Nga Hannah Beech- Kur Daw Aung San Suu Kyi doli nga vitet e arrestit shtëpiak një dekadë më parë, duke mos përdorur kurrë një smartphone apo Facebook, ajo e mbajti gjyqin në zyrën e partisë së saj të ndaluar politike, ku aroma e lagështisë avullonte nga raportet e të drejtave të njeriut, të bëra stivë në dysheme.
E armatosur me asgjë më shumë se një koleksion çmimesh ndërkombëtare, ajo kishte vendosur lule të freskëta në flokët e saj, e ulur me qëndrim të patëmetë dhe i premtoi botës dy gjëra: ajo do të bënte të mundur që të burgosurit politikë të Mianmarit (Burmës) do të dilnin të lirë dhe do t’i jepte fund konfliktit etnik që ka mbajtur kufijtë e vendit në luftë, për shtatë dekada.
Por të dy premtimet kanë mbetur të parealizuara dhe ikona më e shndritshme e demokracisë në botë ka humbur shkëlqimin e saj. Zonja Aung San Suu Kyi, 75 vjeç, është kthyer në një apologje për gjeneralët që dikur e burgosën atë, duke minimizuar fushatën e tyre vrasëse kundër pakicës myslimane Rohinga. Kritikët e saj më të fortë e akuzojnë atë si anëtare e shumicës etnike Bamar, për racizëm dhe mos gatishmëri për të luftuar për të drejtat e njeriut, të të gjithë njerëzve në Mianmar.
Megjithatë, edhe pse Znj. Aung San Suu Kyi ka shpërdoruar autoritetin moral që erdhi me Çmimin e saj Nobel për Paqen, popullariteti i saj brenda vendit ka rezistuar. Këtë javë, partia e saj politike, Lidhja Kombëtare për Demokracinë, fitoi një tjetër përmbysje në zgjedhjet e përgjithshme, duke ftuar mandatin edhe për pesë vjet të tjerë në të cilat ajo do të ndajë pushtetin me ushtrinë që drejtoi Mianmarin, për gati 50 vjet.
“Stili i saj i udhëheqjes nuk po shkon drejt një sistemi demokratik, por drejt diktaturës,” thotë Daw Thet Thet Khine, një ish zë i fuqishëm i Lidhjes Kombëtare për Demokraci, e cila formoi partinë e saj për të garuar në zgjedhjet e së dielës, por nuk arriti të fitojë asnjë vend. “Ajo nuk e dëgjon zërin e njerëzve”.
Është e vështirë të mendosh për një hero të të drejtave të njeriut, prestigji global i të cilit është njollosur kaq shpejt. Krahas Nelson Mandelës dhe Vaclav Havelit, zonja Aung San Suu Kyi përfaqësoi një herë triumfin e demokracisë mbi diktaturën. Ndihmoi gjithashtu, që ajo të mund t’i kthente hijeshinë.

Vitin e kaluar, Znj. Aung San Suu Kyi udhëtoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të mbrojtur ushtrinë kundër pretendimeve se ajo kishte kryer gjenocid ndaj myslimanëve Rohinga.
Ajo këmbënguli, pa kërkuar ndjesë, në gjykatë se ndërsa “nuk mund të përjashtohet që forcë joproporcionale” ishte përdorur kundër Rohingave, konkludimi i qëllimit gjenocid paraqiti një “pamje faktike jo të plotë dhe mashtruese”. Faqja e saj në Facebook dikur mbante postimin “Përdhunim i rremë”, duke ulur befas dhunën sistematike dhe të mirë-dokumentuar seksuale, të kryer kundër Rohingave.
Nën qeverinë e zonjës Aung San Suu Kyi, tokat kufitare të Mianmarit, ku janë grumbulluar pakica të tjera etnike, janë më të konfliktuara se sa një dekadë më parë. Poetë, piktorë dhe studentë janë burgosur, vetëm pse kanë shprehur në mënyrë paqësore mendimet e tyre: Në Mianmar sot, 584 njerëz janë ose të burgosur politikë ose po presin gjyqin për ato lloj akuzash, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë.
“Tani që ajo e ka shijuar pushtetin, nuk mendoj se dëshiron ta ndajë atë me askënd”, tha Seng Nu Pan, një politikan nga grupi etnik Kachin që po lufton për autonomi në veriun e vendit.
Zonja Aung San Suu Kyi u rrit si fisnikëri politike, bija e Gjeneralit Aung San, heroit të pavarësisë së vendit, i cili u vra kur ajo ishte 2 vjeç.
Pas 28 vitesh jashtë vendit, ajo u kthye në atdhe më 1988-n ndërsa protestat pro-demokracisë po bashkoheshin në të gjithë vendin. Brenda disa muajsh, shtëpiakja e dikurshme ishte shfaqur si udhëheqëse e lëvizjes.

Një juntë ushtarake e arrestoi atë në 1989, pas së cilës Lidhja e saj Kombëtare për Demokraci fitoi zgjedhjet, që u injoruan nga diktatura. Më 1991-shin, ajo fitoi çmimin Nobel për Paqen “për luftën e saj jo të dhunshme për demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.
Gjatë arrestit shtëpiak në vilën e saj të shkatërruar, për një total prej 15 vjetësh, zonja Aung San Suu Kyi mbajti një regjim të rreptë. Ajo dëgjoi raportimet e lajmeve në radio BBC. Praktikoi pianon. Meditoi sipas mënyrës budiste, me qëllimin, thoshte ajo, për tejkalimin e shqetësimeve tokësore. Zonja Aung San Suu Kyi humbi dy djemtë e saj që po rriteshin dhe përjetoi vdekjen e bashkëshortit , një akademik britanik, nga kanceri.
Por virtytet që i shërbyen aq mirë Znj. Aung San Suu Kyi gjatë arrestit shtëpiak – dinjiteti i saj i drejtpërdrejtë dhe bunkeri psikologjik që ndërtoi rreth vetes – mund të jenë ato që e kanë çuar drejt dështimit, deri më tani, në luftën për demokraci të vërtetë dhe përfaqësuese, në Mianmar.
Vija është e hollë midis vendosmërisë dhe mosbindjes, bindjes dhe dashamirësisë.“Është ironike që ndërsa bashkësia ndërkombëtare përdori liritë e veta për të promovuar të sajën, ajo po përdor disa nga mekanizmat e njëjtë ligjorë si ushtria për të mbytur lirinë e fjalës, lirinë e shtypit dhe lirinë e grumbullimit”, thotë Bill Richardson, ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara dhe një aleat prej kohësh i zonjës Aung San Suu Kyi.

Z. Richardson u prish me të dy vjet më parë, kur zonja Aung San Suu Kyi u zemërua aq shumë saqë ai mendoi se mund ta godiste, pasi e nxiti të lirojë dy gazetarë të Reuters, të cilët ishin burgosur pasi zbuluan një masakër të Rohinga, do të thoshte ai.
“Nëse ajo dështon të udhëheqë veçanërisht mbështetësit e saj etnikë Bamar në një vizion më gjithëpërfshirës të vendit, përmes fjalëve dhe veprimeve të saj, Birmania ka të ngjarë të bëhet një vend më pak i qëndrueshëm dhe më i dhunshëm”, shtonte Richardson.
Për të gjithë retorikën e saj demokratike, zonja Aung San Suu Kyi ruan respektin për ushtrinë që formoi babai i saj. Disa nga themeluesit e Lidhjes Kombëtare për Demokraci ishin ish-oficerë ushtarakë, që luftuan rebelët etnikë në malësitë e Mianmarit.
Partia është e organizuar me një hierarki ushtarake në të cilën oficer komandues është Znj. Aung San Suu Kyi. Por ushtria aktuale kontrollon ministritë e rëndësishme, një pjesë të parlamentit dhe bizneset fitimprurëse.

Që nga marrja e pushtetit si këshilltare shtetërore e vendit më 2016-n, znj. Aung San Suu Kyi ka vlerësuar vazhdimisht ushtrinë, ndërsa ka refuzuar të pranojë përpjekjen e ushtrisë për të spastruar vendin nga myslimanët Rohinga. Në vitin 2017, afërsisht tre të katërtat e një milion Rohingave u larguan në Bangladeshin fqinj.
Shumë nga ata që kanë mbetur në vend janë në kampe internimi. Rohingat nuk u lejuan të votojnë në zgjedhjet e së dielës dhe votimet u anuluan në zona të tjera konfliktesh të pakicave etnike, duke hequr të drejtën nga më shumë se 2.5 milion njerëz që nuk i përkisnin etnisë Bamar. Si rezultat, partitë etnike nuk ishin në gjendje të bënin fitimet elektorale që prisnin dikur, megjithëse Lidhja Kombëtare për Demokraci paraqiti me sukses dy kandidatë myslimanë.
“Bërja e paqes dhe pajtimit është shumë më e lehtë me grupet etnike, por ajo u përpoq vetëm me ushtrinë”, thotë Tu Ja, kryetar i Partisë Popullore të Shtetit Kachin etnik.
Mbështetësit e zonjës Aung San Suu Kyi thonë se refuzimi i saj për të folur në emër të komuniteteve të prekshme të Mianmarit nuk është shovinizëm i lindur, por më tepër një pragmatizëm politik që vjen nga dëshira për t’i mohuar ushtrisë një mundësi për të kapur edhe një herë pushtetin e plotë. Sundimi i ushtrisë filloi më 1962-shin me justifikimin se një qeveri civile po mbytej nga lufta civile.
Por humori kombëtar në Mianmar është gjallëruar nga një ksenofobi që zhvlerëson mungesën e vullnetit të zonjës Aung San Suu Kyi, për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike. Mijëra murgj budistë kanë mbajtur protesta kundër Perëndimit për dëshirën për të sjellë ushtrinë para drejtësisë për spastrimin etnik. Shumë të tjerë në zemrën Bamar të vendit akuzojnë një intrigë islamike se po përpiqet ta kthejë një komb paqësor budist, në një enklavë myslimane.

“Njerëzit në Perëndim menduan se Daw Aung San Suu Kyi do të ishte jopopullore për shkak të shtypjes së Bengalëve”, thotë U Thu Citta, një murg budist me ndikim, duke përdorur një term për të sugjeruar, në mënyrë të pasaktë, se Rohingat janë nga Bangladeshi, jo Mianmari. “Por çka bëri ajo, ishte e drejtë.”
Që nga zgjedhjet, zonja Aung San Suu Kyi ka qëndruar e fshehur në një vilë në Naypyidaw, kryeqyteti fortesë, që u ndërtua nga gjeneralët për të shfaqur fuqinë e tyre. Ajo ka refuzuar vazhdimisht kërkesat për të biseduar me The New York Times. Ajo ende thuhet se mediton çdo ditë.
Koronavirusi tërbohet jashtë. Partia e lidhur me ushtrinë, e cila u trazua nga Lidhja Kombëtare për Demokracinë, ka hedhur poshtë rezultatet e zgjedhjeve, bëri thirrje për një rishikim dhe kërcënoi të fuste ushtrinë si vëzhgues.

Në Yangon, ish-kryeqyteti i braktisur nga ushtria, një brez i ri i aktivistëve të të drejtave të njeriut tregton këshilla se si të shmanget goditja nga qeveria e znj. Aung San Suu Kyi.
“Ne kemi gati 600 të burgosur politikë, dhe unë isha njëri prej tyre disa muaj më parë”, thotë Ma Thinzar Shunlei Yi, 28 vjeç, e cila u dënua për shkelje të një ligji për tubime paqësore, kur protestoi për persekutimin e pakicave etnike. “Ajo nuk ka bërë sa duhet për të hedhur bazat demokratike për liritë themelore për të gjithë”./The New York Times / Përktheu: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




