Rend dhe Ligj

Shtohen radhët e fisit në burg / Me drogë dhe para në makinë, arrestohet nipi 22-vjeçar i ish-deputetit Rrahman Rraja

Gazeta Si – Një tjetër anëtar i fisit Rraja është arrestuar nga policia këtë të premte. Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit Rrahman Rraja, ka rënë në pranga, pasi iu gjet një sasi kokaine në makinë.

Mësohet se 22-vjeçarit nga fshati Nikël i Krujës iu gjet në makinë kokainë dhe shuma parash, të cilat u sekuestruan nga policia.

Kjo nuk është hera e parë që anëtarë të fisit Rraja përballen me drejtësinë. Disa prej tyre janë në qeli për vepra të ndryshme penale, ku Redjan Rraja është dënuar me burg përjetë për vrasjen e Andi Malokut në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në nëntor 2019.

Ariel Rraja rezulton të jetë djali i Flamur Rrajës, i përfshirë në ngjarjen e rëndë të ndodhur në muajin gusht 2023 në Fushë-Krujë, ku u dhunuan Jashar Maja dhe Bilbil Maja.

“U arrestua shtetasi A. Rr., 22 vjeç, banues në Nikël, Krujë, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin që drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe shuma parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kjo nuk është hera e parë që një anëtar i këtij fisi bie në pranga. Në burg, të dënuar dhe akuzuar për vepra të rënda penale, ndodhenprej kohësh Redjan Rraja dhe Ramazan Rraja.

I pari është dënuar me burg përjetë për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj në nëntor 2019 në autostradën Durrës-Tiranë, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku.

Ndërsa i dyti, ndodhet në qeli, në pritje të gjykimit, pasi akuzohet si organizator në atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoj dhe për armëmbajtje pa leje. Ndaj Ramazan Rrajës, rëndon edhe një akuzë me një dënim prej 12 vjetësh në mungesë nga drejtësia belge për trafik ndërkombëtar të drogës.

Këtë verë, në muajin korrik, anëtarë të fisi Rraja, dhunuan me sende të forta kushërinjtë Maja në Fushë Krujë pas një zinxhiri përplasjesh për zhurmën e shkaktuar nga puna e një guroreje në fshatin Borizanë.

Për ngjarjen u arrestuan dhe u lanë në burg Ineidi Rraja, Andi Rraja dhe Eni Kullaj, si dhe janë ende në kërkim Rexhep Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, Edison Meta dhe Përparim Rraja.

Pas këtij incidenti, ku ishte i përfshirë edhe djali i tij, deputeti socialist Rrahman Rraja dha dorëheqjen nga politika dhe jeta publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë