Analize

Si do të negociojnë me Serbinë kandidatët për kryeministër në Kosovë?

Me rritjen e përfshirjes së SHBA-së në Ballkan, Beogradi dhe Prishtina duket se nuk kanë tanimë zgjidhje tjetër përveçse të ulen në tryeze për të gjetur për një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Me emërimin e Mathew Palmer është bërë e qartë se kryeministri i ardhshmi Kosovës do të ketë një detyrë historike: atë të pajtimit të serbëve dhe shqiptarëve.

Vendet e Kuintit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, kanë kërkuar pezullimin e taksës nga Kosova dhe rifillimin e dialogut me Serbinë menjëherë pasi qeveria e re të marrë detyrën.

Kjo është edhe arsyeja përse dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe qasja ndaj këtij dialogu, është “krye-tema” e shumica e kandidatëve për kryeministër që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Ajo që i bashkon dy kandidatët e opozitës, Vjosa Osmanin dhe Albin Kurti është kërkesa e përbashkët që dialogu mos të udhëhiqet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, por qeveria dhe kryeministri i ardshëm i Kosovës, duke sinjalizuar kështu se në rast fitoreje ata do ta merrnin vete në dorë dialogun me Serbinë.

Vjosa Osmani, Gazeta Si, 18 shtator 2019

Osmani, kandidatja e Lidhjës Demokratike të Kosovës, ka theksuar e para se procesin e dialogut me Serbinë, në rast se bëhet kryeministre, do ta udhëheqë ajo.
“Dialogu duhet të udhëhiqet nga qeveria. Këtë proces do të udhëheq unë. Në fushën e negociatave dhe dialogut, kam përvojë më shumë se kandidatët e tjerë për kryeministër. Pasi ne të negociojmë dhe të nënshkruajmë marrëveshjen, në bashkëpunim me Kuvendin dhe pasi të ratifikohet nga ky i fundit, presidenti ka thjesht një detyrë ceremoniale që ta nënshkruar”, ka deklaruar se fundmi Osmani, e cila do të ishte kështu edhe kryeministrja e parë femër e Kosovës.

I të njëjtit mendim me të duket të jetë edhe, Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ka theksuar këtë javë se sapo të marrë detyrën, do të rishqyrtojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e udhëhequr Brukselit.

Albin Kurti Gazeta Si, 18 shtator 2019

“Këtë nuk mund ta bëj rivalja ime (Vjosa Osmani), sepse ajo do të jetë kryeparlamentare. Unë do të jem kryeministër pas 6 tetorit. Ne duhet ta krijojmë një ekip negociator, i cili duhet të ketë një strategjinë dhe parime të përcaktuar qartë për dialogun, në mënyrë që të mos krijohet një lloj kakofonie në këtë aspekt. Por, kjo nuk vjen menjëherë. Ne na nevojitet një komision që të mbyllë shpejt kapitullin e 33 marrëveshjeve të realizuara përgjatë dialogut në vitin 2012 deri në vitin 2017”, ka theksuar Kurti.

Ndërkaq, kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, dhe kandidat i koalicionit të partisë së tij Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nga Partisë Socialdemokrate, ka deklaruar se vendimi për taksën prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, e ka bërë këtë të fundit të kuptojë se Kosova nuk shkon në dialog me kushte.

“Ne kemi nevojë për një politikë të fqinjësisë së mirë me Serbinë dhe po ashtu Serbia ka nevojë për fqinjësi të mirë me Kosovën. Ne jemi të gatshëm për këtë. Por, nuk jemi të gatshëm për ripushtim, për nënshtrim dhe për çfarëdolloj shkeljeje të të drejtave tona. Pra, vetëm si dy shtete, si dy fqinjë, si dy palë që kanë interesa. Këtë Serbia nuk e ka pasur kurrë më të qartë nuk, jua siguroj”, theksoi Haradinaj.

Ramush Haradinaj, Gazeta Si, 18 shtator 2019

Fatmir Limaj, kandidati për kryeministër nga Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, përmes një letre publike drejtuar disa ditë më parë kandidatëve që garojnë për postin e kryeministrit të vendit, ka thënë se nevojitet një unitet i spektrit politik për t’iu qasur dialogut me Serbinë, unitet i cili kishte munguar në mandatin e kaluar të legjislativit.

“Të vetëdijshëm se populli i Kosovës nuk e meriton që aleatët e Kosovës, ata që në momentet jetike kanë qëndruar pranë popullit tonë, të zhgënjehen nga mungesa e aftësisë institucionale që të miratohen e merren vendime në interes të ardhmërisë së vendit, Kuvendi i Kosovës miratoi platformën mbi bazën e të cilës duhej të ndërtohej një konsensus i përgjithshëm i pikëpamjeve tona politike për çështjen e dialogut me Serbinë”, ka shkruar Limaj.

Fatmir Limaj, Gazeta Si, 18 shtator 2019

Ndryshe nga të gjithë kandidatët tjerë, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ende nuk ka folur për qasjen që do ta ketë ndaj procesit të dialogut me Serbinë. Ndërkohë që në Kosovë ka nisur para kohë fushata për zgjedhjet e 6 tetorit, ai është përqendruar kryesisht në temën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Edhe Nenad Rashic nga koalicioni “Liria”, ka shpallur kandidaturën për kryeministër të Kosovës. Ai thotë që dialogu Kosovë –Serbi duhet domosdosmërisht që të vazhdojë sa më parë dhe menjëherë pas formimit të qeverisë së re, e cila, sipas tij, duhet të ketë rolin kryesor në këtë proces.

“Personi më kompetent do të ishte kryeministri i ri ose një ekip i ri. Kjo është e domosdoshme, sepse kemi parë që ka pasur raste që presidenti, i cili, para së gjithash duhet të mbajë një post ceremonial, ka iniciuar skenarë që janë shumë serioze. Marrëveshja mund të arrihet, por pjesa më e vështirë do të jetë zbatimi”, tha Rashic.

Kadri Veseli, Gazeta Si, 18 shtator 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë