Nga Sokol Çunga– Në kohërat primitive, atëherë kur njeriut i duhej të mbante shënim sasinë e mallrave të shitura a të shkëmbyera, u shpik shkrimi, dhe vetvetiu, dokumenti.

E për të ruajtur dokumentin, çfarëdo forme të kishte ky, lindi arkivi. Ishte nevoja e cila solli në qenësi institucionin që sot emërtojmë “arkiv”.


Por kjo nuk do të thotë se edhe arkivistika lindi në të njëjtën kohë. Kjo ndodhi më vonë. Teksa gjatë shek. XIII-XIV pas K. administratat e shteteve të ndryshme evropiane filluan t’u largoheshin traditave feudale, filluan të funksiononin edhe vendruajtjet e lëndës dokumentare. Në Francë, në qytetet italiane dhe flamande, në Spanjë e Hungari u shfaqën format e para të institucioneve arkivore. Në Spanjë këto mjedise u quajtën “loci publici in quibus instrumenta deponuntur”: vende publike ku ruhen dokumentet me vlerë juridike, çka dëshmon natyrën juridike të vetë institucionit.

Po aty, më 1588 qarkullon manuali “Instrucction para el Gobierno del Archivo de Simancas”, “Udhëzim për administrimin e arkivit të Simankës”, i pari udhëzim i këtij lloji. Kështu, dalë nga dalë shfaqen “monarkitë administrative” të Evropës.



E para trajtesë e zgjeruar mbi punën arkivore, De archivis liber singularis u botua më 1632 në Venecia, përgatitur nga Baltassare Bonifacio. Në vende të tjera të Evropës Perëndimore u shfaqën trajtesa homologe, çka solli metoda të ndryshme pune në çdo vend, por dhe krijoi ngatërresa praktike: si do të renditeshin dokumentet, në rend tematik, apo kronologjik?
I pari qëndrim shkencor në fushë të arkivistikës u përpilua prej murgut benediktin Jean Mabillon dhe u botua më 1681.

Motivet që shtynë Mabillon në ndërmarrjen e tij vinin nga të tjera arsye: fake news-et e kohës. Sepse fake news-i nuk është shqetësim vetëm i epokës së sotshme virtuale, ka ekzistuar gjithmonë. Në bibliografinë e historisë dhe të arkivistikës janë të njohura falsifikimet e dokumenteve të paktën që në mesjetë. Këto falsifikime i kryenin sundimtarë apo institucione fetare me synim kontrollin financiar të zonave të caktuara, të cilat një mbret i mëhershëm ua kishte akorduar vetëm atyre dhe askujt tjetër.

Për të shmangur mashtrimin nga këto dokumente me mbret, Mabillon-i iu fut studimit të disa dokumenteve të mbretërve frankë Merovingë. Pasi krahasoi pergamenat, format dhe stilet e shkrimit, bojërat, emrat, vulat, nënshkrimet, faktet dhe faktorët e jashtëm, Mabillon arriti të ndërtonte një manual për të kuptuar se si dallohet dokumenti i falsifikuar. Këto përfundime i botoi në librin titulluar De Re Diplomatica, në shqip: Mbi diplomatikën.
Vetë Mabillon thotë:
“Nuk mohoj faktin se disa dokumente janë të falsifikuara apo të tjera janë ndërfutur mes dokumenteve origjinale. Sidoqoftë, ato nuk duhet të flaken tej vetëm për këtë arsye, por duhen përdorur për të saktësuar rregullat e veçimit të dorëshkrimeve origjinale nga ato të falsifikuarat. Pas pothuaj 20 vjet studimi dhe përvoje me këto dokumente, pasi i krahasova dhe i peshova, jam në gjendje të hartoj një korpus të gjerë dhe të saktë dijesh, për një fushë të pastudiuar më parë.”

Kthehemi pak pas tek termi “diplomatikë”. Nuk ka lidhje me diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërshtetërore. Fjala vjen prej latinishtes “diploma”, që do të thotë “dokument”. Kësisoj, “diplomatika” është shkenca që merret me shqyrtimin e autenticitetit dhe të vlerës juridike të dokumentit, nga këndvështrimi shkencor. Prandaj sot themi se ky është çasti kur lindin dhe dy disiplina shkencore të afërta mes tyre: paleografia dhe arkivistika.
Lind pyetja: çfarë e bën autentik dokumentin, dje dhe sot? E para pyetje që bëjmë sot, kur duam të vërtetojmë autenticitetin e një dokumenti, është: a ka ekzistuar një regjistër protokolli, në të cilin është ruajtur një kopje e tekstit, ose një kopje në formë shkrese në ndonjë arkiv? Sigurisht, jo çdo periudhë historike i plotëson këto kushte, aq më tepër kur dimë se, fjala vjen, prej mesjetës e këtej, kanë ndodhur luftëra, fatkeqësi natyrore, zhvendosje të vendbanimeve, shembje ndërtesash, etj. Në këtë rast na mbetet të bëjmë po të njëjtin proces pune që pati bërë edhe Mabillon në shek. XVII: të verifikojmë ekzistencën e palëve dhe vërtetësinë e ngjarjeve që përmenden në dokument.

Ndërsa për dokumentet e periudhës moderne, vërtetësinë duhet ta kërkojmë tek kopja e mbajtur në regjistrin e protokollit. Po ashtu, sipas ligjeve në fuqi (që mund edhe të ndryshojnë nga vendi në vend), dokumenti konsiderohet autentik kur përmban kokën e dokumentit, që përbëhet nga stema e shtetit që e lëshon, shoqëruar me emërtesën e institucionit, kur përmban numrin e protokollit dhe datën e lëshimit, firmën e titullarit të institucionit dhe vulën e institucionit.
Ndërkaq, në vende të tjera, parimi i autenticitetit është më i rreptë: dokumenti konsiderohet me vlerë juridike vetëm kur ka qëndruar brenda ruajtjes fizike institucionale që prej çastit të krijimit, deri në çastin e përdorimit, përndryshe, vlera e tij është vetëm historike. Thënë ndryshe, sipas këtij parimi, dokumenti i krijuar prej Kryeministrisë së Mbretërisë së Shqipërisë në qershor 1924, për të marrë një datë emblematike, ka vlerë juridike deri ditët e sotshme vetëm nëse vërtetohet se në asnjë ditë nuk ka qenë pa ruajtjen institucionale, që prej krijimit, deri sot. Prandaj dhe, pavarësisht formulimit, çdo dokument i së shkuarës së largët duhet të ballafaqohet edhe me fakte të tjera, për t’u konsideruar autentik dhe me vlerë juridike.
Mirëpo, si ruhet autenticiteti i dokumentit? Kohëra të ndryshme kanë përgjigje të ndryshme. Përgjigja e sotshme është: baza ligjore dhe zbatimi i ligjit. Dhe vijmë, krejt natyrshëm, tek institucioni arkivor.
Veprimtaria arkivore në trojet shqipfolëse në Ballkan dhe në Shqipërinë e sotshme ka ekzistuar bashkë me ushtrimin e pushtetit në këto vise, pavarësisht formës shtetërore.
Me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, në Kanunoren e shtetit të sapo krijuar përmendet krijimi i një zyre sekretarie, e cila do të kishte dhe funksionet e arkivit.

Teksa dokumentet e krijuara nga Qeveria e Vlorës na mbërrijnë në ditët e sotshme nga burime të ndryshme, nuk dimë si ka funksionuar ky shërbim në ato vite.
Më 1932 parlamentit iu propozua projektligji “Për krijimin e Arkivës së Përgjithshme të Shtetit dhe të Kronikës Historike”, për të cilin nuk zotërojmë informacion nëse u miratua dhe nëse funksionoi ndonjëherë.

Më 8 qershor1949, jo pak vite pas përfundimit të Luftës II Botërore, u themelua Arkivi i Shtetit në varësi të Institutit të Studimeve.

Arkivi i sapo krijuar kishte detyrë mbledhjen e gjithë lëndës dokumentare historike që ndodhej në Republikën Popullore të Shqipërisë, si dhe grumbullimin periodik të dokumenteve që do të krijoheshin nga veprimtaria administrative-shtetërore pas asaj date.

Më 1951 Arkivi i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.


Më 1955 u krijua Drejtoria e Arkivave të Shtetit, po në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kurse më 1962 u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në varësi të Këshillit të Ministrave, varësi të cilën e ruan edhe sot.

Në varësi të DPA veprojnë dy degët kryesore të veprimtarisë arkivore, Arkivi Qendror Shtetëror dhe Arkivi Shtetëror Vendor, si dhe shërbime të tjera të domosdoshme për përmbushjen e detyrave ligjore, sipas drejtorive dhe sektorëve përkatës.
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist shqiptar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.