Portofol

Si e lexuan ekspertët deklaratën e FMN?

Sabina Veizaj -Sistemi bankar është likuid. Është një shprehje që e dëgjojmë shpesh në deklaratat e Minsitrit të Financave dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore, stoku i depozitave që individët dhe bizneset kishin në sistemin bankar deri në fund të muajit mars ishte rreth 1 trilionë lekë.

“Por këto para flenë”, thotë ish ministri i Financave Arben Malaj për gazetën “Si” duke komentuar deklaratën e fundit të Misionit të FMN-së për Shqipërinë.

Duke mbështetur rekomandimet e Fondit, ish ministri Malaj shpjegon se, propozimi që të ndryshojnë burimet e financimit të ekonomisë tonë nga burime të jashtme në burime të brendshme, do të ishte një hap i madh cilësor në financat publike dhe ekonominë tonë.

"Ekonomia jonë të financohet nga paratë e shqiptarëve që flenë në banka"-Arben Malaj


“E para, sepse ne do të përfshijmë në financimin e ekonomisë tonë miliarda euro kursime të cilat flenë në bankat tregetare me interesa simbolike për depozituesit. E dyta sepse duke u financuar nga eurobondet, interesat i përfitojnë kreditorët e huaj, kurse me skemën e re, interesat do të jenë të ardhura shtesë për depozituesit. E treta për pagimin e kredisë së marrë dhe intresave përkatëse, ne nxjerrim nga vendi shuma të konsiderueshme valute me efekte në bilancin e llogarisë korrente"- thotë Malaj.

Ai kërkon nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë që të mos vonohen në krijimin e bazës ligjore dhe ndërgjegjësimin e popullatës për të investuar në instrumentat e borxhit të cilat janë një investim i sigurtë.

Edhe ish zv ministrja e Financave e sheh rekomandimin e FMN-së si një mekanizëm të dobishëm për ekonominë.

“FMN kërkon një përdorim më të madh të bonove të thesarit 3 Mujore edhe më të drejtë.
Borxhi afatshkurtër ndihmon në menaxhimin më të mirë të likujditetit, në uljen e kostos së borxhit, por mbi të gjitha sot kemi likujditet të lartë në sistemin bankar i cili për fat të keq nuk po përdorët për të kredituar ekonominë" shpjegon Irena Beqiraj.

Kurse eksperti Zef Preçi e ka përkthyer deklaratën e FMN-së si një shuplakë të drejtpërdrejtë që i jepet qeverisë Shqiptare, veçanërisht për politikat fiskale të ndjekura dhe sistemin e taksave.


"Pjesa e dytë e këtij rekomandimi mund të përkthehet lirisht si një thirrje për rikthimin në sistemin e taksës së sheshtë, por në një nivel të ri"- Zef Preçi

“FMN sugjeron “…fuqizimin e sistemit tatimor nëpërmjet anulimit të masave që e fragmentojnë dhe dobësojnë bazën tatimore dhe nëpërmjet nivelimit të fushës së lojës për bizneset”. Pikërisht pjesa e dytë e këtij rekomandimi mund të përkthehet lirisht si një thirrje për rikthimin në sistemin e taksës së sheshtë, por në një nivel të ri. Vendosja e rregullave të barabarta të lojës mes bizneseve ka qenë dhe mbetet rruga e vetme për dhe shpërndarjen optimale të burimeve në ekonomi"- thotë Preçi duke shtuar se “Unë personalisht mendoj se në rrethet e ekspertëve pranë qeverisë dhe opozites mendoj se duhet hapur ky debat, mbasi po bëhet përditë e më qartë se politika e favorizimeve të lobeve të biznesit ka bërë që barra tatimore të jetë disproporcionale dhe politikat fiskale voluntariste janë kundërproduktive për ekonominë kombëtare".

Në deklaratë, thotë eksperti Preçi, vihet re një lloj rritjeje e trannsparencës dhe adresim më i drejtperdrejtë i problemeve në një fushë të njohur, por mjaft problematike siç janë PPP-të. Perveçse ritheksohet çfarë ka qenë rekomanduar edhe më herët për të konsideruar këstet e maturuara të pagesave buxhetore si borxh publik dhe për t’i raportuar si të tilla, thotë ai, evidencohen edhe një sërë problemesh administrative dhe institucionale siç është mungesa e kapaciteveve të Ministrise se Financave dhe Ekonomisë.

Kurse Beqiraj nuk e ka përkthyer njëjtë sugjerimin për PPP-të. Sipas Beqiraj, ajo që kërkon FMN mund të përkthehet në një ngadalësim të procesit të dhënies së tyre, duke i vendosur organet shtetërore para faktit që duhet ti bëjnë vetë studimet e fizibilitetit, duke u dhënë mundësinë që para se të nënshkruajë kontratat, të ngrenë kapacitetet brenda administratës. Në mënyrë për të kuptuar, analizuar edhe negociuar kontrata kaq të rëndësishme edhe afatgjata, të cilat krijojnë angazhime për pagesa të ardhshme nga buxheti i shtetit.

Për Beqirajn, çfarë FMN ka kërkuar është një rritje në ndërgjegjësim edhe përgjegjshmëri e qeverisë në përdorimin e PPP, por kurrsesi ndalimin e tyre.

Një nga kritikat e FMN-së ndaj qeverisë ishte krijimi i Korporatës së Investimeve që sipas ekspertit Preçi, është një “risi” që çon ujë në mullirin e oligarkëve. “Natyrisht duke analizuar risqet e kësaj nisme, bëhet e qartë se sa të panevojshme (në rastin më të mirë) dhe se sa të rrezikshme (në rastin më të keq) janë edhe disa amendime ligjore të dy viteve të fundit që lidhen me investimet strategjike, me tokat dhe trojet në bregdet. Nisma për krjimin e Korporatës së Investimeve dhe amendimet në fjalë, kanë qenë kritikuar dhe refuzuar nga ekspertët e ekonomisë dhe opozita duke përfshirë edhe autorin e këtyre radheve qysh se janë artikuluar fillimisht nga qeveria. Tashmë është provuar botërisht dhe jo vetëm në vendin tonë, se çdo largim nga parimet e lirisë së tregut e konkurrenca e lirë shoqërohet me pasoja afatgjata në ekonomi, të tilla si largimi nga vendi apo mosardhja e investitorëve të rinj strategjikë, shtimi i korrupsionit elitar dhe kapja e shtetit nga oligarkët, etj.”- thotë Preçi.

Ai argumenton se vendimmarrjet favorizuese për grupe të cakuara të biznesit të lidhura me politikën nuk bëjnë gjë tjetër, përveçse e përkeqësojnë më tej klimën e të bërit biznes dhe nxitin polarizimin e shoqërisë në tërësi.

“Shembulli më i keq në rastin e vendit tonë, kur risku përcillet 100% mbi buxhetin e shtetit duke ju sigururuar fitime monopol, të pamerituara, korruptive dhe fiskalisht të rrezikshme në favor të disa bizneseve vetëm për shkak të afilacionit politik e familjar të tyre, janë PPP-të. Ato janë në të njëjtën kohë edhe një dëshmi e faktit se sa thellë janë shtrirë tentakulat e oligarkisë mbi gjithçka publike, agresioni ndaj të cilës vazhdon me intensitet të pandërprerë" sqaron Preçi.

Edhe ish zv ministrja e Financave Irena Beqiraj ndan të njëjtin mendim për Korporatën e Investimeve duke argumentuar se ligji i krijonte mundësi kësaj kompanie që të krijojë detyrime jashtë buxhetit, por që sërisht do të rendonin publikun në rast mospërmbushje nga kompania.


"Nuk ka asnjë arsyetim, përse një kompani publike duhet të përjashtohet nga aplikimi i rregullave të menaxhimit financiar publik, ku futen edhe rregullat e prokurimit publik"-thotë Irena Beqiraj.

Nuk ka asnjë arsyetim, thotë ajo, përse një kompani publike duhet të përjashtohet nga aplikimi i rregullave të menaxhimit financiar publik, ku futen edhe rregullat e prokurimit publik.

Ndërkohë që ky projektligj, sipas saj, nuk sjell asnjë risi në parimet e qeverisjes korporative, gjë që do të ishte shumë e nevojshme në kushtet e sensitivitetit të aktivitetit që kjo kompani do të performonte.

Të tre ekspertët vlerësojnë për gazetën “Si” se financat publike dhe ekonomia shqiptare po përjetojnë një situatë jo të favorshme dhe janë të ekspozuara ndaj risqeve të brendshme dhe të jashtme, evidenca që i theksoi edhe Fondi në deklaratën e tij duke ulur parashikimin për rritjen ekonomike nga 3,7% në 3,5 % në 2019-ën.

“Krijimi i detyrimeve të prapambetura sidomos në rimbursimin e TVSH e kombinuar me mungesën e kreditimit të biznesit krijon një ngadalësim të aktivitetit të këtij të fundit, kuptohet edhe zhvillimit ekonomik në tërësi”- thotë Beqiraj duke shtuar se “niveli i të ardhurave të mbledhura, të cilat jo vetëm nuk kanë arritur parashikimin thuajse asnjëherë, por sërisht kemi krijuar detyrime të prapambetura, tregon që kemi probleme të qenësishme me politikat fiskale edhe me administrimin e tyre". Për të, situata është një kambanë alarmi e cila kërkon një reflektim të thellë mbi të gjitha gabimet që kemi bërë edhe vazhdojmë të bëjmë në këtë drejtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë