Financa Personale

Si do të përfitojnë shqiptarët nga marrëveshja e pensioneve me Italinë?

Si do të përfitojnë shqiptarët nga marrëveshja e pensioneve me Italinë?

Nga Gazeta ‘Si’- Nga 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali, për momentin vetëm 200 mijë prej tyre do të përfitojnë nga marrëveshja e njohjes së pensioneve mes Shqipërisë dhe shtetit fqinj që u nënshkrua dje(6 shkurt). Pjesa tjetër është ende në punë dhe nuk kanë plotësuar vitet e pensionit.

Kështu deklaron për Gazetasi.al Beskida Aliaj, kryetarja e INAS CISL Albania (Konfederata Italiane e Sindikatave të Punës) e cila duke njohur shumë mirë ligjet e brendshme të shtetit italian, evidenton për Gazetasi.al disa nga kushtet e përfitimit të kësaj marrëveshje.

Përfitimi i parë, është ‘bashkimi i kontributeve’ në të dy vendet. Sipas saj, nëse një qytetar është i siguruar dhe e ka ushtruar këtë punë edhe në Shqipëri edhe në Itali, atij do t’i quhen të gjithë vitet e punës, pra kudo që të ketë punuar në këto dy vende.

"Nga 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali, për momentin vetëm 200 mijë prej tyre do të përfitojnë nga marrëveshja e njohjes së pensioneve", citon Aliaj.

Periudhat e sigurimit të plotësuara sipas legjislacionit të njërit shtet kontraktues, bashkohen, nëse është e nevojshme, me periudhat e sigurimit sipas ligjeve të shtetit tjetër kontraktues.

“Mosha e daljes në pension në Itali është 67 vjeç ndërsa në Shqipëri 65. Nëse një emigrant i Italisë mund të ketë punuar në Shqipëri 10 vite dhe arrin në vendin e tij ku gjithashtu punon edhe 10 vite të tjera, atij në total i quhen 20 vite pune dhe e anasjellla.

Sipas ligjit shqiptar, duhet të kesh minimum 15 vite punë për të marrë një pension minimal ndërsa në Itali është 20 vite punë me siguracione. Secili nga shtetet do të japin një pension për ato 10 vite që ka punuar në secilin shtet përkatës”, thotë Aliaj për Gazetasi.al.

Masa e pensionit do të jetë e ndryshme dhe kjo varet nga sasia e viteve apo sa është paguar për atë punë.

Më tej, ajo shton për Gazetasi.al se përfitimi i dytë që qytetarët do të kenë nga kjo marrëveshje është edhe vjetërsia e punës. Italia përpos pensionit të pleqërisë, jep edhe një pension vjetërsie pune.

“Rasti i dytë është që Italia të jep pension me vjetërsi pune, ku në rast se qytetari ka 42 vite e 10 muaj kontribute për burrat dhe 41 vite e 10 muaj për gratë, mund të dalë në pension në çfarëdo moshe qoftë edhe nëse është para moshës së pensionit.

Pra ti mund të dalësh në pension edhe 57 vjeç nëse ti ke punuar 45 vite”, thotë ajo për Gazetasi.al ndërsa shton se kjo është një ndihmesë shumë e madhe pasi mosha 67 është goxha e lartë për shqiptarët.

Përfitimi i tretë, thotë Aliaj është ligji që quhet “quota 103”

“Sipas ligjit të brendshëm italian, një pensionist nëse ka 41 vite punë në moshën 62 vjeç mund të dalë në pension 5 vjet më herët sepse po t’i llogarisësh bashkë bëjnë 103. Tani me marrëveshjen dhe bashkimin e kontributeve, këto i kapin vitet dhe ndaj mund të përfitojnë nga ky ligj”, shpjegon mandej ajo për Gazetasi.al.

Megjithatë, për ata persona që e kanë kaluar moshën e daljes në pension, Aliaj thotë se ligji nuk efekt prapaveprues.

“Fatkeqësisht ata që kanë dalë në pension e kanë humbur këtë të drejtë. Ligji do e fillojë efektin që nga ky moment dhe mbrapa”, shton ajo ndërsa thotë se në rast se ky aplikim kryhet në Shqipëri, pensioni do transferohet nga Italia dhe e kundërta, pra i gëzon të drejtat e plota.

Pas nënshkrimit që u bë ditën e djeshme nga ministri  jashtëm Igli Hasani dhe homologu i tij Antionio Tajani, marrëveshja do të ratifikohet nga të dyja shtetet kontraktuese, në përputhje me procedurat përkatëse.

Në ditën e parë të muajit të dytë pas shkëmbimit të dokumenteve të ratifikimit, Marrëveshja do të hyjë në fuqi njëkohësisht me Marrëveshjen Administrative për legjislacionin zbatues të kësaj Marrëveshjeje.

Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje me 15 vende për njohjen e pensioneve, me vende si Gjermania, Turqia, Austria, Belgjika etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë