Gazeta Si – Bardhyl Fusha, i cili drejtonte një brigadë punëtorësh ndërtimi, nuk ka pasur një plan apo një skenar të qartë për të grabitur paratë në një bankë në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë.
Edhe pse ishte armatosur, 61-vjeçarit me sa duket i mjaftonte të merrte shumat monetare në çdo mënyrë, pa menduar se si do dilte pa “lagur” nga kjo histori.
Në njoftimin zyrtar, policia sqaroi se autori arriti të marrë 8 milionë lekë të vjetra, të cilat u sekuestruan pas arrestimit të tij në flagrancë.
Gjatë dëshmisë së tij, ai pohoi se kishte rreth 70 mijë euro borxhe të papaguara ndaj punëtorëve të tij. Ai ka deklaruar se kishte zgjedhur të grabiste filialin e bankës, për shkak se kishte shkuar edhe herë të tjera aty kur kryente pagesat.
Fusha, me origjinë nga Gramshi jetonte në Tiranë me familjen në një banesë me qira. Që në fillim të zbatimit të planit të tij, sipërmarrësi mbërriti me automjetin personal, të cilin e kishte parkuar rreth 100 metra larg bankës me targa zyrtare dhe jo të vjedhura apo zëvendësuara.
Si një klient i zakonshëm, ka marrë një çantë sportive të mjaftueshme për të fshehur kallashnikovin dhe një krehër me 30 plumba.
“Gabimi” i dytë i tij, ishte pikërisht mungesa e maskimit, sepse gjatë gjithë tentativës është filmuar nga kamerat e sigurisë.
Për fat të mirë, skenari i tij dështoi në dalje të bankës, falë disa rrethanave edhe ratësore, para së gjithash ajo e mosveprimit të 61-vjeçarit për një përplasje me armë me dy policët.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, roja i sigurisë private të bankës nuk ishte për momentin tek dera, por detektori sinjalizoi se se kishte metal me vete. 61-vjeçari nxori menjëherë kallashnikovin nga çanta dhe qëlloi një herë në dysheme.
Ai arriti të marë vetëm 8 milionë lekë të vjetra në njërën prej arkave dhe sapo doli tek dera u arrestua. Për armën e zjarrit, sipas burimeve, deklaroi se e kishte që prej vitit 1997 dhe e mbante në banesë.
Megjithatë, grabitja e dështuar, është një alarm serioz në lidhje me sigurinë publike në Shqipëri dhe sidomos në atë të bankave të çdo niveli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


