strategjike apo hegjemonike. Ata janë të palëkundura në përpjekjet e tyre dhe do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të forcuar marrëdhëniet me vendet rajonit.

Sipas ekspertëve, kjo është edhe arsyeja pse është vetëm çështje kohe kur interesat e Rusisë dhe Turqisë do të përplasen hapur në Ballkan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë