Ana e errët

Si i fshehën paratë e vjedhura. Detaje të reja nga grabitja me sqepar në Tiranë

“Për punën që do bësh kësaj radhe do të japim një kafe edhe ty. Ne kemi vjedhur një person dhe lekët i kemi fshehur pas një dere të zezë, shko ti marrësh”. Ky është rrëfimi i Rino Spahos, nën arrest për grabitjen me dhunë të Qani Zilit, i cili u godit me sqepar dhe ju rrëmbyen në mes të ditës tre milionë lekë. Teksa dy personat që kryen agresionin dhe konkretisht Marian Gjonpalaj dhe Mario Barjami janë shpallur në kërkim policor, ndihmësi i tyre pritet del para gjykatës gjatë kësaj të shtune. Të rinjtë janë skeduar edhe më herët për vjedhje me dhunë siç është rasti i Gjonpalaj, një grabitës i identifikuar edhe në ngjarje të tjera. Kurse Rino Spaho ka hyrë në llogaritë e policisë  pak vite më parë.

Sipas burimeve të Gazetasi.al grabitësit mbasi finalizuan rrëmbimin e parave, u larguan në dy drejtime të ndryshme. Njëri vrapoi në këmbë në drejtim të xhamisë teksa në dorë mbante qesen, kurse tjetri në drejtim të rrugës Hajdar Hidri. Por nga kqyrja e kamerave policia zbuloi pak çaste më vonë se grabitësit i kishin fshehur paratë në afërsi të një porte  dhe për këtë arsye kanë organizuar shërbime grackë. “Paratë u numëruan thotë prokurori në kërkesën e dorëzuar në Gjykatë dhe ishin 3 milionë lekë të reja, që ju lanë në ruajtje shtetasit të dëmtuar, pronar exchange. Kurse shërbimet policore u urdhëruan të qëndrojnë në detyrë të kamufluara derisa grabitësit të riktheheshin për t'i marrë”.

Ngatërrimi i rrugës

Një ditë pas ngjarjes Gjonpalaj kaloi me një makinë Toyota Auris dhe si pasagjer kishte shokun e tij. Pa ndaluar i tregoi me kokë se ku fshihej shuma. Asnjëri prej tyre nuk i vërejti agjentët që po prisnin të maskuar dhe që qëndronin në distancë si qytetarë indiferentë. “U ula tek lokali P. që gjendet në lagjen time. Prita aty sa erdhën nga Kisha e Laçit familjarët e shokut tim. Më pas ndihmova familjarët e Marjanit për tu larguar në banesë. Më pas më telefonoi Marian Gjonpalaj dhe erdhi me në makinë me ngjyrë gri, targat e të cilës nuk i di. Mariani më tha se së bashku me Marion kishin vjedhur një shumë te rruga e Kavajës dhe rreth orës 20.00  bëmë xhiro me makinë dhe mi tregoi ku fshiheshin”.

21 vjeçari është rikthyer të nesërmen. “Dola nga shtëpia. Piva një kafe tek bar V. Më pas më telefonoi Mariani dhe më tha të shkoja të merrja paratë. U afrova tek dera e zezë dhe aty më ndaluan ata të policisë. Kur më pyetën se çfarë doja aty ju tregova se kisha ngatërruar rrugën dhe se po kërkoja rrugën  Kristoforidhi. Por ata më sollën në komisatriat” deklaron në polici i dyshuari.

Si më goditën me sqepar

“A mund të shkosh deri tek rruga e Kavajës të çosh një sasi parash  tek një zyrë këmbimi valugor  se mi ka kërkuar një mik” iu lut në kafe një i njohur 60 vjecarit Q.Z.

Dosja që Gazetasi.al disponon tregon se si burri rrufiti kafenë dhe u çua. I hodhi 30 milionë lekë në një trastë  doku në ngjyrë te zezë dhe trastën e futi në një qese të zezë plehrash. “Kur Doriani mi dha lekët nuk më tregoi sa ishin, por më tha vetëm adresën ku do ti çoja” shprehet Q.Z.

“I vara përpara motorrit tek pjesa e timonit në një çengel që e kisha sajuar vetë dhe kur mbërrita, sa mora kthesën tek godina e Vettingut, dy persona që ishin duke qëndruar në këmbë  dhe mbas tyre ishte në motor më goditën me sqepar në kokë”.

60 vjeçari nuk u rrëzua nga motorri dhe jetën ia shpëtoi skafandra që kishte në kokë. “Por një person tjetër më goditi me shkelma dhe në këtë moment rashë nga motorri” shton në polici ky shtetas. “U ngrita në këmbë  dhe pashë këtë personin me sqepar në dorë dhe nuk guxova ti afrohem. Ai u afrua morri qesen tek motorri, mori qesen ku ishin lekët” thotë 60 vjeçari.
Teksa viktima ka tentuar që gjatë largimit ti kapë, ata kanë hipur në një motor për tu larguar, por menjëherë sapo ka kaluar pikën e karburantit janë përplasur me një makinë dhe u rrëzuan. Por asnjëri nga grabitësit nuk është dorëzuar, kanë marrë qesen dhe janë larguar me vrap me shpresën se duke i  fshehur në një rrugicë do ti gjenin aty kur të riktheheshin. Por ky plan nuk u eci, ndaj dhe ata pas identifikimit me dëshmi dhe provave të kamerave të sigurisë janë shpallur në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë