Që prej të enjtes Shqipëria po jeton përmes një orari të ri kufizimesh në lëvizje më shpresën se numrat e infektimeve do të ulen. Bizneset po mbyllen dy orë më shpejt dhe qytetarët nuk lejohen të dalin nga shtëpitë pas orës 20:00. Të mërkurën Ministrja e Shëndetësisë dhe Komiteti i Ekspertëve, kur prezantuan masat e reja thanë se po e merrnin këtë vendim për të frenuar valën e infektimeve. Atë ditë, dhe disa ditë para saj numri i të infektuarave ishte mbi 1000 vetë. Vendimi nuk i pëlqen askujt, madje as qeverisë e cila për të pasur një mundësi për të ulur trendët do të shtrëngojë më shumë darën e ekonomisë dhe financave personale të familjeve.