Ana e errët

Si grabiten gratë në Tiranë. I riu: ia vodha varësen se kam ditëlindjen dhe nuk më bën njeri dhuratë

Gazeta "Si"-“Isha duke ecur në rrugën “Tom Plezha” dhe sa kalon lokali I. përballë dy vilave në vendin ku ngushtohet trotuari përballë meje po vinte një djalë diku i moshës 20-vjeç. Kur u afrua pranë meje zgjati duart dhe më këputi varësen e floririt”.

Ky është denoncimi i një gruaje e cila shkoi në policinë nr.6, për të treguar se si mbasi u vodh ajo vrapoi mbas të riut që u largua me shpejtësi, por nuk mundi dot ta kapë.

“Gjatë kohës që po qëndroja aty e trembur u afruan dy gra që më qetësuan dhe pas kësaj telefonova bashkëshortin, i cili mesa mësova, telefonoi policinë dhe së bashku erdhëm në komisariat”, thuhet nga viktima e vjedhjes së radhës në rrugët e kryeqytetit, ku bëhet me dije se kryesisht përdoruesit e drogës që janë mosha të reja po sulmojnë gra dhe të moshuar duke ju rrëmbyer kuletat, e sendet me vlerë përfshi në këtë kategori edhe aparate celularë.


Policia i thotë Gazetasi.al se mbasi administroi dëshminë e gruas, shkoi në vendngjarje ku pranë një biznesi këqyri një kamera sigurie ‘fillimisht u konkludua se autori vjen me një makinë me ngjyrë të zezë dhe qëndrojnë aty për disa minuta”,- shprehet policia për Gazetasi.al.


Sipas këtij burimi të sigurt, autorët janë vendosur aty në pritje të viktimës së radhës mbasi pikasën gruan dhe planifikuan që t’i afroheshin asaj në vendin ku ngushtohej trotuari.
“Pasi kryen vjedhjen autori hipën me shpejtësi në makinë dhe në pamje vërehet se aty është pjesëmarrëse, edhe një vajzë e cila zbret nga vendi i pasagjerit dhe ulet në vendin e parë kurse hajduti ulet si drejtues mjeti”,ka deklaruar më tej gruaja.
Policia thotë për Gazetasi.al se kreu hetime të detajuara ku dhe zbuloi se mjeti i identifikuar i përkiste një shtetasi me inicialet E.H , i regjistruar në Balldren të Lezhës.
Disa ditë më parë ndaj këtij automjeti ishte vendosur një gjobë, ku drejtues është shënuar nga shërbimet policore shtetasi K.H, thonë më tej burimet policore të Gazetasi.al.


Bëhet me dije se mbas mbledhjes së provave është bërë shpallja në kërkim e automjetit dhe e tre të rinjve të identifikuar si pjesëmarrës në sulm.
Policia tregon se si shkoi tek grabitësi i identifikuar si O.H. Në krye të herës agjentët trokitën në derën e pronarit të automjetit që tregoi se ja kishte dhënë me qira makinën shtetasit K.H.
“Atë ditë kam qenë në zonën e Astirit duke pirë kafe dhe nuk jam unë personi që ka kryer vjedhjen. Isha me një shoqe dhe me shtetasin O.H, po ecnim dhe kam dëgjuar një grua që bërtiti “ouu” dhe vazhdova rrugën”, thotë i dyshuari i parë.
Policia tregon se hajduti e mori me qira makinën për dy ditë dhe mbasi firmosi një kontratë udhëtoi në Kosovë dhe mandej drejt Vlorës. Si provë për këtë itinerar është “gps”.
Nga ana tjetër burimet policore i treguan Gazetasi.al se si e arrestuan edhe grabitësin e dytë që terrorizoi gruan me inicialet I.K.
Nga kontrolli i banesës së tij dhe i vendeve që frekuentonte normalisht agjentët e gjetën të dyshuarin në një kafene.
“Udhëtova nga Lezha me shokun tim K.H, konsumuam një kafe dhe bëmë një xhiro nëpër Tiranë. Aty na priste kushërira ime me të cilën do udhëtoja për në Lezhë. Unë për shkak të vështirësive ekonomike që kam, jetoj vetëm me mamanë që nuk ka punë, mua po më afron ditëlindja dhe në këtë gjendje emocionale vërejta një grua që kaloi me një varëse në qafë. Thjesht e kam tërhequr varësen e kam marrë dhe kam ikur”, mësohet të ketë thënë i riu para policisë së Tiranës.


"Kam shkuar tek makina ku më priste kushërira që e lashë në Shën koll, shkuam me shokun dhe e shitëm varësen për 230 mijë lekë pranë një argjendarie tek Pit-Stop. Shoku nuk ka dijeni për vjedhjen dhe as kushërira”, tha mw tej i riu.
I dyshuari që u arrestua bashkë me shokun për grabitje me dhunë shton para policisë se nuk e mendoi mirë dhe se gjithë stresi ishte festa e ditëlindjes dhe dëshira që t’i bënte vetes një dhuratë si dhe të qeraste të njohurit.
“I vetmi burim të ardhurash është babai që është në emigracion, punon në ndërtim. Mamaja është sëmurë. Nuk e mendova gjatë dhe ndihem i penduar tha”, 20- vjeçari, i cili pavarësisht kësaj dëshmie përfundoi në pranga.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë