Financa Personale

BSH: Financat e familjeve shqiptare në përmirësim. S’presin të marrin borxhe në 2024-ën

Nga Gazeta 'SI' - Borxhet e familjeve shqiptare nuk u rritën dhe nuk u ulën gjatë 2023-shit, raporton Banka e Shqipërisë.

Në anketën e kryer në fund të vitit, 24% e tyre kishin një borxh për të paguar, shifër e njëjtë sa në fillim të vitit. Për 83% të këtyre familjeve, pagesa e huasë zë më pak se 30% të të ardhurave mujore, ndërsa për 12% e kalon këtë vlerë.

Niveli i huamarrjes së familjeve dhe aftësia paguese e tyre paraqiten të qëndrueshme dhe pa ndryshime të rëndësishme nga periudha e mëparshme.

Rreth 55% e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se aftësia e tyre paguese ‘nuk ka ndryshuar’ gjatë periudhës, ndërsa pjesa tjetër raportojnë ‘përkeqësim të aftësisë’ së tyre paguese, por ndjeshëm më të zbutur krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.

Prirje të ngjashme paraqet edhe indeksi i pritjeve mbi aftësinë paguese për gjysmën e parë të vitit 2024, i cili ndonëse me vlerë negative, sinjalizon pritje më optimiste të familjeve krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë.

Kursimet në formën e monedhës dhe depozitave vijojnë të zënë pjesën kryesore në mjetet financiare të individëve, ndërsa në vend të dytë renditen investimet në formën e kapitalit në ndërmarrjet e sektorit privat.

Deri në fund të vitit 2022 investimet e familjeve në këto dy forma ishin përkatësisht 1,320 dhe 1,080 miliardë lekë. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2023, depozitat e individëve në banka u zgjeruan me 55 miliardë lekë, duke rikuperuar rënien prej rreth 16 miliardë lekësh të gjashtëmujorit të parë, dhe në fund të vitit ato shënonin rreth 1,245 miliardë lekë. Kontribut pozitiv në zgjerimin e pozicionit financiar të individëve dhanë depozitat në lekë dhe në valutë dhe investimet në titujt e qeverisë kryesisht në bono thesari.

Familjet presin një ngadalësim të lehtë të kërkesës së tyre për kredi gjatë gjysmës së parë të vitit 2024.

Rreth 57% e të përgjigjurve kanë deklaruar se ‘nuk presin të marrin hua të re në 6 muajt e ardhshëm’ duke çuar kështu dhe një sinjal në tregun bankar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë